DRAFTI I QEVERISE
Ish- ushtarakët, shtesa për të gjitha kategoritë
Drafti i Qeverisë për ish- ushtarakët, si do ta llogarisë Instituti i Sigurimeve Shoqërore shtesën për të gjitha kategoritë. Si përfitohet nga vendimi
Për të përfituar nga shtesa që do të aplikohet për pensionet suplementare, ishushtarakët nuk do të kenë asnjë detyrim.
Ndonëse në draftin e Ministrisë së Financave një gjë e tillë ende nuk është specifikuar, burime nga ky institucion bëjnë me dije se llogaritja do të bëhet nga punonjësit e zyrave të sigurimeve shoqërore mbi bazën e dokumentacionit që disponohet në dosje.
KATEGORITË Nga shtesa do të përfitojnë të gjithë ata ish- ushtarakë që sot marrin pension suplementar më pak se gjysma e pensionit të pleqërisë që iu është caktuar. Pra, nëse aktualisht marrin pension 22 000 lekë, pensioni suplementar duhet të jetë sa gjysma, d. m. th. 11 000 lekë. Nëse ndodh që të marrin më pak, atëherë diferenca e krijuar do të jetë shtesa. P. sh., nëse marrin 9 800 lekë, atëherë rritja do të jetë me 1 200 lekë. Por edhe në këtë rast ka kufizime, çka do të thotë se jo të gjithë ata që marrin pension suplementar më pak se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, do të kenë mundësi të përfitojnë nga shtesa. Nga drafti që pritet të kalojë për miratim brenda këtij viti, do të përfitojë vetëm ajo fashë ushtarakësh që i ka plotësuar kushtet për pension suplementar maksimal. Kjo nënkupton më shumë se 20 vite pune në ushtri dhe pagë të lartë. Kujtojmë që pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar. P. sh., dikush që ka shërbyer për 20 vite ( 20 X 1%), pra do të përfitojë 20% të pagës por jo më shumë se gjysma e pensionit të pleqërisë. MASA E PËRFITIMIT Masa e përfitimit për ushtarakët varet nga vitet e punës që ata kanë pasur në forcat e armatosura. Të gjithë ata që kanë mbushur mbi 35 vite kontribute, përfitojnë pension maksimal që është rreth 260 mijë lekë. Sipas skemës në fuqi, ushtarakët përfitojnë po ashtu 50% të pensionit të pleqërisë si pension suplementar. Por jo të gjithë e përfitojnë 50%, pasi llogaritjet bëhen mbi bazën e viteve të punës. Nëse ke 20 vite, çdo vit për pensionin suplementar llogaritet 1,5% shtesë dhe nuk mund të tejkalohet gjysma e pensionit të pleqërisë.