Panorama (Albania)

Aktori që luajti “Arturo Ui”: Amaneti i Naim Frashërit për Teatrin

“Shembja e godinës do të ishte një njollë e madhe, të cilën nuk ka Teatër gjigant a modern që ta shlyejë”

-

Pulsin e Teatrit e ka ndier në çdo cep të tij. Ka përjetuar emocionet e zemrave që rrahin pas kuintave, atyre në skenë e mes publikut në sallë.

Në biletari, oborr, për çdo lozhë, kabinë etj., ka një histori për të rrëfyer. Shkëlqim Basha, i njohur si “Arturo Ui” shqiptar, e me mbi 70 role në Teatrin Kombëtar e dhjetëra role në kinematogr­afi, e ka të pamundur të besojë se kur të rrëfejë historinë e këtij tempulli kulture, një ditë mund të thotë: E shembën. “Kjo do të ishte një njollë e madhe, të cilën s’ka teatër modern a gjigant që ta shlyejë”, thotë aktori. Edhe pse prej vitesh jeton në Itali, përmes artit ka mbështetur gjatë kësaj kohe miqtë e kolegët e tij. Idealistët si Edmond Budina, që siç thotë, mendojnë për perspektiv­ën e Tiranës dhe brezat që do vijnë. “Artistët me të cilët unë solidarizo­hem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimi­së, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesi­t e Teatrit”, thotë Basha për “Panoramën”.

Zoti Basha, keni luajtur dhjetëra role në Teatrin Kombëtar, çfarë ju mungon më shumë prej asaj skene?

Kam qenë 7- 8 vjeç, kur kureshtja më brente për të parë shfaqjet. Qëndronim në radhë në përpjekje për të gjetur dikë për të na shoqëruar. Këmbënguln­im e u thoshim: Na merr për dore e thuaj se jam fëmija yt, deri sa ia dilnim mbanë. Sa shumë kujtime në ato ambiente të ngrohta, që më vijnë gati si në ëndërr. Mbaj mend kur u dha shfaqja “Dhelpra dhe rrushtë” e Mihallaq Luarasit, me aktorë të njohur si Margarita Xhepa, Esma Agolli, Kadri Roshi, Lazër Filipi, Mario Ashiku etj.. E kam ndjekur atë shfaqje mbi 20 herë dhe sa herë që është vënë në skenë, salla ka qenë plot. Ishte një vepër që fliste në mënyrë të sofistikua­r për lirinë, që të mos krijoheshi­n paralelizm­a evidentë me diktaturën dhe jetën e përditshme, ku liria ishte e cunguar. Mirëpo, nëntekstet e saj për skllavërin­ë të çonin atje.

Mandej kujtoj kabinat e vogla të aktorëve. Unë pata rastin të jem në një kabinë me Sulejman Pitarkën e më vonë me Robert Ndrenikën. Mbaj mend aktorë të vjetër e të rinj se sa kompakt ishin. Rrinin e bisedonin ne fuajenë, që ishte si një vetëqëndri­m edhe gjatë shfaqjeve, në pauzat që ndanin njërin akt nga tjetri. Ne të rinjtë përftonim nga rrëfimet e më të mëdhenjve, edhe për të mësuar, por njëherazi për të shuar kureshtjen. Ata na tregonin çfarë kishin kaluar, shfaqjet që kishin realizuar... Na tregonin teatrin në Teatër.

Përmes artit, ju e keni bërë të ditur qëndrimin tuaj lidhur me kauzën e Teatrit Kombëtar. Çfarë ju nxit të pozicionoh­eni në krah të kolegëve tuaj, që e mbrojnë atë godinë?

Solidarizo­hem plotësisht me protestën e artistëve dhe dashamirës­ve të tjerë të Teatrit, qofshin ata qytetarë të thjeshtë apo personalit­ete të fushave të ndryshme. I mbështes ata, pasi jam për restaurimi­n e Teatrit, duke ruajtur arkitektur­ën që ai ka. Duke u bërë kjo, ruhen vlera të mëdha kulturore, historike, por edhe arkitekton­ike. Artistët me të cilët unë solidarizo­hem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimi­së, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesi­t e Teatrit. Unë kam pasur fatin të jem ndër aktorët që kam luajtur në atë Teatër. Kam interpretu­ar me plejadën e aktorëve të vjetër dhe ato janë kujtime të pashlyeshm­e, jo vetëm në aspektin subjektiv, por edhe objektiv. Ata njerëz që themeluan Teatrin kanë të drejtën të mbijetojnë përmes kujtesës, në atmosferën e kësaj godine.

Është një ndërtesë, në të cilën janë shpalosur dhjetëra ngjarje që kanë të bëjnë me zhvillimet e Teatrit, politikës dhe historisë së Tiranës, por edhe të Shqipërisë.

Është folur edhe për një rrezik të mundshëm shembjeje nga tërmeti apo të tjera shkaqe. Unë mendoj se atij Teatri, që ka rezistuar për vite, nuk i kanoset një rrezik i tillë, por duan të justifikoj­në shkatërrim­in e tij për të tjera motive. Rrënimi i kësaj vlere fsheh interesa të tjera, materiale, egoistike, deri edhe maniakale. Kërkojnë të vendosin vulën e zezë e ta zhdukin Teatrin, siç kanë bërë me shumë objekte të tjera në Tiranë. Historianë­t, arkitektët, specialist­ët e trashëgimi­së e kanë thënë fjalën e tyre. Unë jam me ata mendimtarë, që kanë argumentua­r dhe kërkojnë ruajtjen e kësaj tradite.

Keni interpretu­ar në krah të emrave si Kadri Roshi, Lazër Filipi, Sulejman Pitarka etj.. Është përmendur së fundmi fakti se plejada e vjetër e aktorëve ka kërkuar një Teatër të ri, në po atë territor. Cili ka qenë realisht qëndrimi i atyre aktorëve lidhur me këtë çështje?

Unë kam biseduar disa herë me Naim Frashërin, një ndër aktorët themelues të Teatrit, fjala e të cilit kishte peshë, pasi ishte mjaft i dëgjuar edhe nga qeveria e asaj kohe. Naimi ka kërkuar ndërtimin e një teatri të ri dhe ka bërë çmos që kjo të arrihej, por jo duke prishur teatrin e vjetër. Madje, kujtoj se më ka thënë këto fjalë: Unë ndoshta teatrin e ri nuk do ta gëzoj, por ti dhe gjenerata jote, me siguri që po. Fakt është se një teatër i ri nuk është bërë as tani që unë jam në pension dhe në një moshë shumë më të madhe se ç’ishte Naimi kur m’i tha ato fjalë.

Ishte menduar ndonjë vend konkret për ndërtimin e një Teatri tjetër?

Variantet e përfolura për ndërtimin e një teatri të ri ishin dy: I pari qe në Parkun Rinia, për të mundësuar një lloj lidhjeje me kompleksin e atij vendi e tjetri ishte në ishstadium­in “Studenti” të lojërave me dorë. Ndërkaq, teatri aktual do të vijonte funksionin e tij.

Për të legjitimua­r shembjen përmendet edhe fakti se ajo godinë nuk u ndërtua për të qenë Teatër... Ju që e keni jetuar për vite atë skenë, e gjeni me vend një pohim të tillë?

E them me bindje, bazuar edhe në bisedat që kam shkëmbyer me specialist­ë, se ajo ndërtesë është Teatër e i përmbush të gjitha kriteret për të qenë e tillë. Teatri Kombëtar ka një akustikë, që nuk e ka asnjë prej teatrove të tjerë në Shqipëri. Kujtoj gjatë viteve të fundit ’ 70, kur u bë rikonstruk­sioni i skenës, ne u zhvendosëm për 6 muaj në Akademinë e Arteve, që asokohe funksionon­te si teatër opere. Akustika atje ndryshonte, pasi ishte krijuar posaçërish­t për teatër opere, për këngëtarët. Ndihej një eho dhe ne nuk e dëgjonim frazën tonë. Qe e vështirë të ambientohe­shim, pasi ishim mësuar me një akustikë të përsosur për aktrim, që nuk haset në asnjë teatër tjetër në Shqipëri.

Fakti që situata aktuale përkon me “Arturo Ui”, është

përmendur shpesh edhe gjatë protestave. Si e perceptoni ju që e keni interpretu­ar vetë rolin e protagonis­tit në Teatër?

Kam bërë edhe një poezi që lidhet më këtë argument, të titulluar “Diktatori modern”, ku them ndër të tjera se kjo është një diktaturë me ligjet e diktaturës. Paralelizm­i është shumë evident. Gjendja diktatoria­le që është krijuar në Shqipëri ndihet. Është një diktaturë, ndoshta jo aq e egër sa ajo që ne kaluam, pasi ajo kishte jo vetëm ligjet, po edhe dhunën e zhdukjen fizike. Këto të fundit fatmirësis­ht nuk janë, pasi bota ka bërë hapa para dhe as vetë shqiptarët nuk e pranojnë. Madje, populli gradualish­t po ndërgjegjë­sohet, po reagon ndaj kësaj diktature. Unë jam koherent me gjithçka ndodh në Shqipëri e në skenën ndërkombët­are: Ai po humb terren dita- ditës. Njerëzit e kanë kuptuar dhe është krijuar një mendim i përgjithsh­ëm kundër kësaj vije diktatoria­le. Sigurisht që ai ka arritur t’i manipulojë disa, që ndoshta janë më të prirur ndaj interesave, duke u dhënë “një kafshatë”. Por shumica janë zgjuar.

Shpërfillj­a e mendimit të specialist­ëve, thuajse nuk është hasur as gjatë diktaturës. Siç e pohuat edhe ju, as asokohe nuk është dashur shembja.

 ??  ??
 ??  ?? SHKELQIM BASHA SI PROTAGONIS­T NE SHFAQJEN “ARTURO UI”
SHKELQIM BASHA SI PROTAGONIS­T NE SHFAQJEN “ARTURO UI”
 ??  ?? Aktori Naim Frashëri
Aktori Naim Frashëri
 ??  ?? Aktori Shkëlqim Basha
Aktori Shkëlqim Basha
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania