Panorama (Albania)

Mali i Shëngjinit u dogj qëllimisht, 2 të arrestuar

Flakët vihen nën kontroll nga Ushtria e forcat zjarrfikës­e

- e. h

Zjarri në malin e Shëngjinit, që vuri në rrezik banesa e biznese, ka qenë i qëllimshëm. Në këtë konkluzion ka dalë Policia e Lezhës, e cila ka arrestuar në flagrancë dy persona për zjarrvënie të qëllimshme. Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale M. I., 34 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin dhe A. U., 24 vjeç, banues në Shëngjin. Sipas Policisë së Lezhës, këta dy shtetas, në bashkëpuni­m me njëritjetr­in, rreth orës 21: 45, të datës 22 gusht, në malin e Shëngjinit te "Lugu i Lemes", dyshohet se i kanë vënë zjarrin malit, me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje. Ky zjarr më pas ka marrë përmasa të mëdha duke djegur disa hektarë bimësi e pisha, si dhe ka rrezikuar banesa e jetë njerëzish. Ata akuzohen për veprën penale "Shkatërrim prone me zjarr", kryer në bashkëpuni­m. Gjithashtu, u referuan materialet hetimore për procedim penal edhe ndaj shtetasit me iniciale K. M., banues në Tresh të Lezhës, sepse dyshohet se i ka vënë zjarrin një sipërfaqej­e toke, rreth 500 metër katror, ku nga zjarri është djegur edhe rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij. Ndërkohë, pas disa orësh luftë me flakët, vatrat e zjarrit në malin e Shëngjinit janë vënë nën kontroll, por nuk janë shuar plotësisht. Reshjet e shiut të një natë më parë kanë ndikuar pozitivish­t në shuarjen e flakëve. Ende ka vatra të vogla zjarri që mund të riaktivizo­hen. Në terren ndodhen rreth 50 forca ushtrie, 3 zjarrfikës­e dhe shërbimi pyjor për çdo situatë të mundshme. Zjarri që zgjati për dy ditë shkaktoi një dëm të madh, duke shkrumbuar dhjetëra hektarë pyll me pisha dhe shkurre, ndërsa u rrezikuan banesa e biznese në këtë zonë turistike. Zjarri i përmasave të mëdha është shfaqur në malin e Shëngjinit në afërsi të Portit që prej mbrëmjes së tri ditëve më parë. Flakët janë parë rreth orës 22: 00 të mbrëmjes së të enjtes dhe në një kohë të shpejtë janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderue­shme. Banorët e alarmuar kanë njoftuar menjëherë autoritet në lidhje me zjarrin, ndërsa ka shkaktuar frikë dhe panik tek ata. Po nga ana tjetër, gjatë ditës së djeshme janë dëgjuar edhe shpërthime, pasi flakët janë afruar edhe pranë një reparti ushtarak. Për shuarjen e flakëve në Shëngjin u angazhuan zjarrfikës­it e Lezhës, por dhe shërbimi pyjor. Ndërhyrja me mjete rrethanore ishte e kotë, pasi zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë që kishte në zonë. Duke parë situatën që po përkeqësoh­ej, paraditen e së premtes, autoritet lokale kërkuan mbështetje­n e forcave të Ushtrisë dhe zjarrfikës­ve të rretheve të tjera. Ushtria dhe punonjësit e shërbimit pyjor po punojnë prej disa orësh me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve, që në disa raste iu afruan bizneseve dhe banesave, ndërsa në rrezik janë dhe varrezat publike të Shëngjinit. Ndërkohë, të premten në terren ndodheshin 10 makina zjarrfikës­e të ardhura nga Tirana, Kurbini, Mati dhe Mirdita. Ato ishin vendosur pranë banesave dhe bizneseve, duke qëndruar në gatishmëri për t'i mbrojtur nga flakët që po i afroheshin gjithnjë e më shumë zonës së banuar. Zjarri i rënë në malin e Shëngjinit ka larguar shumë pushues nga kjo zonë turistike. Nga frika, ata kanë ndërprerë pushimet dhe janë larguar për në banesat e tyre.

 ??  ?? Pas shuarjes së zjarrit në malin e Shëngjinit
Pas shuarjes së zjarrit në malin e Shëngjinit
 ??  ?? Zjarri në malin e Shëngjinit
Zjarri në malin e Shëngjinit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania