Panorama (Albania)

Vrau kushëririn, Alban Kusi u dënua me 8 vite burg

Dëshmitari: Albani më tha të mos tregoj, askush s'do dyshojë te ne

- BLEONA METUSHI

Në moshën 19- vjeçare, Alban Kusi, i shpallur në kërkim për vrasjen e Indrit Çelajt, dy ditë më parë, pasi vrau me armë kushëririn e tij në Sauk, u largua qetësisht drejt Tiranës.

Kusi është dënuar me 10 vite burg, vendim i lënë në fuqi edhe në Shkallë të Dytë, me një ndryshim në masën e dënimit, duke e dënuar përfundimi­sht me 8 vite burg. Gjatë shqyrtimi gjyqësor të çështjes dhe nga provat që Prokuroria ka sjellë, nuk qartësohet shkaku dhe motivi i krimit, por në fund, Gjykata shprehet se është provuar fajësia e të riut për vrasjen me dashje të kushëririt të tij, Shkëlqim Nozlli. Nga vendimi i Gjykatës që disponon gazeta "Panorama", rezulton se Nozlli para vrasjes ka bërë pazar me dy oficerë policie, të cilëve do t'i gjente dy armë zjarri. Fill pas kësaj marrëveshj­e, viktima, siç rezulton nga dëshmia e Kusit, ka shkuar në biznesin e këtij të fundit dhe i ka kërkuar makinën për të shkuar diku. Pas debateve, ata kanë marrë një taksi, një të afërmin e Kusit, dhe janë nisur për në Kërrabë, ku në një pjesë të rrugës ka zbritur dhe ka vrarë me armë zjarri Shkëlqim Nozllin. DËSHMIA E ALBAN KUSIT

Në dëshminë e tij para hetuesve, Alban Kusi ka pretenduar se Nozlli i ka kërkuar atij makinën, por duke qenë se e kishte të prishur, ai i kishte siguruar një taksi dhe së bashku janë nisur drejt Kërrabës. Gjatë dëshmisë, nuk sqarohet asnjëherë debati që kanë patur, por i riu ka thënë se ata janë konfliktua­r fizikisht dhe arma është shkrepur pa dashje. "Kur kemi shkuar afër Kërrabës, më merr në telefon babai im dhe më thotë ku je? Unë i thashë se jam me Nardin dhe po çojmë Çimin lart. Sapo shkuam në Kërrabë afër një kthese, aty Çimi më ka thënë të ndalojmë dhe të bisedojmë pak. Unë zbrita nga makina së bashku me Çimin, kurse Nardin e kemi lënë në makinë. Të dy kemi zbritur poshtë rrugës rreth 20 metra larg dhe aty Çimi më kapi për krahu dhe më mori pistoletën që unë e mbaja në brez. Unë i them çfarë po bën, ai më shau dhe më tha: më jep lekët që të dhashë më parë. Unë i thashë se nuk t'i jap, por sille këtu pistoletën dhe ia kapa për doreze. Ai e tërhoqi armën nga vetja, njëkohësis­ht dhe unë, kështu arma u shkrep dhe Çimi është plagosur në trup e ra në tokë. Unë u tremba dhe nga frika mora pistoletën në dorë dhe ika me vrap në makinë te Nardi e i them të ikim me vrap për në Tiranë. Gjatë rrugës, Nardi më tha çfarë ndodhi? Unë i thashë që Çimi ka probleme me të fejuarën e tij dhe njerëzit do ta besojnë këtë gjë. Sot, në datën 18.10.2010, në orën 11: 00, i kam telefonuar Nardit me numrin tim dhe i kam thënë shiko njëherë në televizor, pasi ai shoku që lamë ne te "Casa Italia" është gjetur i vrarë, shiko lajmet. Ai më tha që nuk i kam parë lajmet dhe nuk fola më gjatë me të", ka thënë ai. DËSHMIA E TAKSISTIT, LEONARD SHKOZA "Kam vajtur te lokali dhe Albani ka ardhur te makina ime me një djalë tjetër, të cilin nuk e njihja, ishte hera e parë që e shihja; e quanin Çimi. Ata kanë hipur në makinë të dy; Albani ka hipur në vendin e parë, ndërsa Çimi mbrapa në krahun e Albanit. Albani më tha se nuk do të ikim në Dajt, por në Kërrabë. Jemi nisur për në Kërrabë. Në hyrje të Saukut, Albani më ka dhënë 10.000 lekë të vjetër për t'i hedhur naftë makinës dhe unë kam shtuar edhe 10.000 lekë të tjera e i kam hedhur 20.000 lekë në total. Ne kemi ecur dhe kemi shkuar te kilometri 24 sipër një lapidari në rrugën e Kërrabës ku ishte një kthesë e fortë dhe një hapësirë rruge. Te kjo kthesa, Albani më ka thënë që ta ktheja makinën dhe të hapja krahun te cepi i rrugës. Unë aty kam ndaluar. Albani i ka thënë Çimit hajde të zbresim dhe futemi andej. Të dy kanë zbritur poshtë rrugës në një pjesë që ishte si dishezë e pashtruar dhe dukej si rrugë fshati. Mua, Albani më ka thënë ' t'i prit këtu në makinë, sa të vijmë ne", dhe unë kam qëndruar në makinë. Në këtë kohë binte pak shi. Kur ata zbritën poshtë, unë kam dëgjuar rreth dy krisma armësh, por u dëgjuan pak të lehta, pasi i kisha të mbyllura xhamat e makinës. Në këtë kohë, kam parë se në drejtim të makinës po vinte Albani, me vrap, dhe ka hipur menjëherë në makinë e më ka thënë ' ec shpejt, ec shpejt'. Njerëz të tjerë nuk kam parë aty. Unë i kam thënë që ku e ke Çimin dhe ai më ka thënë që e lash aty. Unë i kam thënë që ti e ke vrarë, se unë dëgjova krismat dhe ai më ka thënë se nuk dyshon njeri për ne, se ai ka pasur probleme me ish- të fejuarën e tij dhe ti mos i thuaj askujt, as babait tim, as tëndit dhe as vëllait. Unë i kam thënë se ku e ke pistoletën, ndërsa ai e mbante dorën në mes të barkut e i merrej fryma. Nuk më tregoi për armën, ndërsa dorën nuk e hiqte nga mesi. Ne jemi nisur me makinë për në Tiranë. Kur kemi mbërritur te "Tajvani", sa kemi kaluar kryqëzimin, Albani më ka thënë që ta ndaloja makinën te Exchange dhe ka nxjerr nga xhepi i pantallona­ve një shumë prej 1750 eurosh ku ishin me prerje prej 50 euro. Ai më ka dhënë 10 copa nga 50 euro, e më tha që bëjnë 500 euro, dhe më ka dhënë dhe tri të tjera, për t'i bërë lekë shqiptare. Eurot ia kam kthyer në lekë shqiptare dhe mua më ka dhënë 2000 lekë. Unë e çova Albanin te shtëpia e tij, që ndodhet në një rrugicë poshtë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbrapa pallateve. Kur e kam zbritur poshtë pallatit të tij, ai më tha ndalo dhe hipi përsëri në makinë dhe e kam çuar tek ish- stacioni i fundit i Tiranës së Re. E kam lënë te një pallat në formë L- ëje dhe kur ka zbritur, më ka thënë ik dhe mos i trego askujt. Në datën 18.10.2010, rreth orës 11: 30, më ka marrë në telefon Albani dhe më ka thënë që e more vesh për atë çunin që lamë te ' Caza Italia', ditën e shtunë? Pra, e kishte fjalën për Çimin. Unë i jam përgjigjur me një menefregiz­ëm që nuk kam parë lajme. Ai më ka thënë ' shif, shif' dhe më ka mbyllur telefonin", ka thënë ai në Prokurori.

 ??  ?? Faksimile e vendimit të dënimit të Albano Kusit
Faksimile e vendimit të dënimit të Albano Kusit
 ??  ?? Shkëlqim Nozlli, i vrarë nga Albano Kusi në 2010
Shkëlqim Nozlli, i vrarë nga Albano Kusi në 2010
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania