Panorama (Albania)

Alberto Zakeroni: Milan e Inter të paplota, s'e ndalin dot Juven

-

Alberto Zakeroni ka dhënë një intervistë për italianët e "Tuttosport". Trajneri ka skanuar Serinë A, por vijon ta konsideroj­ë Juventusin si favorite: "Bardhezinj­të fitojnë prej disa sezonesh radhazi. Napoli dhe Interi do të mundohen ta ndalin diktatin e Juves, por nuk do ta kenë të lehtë. Të shohim çfarë do të ndodhë. Futbolli prandaj është i bukur". Si ish- trajner i Interit, Zakeroni nuk mund të mos komentonte edhe zikaltrit. "Konte është nga trajnerët më të zotë në qarkullim, por nuk besoj se skuadra e tij do të luajë gjithnjë në sulm. De Vraj, Godin dhe Shkrinjar janë një paketë e plotë defensive që ofron garanci, por kur luan me tre mbrojtës, duhet dikush si Kielini. I vetmi defekt tek Interi mendoj se është shpejtësia, sepse nuk kanë mjaftueshë­m. Më duket një organikë e fortë për nivele konkurrues­e, por ashtu si Milani, nuk besoj se do të jenë gati për të luftuar për titull", shpjegoi Zakeroni. 20 vite më parë e shpalli Milanin kampion, por ekipi aktual nuk e bind "Zakun". "Më pëlqen ideja e të mbështetur­it te cilësia dhe te të rinjtë, por Xhampaolo duhet të kuptojë se kjo politikë nuk i sjell rezultatet në kohë të shkurtër. Jam shumë kurioz të shoh se si do të luajë Benaser. Roli i regjisorit në ekipe që luajnë me tre mesfushorë është thelbësor, sepse i takon atij të menaxhojë trafikun në mesfushë", deklaroi Zakeroni. Një tjetër koment i teknikut lidhej me sulmin e Milanit, për të cilin tha: "Mendoj se Milani do të afrojë edhe dikë tjetër në sulm, pavarësish­t se Suso më pëlqen shumë. Një skuadër e madhe duhet të ketë tre lojtarë sulmi që garantojnë rreth 50 gola në sezon. Mes Leaos, Susos, Korreas dhe Piontekut, vetëm ky i fundit më duket i aftë të shënojë mbi dhjetë gola. Në mesfushë ka shumë cilësi, por nga një si Kesi, nuk duhet hequr dorë".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania