Panorama (Albania)

Kapet veliera me 1 ton drogë në Peloponez të Greqisë

Mediat greke: Vinte nga Shqipëria, ishte nisur nga Saranda

- SHPRESA DINE

Një velierë që transporto­nte mbi një ton drogë, është bllokuar dje nga Policia greke në Peloponez, ndërsa mediat greke shkruanin se lënda narkotike ishte nisur nga Shqipëria dhe kishte destinacio­n Turqinë.

Nga ana tjetër, Policia shqiptare hedh poshtë versionin e gazetarëve grekë, duke saktësuar se mjeti lundrues i kapur atje, nuk ka asnjë hyrje- dalje në Shqipëri, ndërsa personat që u arrestuan si trafikantë të dyshuar të drogës, janë dy shtetas ukrainas. Mediat greke raportuan dje se në velierë ndodheshin 1 ton e 65 kilogramë e 750 gramë marijuanë, ndërsa kishte si destinacio­n Turqinë, ku do të shkëmbehej me heroinë të pastër. Ndërkohë, Policia ka arrestuar dy persona nga Ukraina, 28 dhe 42 vjeç, të cilët ndodheshin në velierën e mbushur me drogë. Nga ana e saj, Policia greke po heton nëse kapja e mjetit lundrues ka lidhje me ngjarjen e 4 majit në Sivota, Igumenicë, ku një tjetër velierë, e quajtur "My Melody", u dyshua për trafik të paligjshëm, por drejtuesi shtoi shpejtësin­ë dhe më pas i vuri zjarrin anijes, prej ku dy marinarë tentuan të largohen me një mjet ndihmës, ndërsa pronari i saj nuk është gjetur ende. Sipas mediave greke, veliera me emrin "My Dream" ka qenë në gjirin e Sarandës disa kohë më parë për t'u furnizuar me karburant.

POLICIA SHQIPTARE

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media greke se mjeti lundrues që u kap në Peloponez me një sasi hashashi, dyshohet se kishte ardhur nga Shqipëria, ka reaguar edhe Policia shqiptare, duke dhënë disa detaje rreth këtij operacioni. Policia e Shtetit tha dje se, në kuadër të bashkëpuni­mit me homologët për të parandalua­r dhe luftuar trafikun e lëndëve narkotike, duke shkëmbyer informacio­n në kohë reale apo duke zhvilluar operacione të përbashkët­a, menjëherë pas kapjes nga autoritet greke të mjetit lundrues është vënë në dijeni nga homologët, për të dhënat e mjetit dhe personat në bord, me qëllim verifikimi­n e tyre. Të ndaluarit janë shtetas ukrainas. Policia shqiptare thotë se nga verifikimi i bërë në regjistrat e Pikës së Kalimit Kufitar Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti i Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues, velieria "My Dream", i kapur me drogë, dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje- dalje në Shqipëri. "Njëkohësis­ht, gjatë kësaj periudhe, nuk është konstatuar as nga QNOD e as nga Policia Kufitare asnjë rast i dyshimtë, i ndonjë mjeti lundrues që të ketë lundruar në drejtim të Greqisë apo të vendeve të tjera fqinje. Policia Kufitare shkëmben në vijimësi informacio­n me homologët, me qëllim parandalim­in dhe goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet kufijve", tha zyrtarisht Policia e Shtetit. Ndërsa sqaroi faktin se më 15 gusht, në Sarandë, ka hyrë një mjet lundrues, jaht, me emrin "Dream", me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje- dalje dhe mjeti është kontrollua­r konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues të kapur me drogë në Greqi.

 ??  ?? Droga e trafikuar në Greqi me velierë
Droga e trafikuar në Greqi me velierë
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania