Vdekja e dy punëtorëve, Gjykata lë në burg inxhinierin e “Skela Syla”
Ilir Bendo dhe Xhimi Tarushi shprehën keqardhje për humbjen e jetëve, por pretenduan se nuk mbanin përgjegjësi penale
"Arrest në burg" caktoi Gjykata e Tiranës për drejtuesin teknik të "Skela Syla", Ilir Bendo, i arrestuar tri ditë më parë pas tragjedisë ku mbetën të vrarë dy punonjës gjatë çmontimit të një skele.
Ndërkohë, për specialistin e suvatimeve, Xhimi Tarushi, gjykata caktoi masën e sigurisë "Arrest në shtëpi". Sipas Prokurorisë, ka dyshime që janë kryer shkelje të rregullave teknike që kanë shkaktuar edhe ngjarjen me pasojë 2 të vdekur dhe tre të plagosur. Prokurori që po drejton hetimet për çështjen, Saimir Hysa, tha dje se janë kryer veprimet e para hetimore, si administrimi i dokumentacionit të instruktazhit, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe marrja e dëshmive, por për shkaqet e ngjarjes do të pritet një akt ekspertimi. Prokurori i kërkoi gjykatës që të vlerësonte të ligjshëm arrestimin në flagrancë dhe caktimin për dy të arrestuarit të masës së sigurisë "Arrest në burg", kërkesë që u pranua pjesërisht nga gjyqtari Sokol Tona.
MBROJTJA Duke shprehur keqardhjen për jetët e humbura, avokatët e të arrestuarve nisën mbrojtjen ligjore. Avokati i Ilir Bendos, Marash Ibraj, teksa pranoi përgjegjësinë morale të asaj që kishte ndodhur, pretendoi para Gjykatës se i mbrojturi prej tij nuk mund të mbante përgjegjësi ligjore për sa kishte ndodhur. Duke iu referuar kontratës së punës së Bendos, Ibraj tha se detyra e tij është të bëjë instruksionin e punëtorëve për mënyrën se si bëhet montimi dhe çmontimi i skelës, si dhe të sigurohet që punonjësit janë të siguruar dhe janë në listë pagesë. "Shprehim keqardhje për humbjen e jetëve, për këtë jemi të pezmatuar. Sa i përket kërkesës së Prokurorisë, mendojmë se nuk është e drejtë dhe se duke iu referuar kontratës së punës që klienti im ka nënshkruar, parashikohet që ai të bëj instruksionin dhe të sigurohet që punonjësit janë të siguruar, dy detyra të përmbushura prej tij", tha Ibraj, duke kërkuar në fund caktimin e masës së sigurisë "Detyrim paraqitje". Por pretendimi se nuk kishte përgjegjësi për çmontimin, u pa me dyshim nga gjyqtari Tona. Ky i fundit e pyeti nëse kishte qenë i pranishëm gjatë çmontimit të kësaj skele. Bendo iu përgjigj se nuk ka qenë, ndërsa më herët u shpreh se nuk e kishte përgjegjësi një gjë të tillë. Edhe avokati i administratorit të kompanisë "Xhimi", Xhimi Tarushi, Lin Alia, tha se kontrata me skelën parashikon që kompania "Xhimi" ka detyrë vetëm mbushjen e gropave pas heqjes së skelës dhe për këtë nuk mund të ketë përgjegjësi për ngjarjen. Vetë Tarushi në fund tha se shprehte keqardhje për humbjen e jetëve të punëtorëve.
SHKAQET Duke iu referuar burimeve, mësohet se prishja e skelës që shkaktoi dy viktima ka ndodhur në mesin e saj, duke ngritur dyshimin se diçka nuk ka funksionuar që në ngritjen e skelës. Nga ana tjetër, ka dyshime se punonjësit, gjatë çmontimit mund t'i kenë lenë shumë peshë sipër gjë që mund të ketë sjellë edhe prishjen e saj. Megjithatë, hetuesit ende nuk e kanë një shkak të ngjarjes dhe kjo do t'u mbetet hetimeve më të thelluara.