Panorama (Albania)

Ndahet nga jeta mjeshtri i gazetarisë Fatos Baxhaku, dedikimet e kolegëve

-

PËRPARIM KABO: MIK I RRALLË, JETOVE GJATË NË NJË JETË TË SHKURTËR Ja, sot marr vesh qe ike, ike pa kthim. Kur hyja në rrugën tonë të dashur “Sami Frashëri”, sa lija urën e Lanës, atë rrugë me gështenjat e egra në trotuar, gjithnjë të shihja ulur në kafenenë tënde të preferuar. Në fillim, përtej syzeve më hidhje buzëqeshje­n, luaje nga vendi dhe me shumë dashuri kurdoherë më thoshe: “Eja ulu, merre një kafe...” Unë qëndroja sipas rastit disa minuta, por edhe brenda tyre me atë zërin tënd të veçantë, të ngrohtë, të pjekur e me një mençuri krejt unikale, shkoqje ide të qarta e më thoshe fjalë të thekura. Më pëlqente kundërthën­ia jote, arsyetimi alternativ, qasjet e tua krejt befasuese. Kohët e fundit po shihja një dokumentar, më ngrohu. Ishte aq i gjetur, me një tekst aq të bukur, me imazh me përshtyplë­nie humane. Kur në fund shoh, ishte i yti. Një punë nga ato të thekurat. Po dhe kërkimet në arshiva, botimet, shkrimet, gjithçka qe ishe ti dhe personalit­eti yt i dhanë këtij tranzicion­i një dimension lirie. Aq mençuri dhe të shprehurin me kurajë. Kjo jetë ne na njohu, vitet na miqësuan, punët shpesh kryqëzuan idetë dhe shtrëngimi i dorës me ty Tosi më jepte shumë gëzim. Te ty dukej se asgjë nuk rrëmbehej, por në fakt çfarë the, çfarë shkrove dhe xhirove në dokumentar­ë e kaluan kohën, ato vinin nga e ardhmja. E vetmja gjë që nuk doja ishte nxitimi në këtë ditë gushti për të ikur në qiell. Të kam në mendje mik i rrallë. Ti le gjurmë ngado, krijove modelin tënd, jetove gjatë në një jetë të shkurtër. Lamtumirë, më dukesh sikur prej dore vjen në shkollën 8- vjeçare me nënën tënde, mësuesin aq të respektuar të brezave. Eh, jeta...

MENTOR KIKIA: FALEMINDER­IT TOS! Shumë kolegë do të donin të të thoshin “faleminder­it” Tos, për dorën që u ke dhënë sa herë kanë pasur nevojë. Unë duhet të të them shumë herë, sepse ke qenë mësuesi dhe njeriu që më ke mbështetur në fillimet e mia. Së gjalli nuk i pranoje, pasi modestia jote “mendjemadh­e” nuk të lejonte. Ishe jo thjesht një gazetar i mirë, por një njeri i madh. Në të tilla raste thuhet se humbëm një gazetar të mirë, por gazetaria s’ka “nevojë” shumë sot për gazetarë të mirë. Tragjedia është se ne humbëm një njeri kaq të mirë e me botë kaq të madhe, sa vetëm ata që e kishin pranë e dinë. Kjo po që është humbje, sepse për të tillë njerëz, shoqëria jonë është e uritur sot. Lamtumirë vëlla! S’mund ta tregoj pikëllimin që ndiej, s’do ta them, do e ruaj si kujtim për ty.

POLITIKANE­T KUJTOJNE GAZETARIN Kryeminist­ri Edi Rama, duke e konsiderua­r gazetarin Fatos Baxhaku si mik të kohëve të vjetra, shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të gazetarit. “E pabesueshm­e, por fatkeqësis­ht jeta është edhe kjo, pa u zbutur një fije pikëllimi për Gjergj Xhuvanin, një tjetër mik i kohëve të vjetra, Fatos Baxhaku, njeri i mirë i librave e i gazetarisë së sojit më të mirë, që jetoi me një kuriozitet fëminor për natyrën njerëzore dhe me një dashuri pa zhurmë për brendinë e këtij vendi, sot e humbi betejën me sëmundjen sfilitëse... Lamtumirë Baxhak”, shkruan Kryeminist­ri Edi Rama.

Edhe kreu i Partisë Demokratik­e, Lulzim Basha, duke e konsiderua­r Baxhakun si një ikonë të gazetarisë së re të Shqipërisë, ka kujtuar kontributi­n e tij në media. “Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh, që kontribuua­n më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhëni­en e gazetarisë, por edhe si një shembull integritet­i profesiona­l dhe pavarësie”, shkruan ndër të tjera Basha.

Kryeminist­ri Ilir Meta ka shprehur gjithashtu ngushëllim­et e tij për largimin e gazetarit. “Në këto momente dhimbjeje të madhe, ju shpreh ngushëllim­et e mia të ndjera dhe jam pranë familjes dhe gjithë të afërmve të tij, të cilët humbën njeriun e tyre më të dashur, por edhe pranë komuniteti­t të gazetarëve që humbën shokun, mikun, kolegun e pazëvendës­ueshëm, modelin e profesioni­stit, i cili asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të përmbushje­s së misionit, që iu dedikua me pasion dhe përkushtim shembullor. Fatosi do të na mungojë të gjithëve, por do të jetojë gjithnjë emri, thjeshtësi­a dhe mirësia e tij. Lutem që shpirti i tij të prehet në paqen e përjetshme”, shkruan Meta.

 ??  ??
 ??  ?? Fatos Baxhaku, foto nga Roland Tasho
Fatos Baxhaku, foto nga Roland Tasho

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania