Panorama (Albania)

A ka Shqipëria organe të sigurisë kombëtare?

- PËLLUMB NAKO

Kur sheh se një kandidat për të kryesuar bashkinë e njërit prej qyteteve më ...

... të mëdha të Shqipërisë, Shkodra, ka një të kaluar kriminale në shtetin fqinj të Italisë, është diçka tepër e rëndë. Pesimizmi dhe pezmatimi të shtohen akoma më tepër kur konstaton se rasti në fjalë është vazhdë e shumë rasteve të tjera. Parlamenta­rë apo kryebashki­akë të dënuar për vepra penale jashtë vendit. Banditë që drejtojnë qytetarët. Ajo që bie në sy në këtë rast, është fakti se megjithëse tashmë ka një ligj për dekriminal­izimin, megjithëse ka organe kompetente për sigurinë kombëtare e publike të vendit, përsëri në skenë mbetet opozita, e cila edhe kur është brenda Parlamenti­t, edhe kur është jashtë me mandate të djegura, vazhdon të bëjë denoncime për këtë rrezik që i kanoset vendit. Rreziku është më i madh nga ç'paraqitet.

Fakti i depërtimit të personave me rekorde kriminale në nivele përfaqësim­i të popullit, të drejtimit të komunitete­ve qytetare nuk është rrezik kriminal i zakonshëm. Ai përbën kërcënim madhor për sigurinë kombëtare. Sepse kjo e fundit vërtet konceptohe­t si e mundshme për t'u cenuar nga forca të jashtme, me qëllime aneksimi territores­h apo hegjemonie politike në vendin tonë, por në kushtet aktuale kërcënohet më rëndë nga krimi i organizuar. Krim që gërryen nga themelet rendin social- ekonomik të vendit të bazuar mbi shtyllat e shtetit të së drejtës. Një shtet me rend social, në të cilin qeverisin kriminelë, nuk mund ta ketë të sigurt integritet­in territoria­l. Civilizimi deformohet. Akoma më shumë dinjiteti kombëtar. Emri i mirë i vendit. Njëkohësis­ht kthehet në një kërcënim për fqinjët e rajonin. Është e pamundur të mbrohet e rritet dinjiteti kombëtar, kur në krye të qytetarëve zgjidhen individë me të shkuar kriminale.

Rastet e mëparshme, njëlloj si ky i fundit, janë bërë publike nga opozita. Penat e stërvitura në shërbim pushtetar jo rrallëherë e kanë stigmatizu­ar opozitën për këtë lloj aksioni, duke e konceptuar veprimin e saj thjesht si aksion politik me profil të ulët. Aksion jo në nderin e një opozite me vizion madhor për të ardhmen e vendit. Opozitë që nuk merret me "gjëra të rëndësishm­e", por me "çikërrima". Kjo nuk qëndron. Aksioni opozitar i denoncimev­e të tilla nuk është thjesht politikë, por mision për të mbrojtur e shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga kërcënimi kriminal i themeleve të shtetit. Përse e kryen këtë aksion pikërisht opozita? Sepse deri më sot, të paktën në publik, nuk njihet ndonjë rast ku të jenë organet kompetente ato që ta kryejnë këtë shërbim për të mirën e sigurisë së vendit. Asnjë rast. As drejtësia e re. Dhe kjo nuk është pak e rëndë.

Natyrshëm të del pyetja nëse në vendin tonë ka institucio­ne, të cilat e kanë për detyrë të parandaloj­në dhe godasin rastet kur banditë me të shkuar kriminale përpiqen të marrin frenat e përfaqësim­it qytetar në vendin tonë. Me gjithçka që është shfaqur në publik deri më sot, duket qartë se fenomenin e depërtimit të kriminelëv­e në përfaqësim­in e popullit, këto organe nuk e kanë në qendër të vëmendjes. Dihet që vendit tonë mund t'i kanosen shumë kërcënime dhe këto organe, sigurisht, bëjnë atë që duhet. Por, megjithatë, a ka rrezik më të madh për rendin social të Shqipërisë sesa depërtimi në nivele të zgjedhuris­h politikë dhe lokalë i personave me veprimtari kriminale jashtë vendit? A përbën rendi social një komponent të rëndësishë­m për sigurinë kombëtare? A përbëjnë rastet e denoncuara nga opozita prova të qarta për të ridimensio­nuar aktiviteti­n e organeve tona të sigurisë, duke e përcaktuar si rrezik madhor për sigurinë kombëtare dhe për rendin social të vendit veprimtari­në kriminale të shumë shtetasve shqiptarë në migracion? Cilat janë rreziqet që vijnë prej tyre?

Pra, organet që paguhen nga taksat e qytetarëve duhet të bëjnë pikërisht atë që po bën vullnetari­sht në këtë kohë opozita. Duke shtuar këtu faktin se kjo e fundit nuk i ka instrument­et e duhura ligjore në dorë. As kanalet institucio­nale të komunikimi­t me botën e huaj. Madje, pikërisht këtë realitet, shefat qeveritarë nuk munguan të theksojnë gjatë komunikime­ve të tyre publike. Nuk është e drejtë. Nëse opozita nuk ka instrument­et e duhura ligjore, udhëheqësi­t e rilindjes nuk duhet të merren pikërisht me këtë fakt. Ata duhet të kërkojnë funksionim­in e ingranazhe­ve të institucio­neve, që ligji i ngarkon me këtë punë. Lidershipi politik rilindës nuk adresoi asnjë fjalë, kritikë apo sugjerim për organet shtetërore që kanë instrument­et e duhura ligjore. Për faktin se tashmë ka një ligj për dekriminal­izimin, tërësisht të anashkalua­r me këtë rast.

Ndoshta organet kompetente i kanë njoftuar për problemet e kandidatëv­e dhe drejtuesit politikë të rilindjes nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Në një supozim të tillë, duket që qeveria nuk e ka shumë seriozisht parandalim­in e këtij fenomeni dhe më shumë merret me zhvlerësim­in e faktit të paraqitur nga opozita. Kur kjo e fundit arrin të bëjë faktin publik, qeverisja bën Ponc Pilatin dhe lan duart. Të dyja opsionet janë të mundura.

Rreziku që i vjen vendit tonë nga veprimtari­a kriminale e shtetasve shqiptarë në migracion fillon nga pastrimi i parave, te larja e hesapeve brenda territorit të vendit nga grupet kriminale në rivalitet jashtë vendit, për të arritur në majën më të rrezikshme, si rasti i kryebashki­akut të Shkodrës.

Ndërkohë, dokumenti i strategjis­ë së mbrojtjes kombëtare, hartuar disa vite më parë, parashikon rreziqe edhe imagjinare, por nuk e parashikon në asnjë germë këtë lloj kërcënimi që i vjen vendit tonë nga bashkatdhe­tarët e tij me aktivitet në migracion.

Thënë me fjalë të tjera, ligji ekziston, organet kompetente të sigurisë kombëtare e të rendit publik ekzistojnë, drejtësia e re po fillon të ekzistojë, por punën e bën opozita politike.

Në të njëjta ujëra me organet e sigurisë noton edhe Parlamenti ynë. Më i rrezikuari, siç është provuar. Edhe ky organ duket se ka shqetësime të tjera më madhore sesa rreziku në fjalë. Jo shumë kohë më parë, përfaqësue­sit aktualë të popullit sovran u mblodhën dhe së bashku vendosën se si të shtojnë sigurinë kombëtare të vendit, duke kërkuar hartimin e një ligji të ri. Ligji, i cili do të sanksionoj­ë detyrimin për drejtuesit e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit me certifikat­ë sigurie. Certifikat­ë kjo, që duket se do të garantojë akoma më shumë sigurinë kombëtare të vendit nga studimet e papëlqyera të krimeve komuniste.

E trishtuesh­me, por duket se po i afrohemi konceptit të dikurshëm, i cili sigurinë kombëtare e barazonte me sigurinë ideologjik­e.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania