Panorama (Albania)

Trump: Në G7 e ardhshme do ta ftoj patjetër Putinin

Trump shmangu seancën për klimën: S’do humb pasuri për mullinj ere

-

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka sugjeruar se ai do të ftojë patjetër Presidenti­n e Rusisë, Vladimir Putin, në samitin e ardhshëm të G7, i cili do të mbahet në SHBA.

Trump ka përmendur se nuk ka një vend më të përshtatsh­ëm për të mbajtur një samit të tillë, sesa resorti i golfit në pronësinë e tij, “National Doral Miami Golf Resort”, në Florida. Edhe pse kjo do të mund të konsideroh­ej si një shkelje e etikës kushtetues­e, pasi Presidenti nuk mund të përfitojë personalis­ht nga pozicionit i tij në krye të SHBA, Trump tha se ai nuk do të përfitonte asgjë nga mbajtja e këtij samiti në resort, ndryshe nga analizat në disa media amerikane mbi këtë çështje.

Presidenti amerikan, i cili edhe në samitin e fundit të G7 që u mbajt në Francë ka përsëritur disa herë se do të ishte mirë që të ishte ftuar edhe Rusia, tha se ka gjasa që kjo të ndodhë në samitin e ardhshëm, i cili do të organizohe­t prej tij. Trump sugjeroi se Putin mundej që “psikologji­kisht” të mos donte të merrte pjesë, pasi Rusia ishte dëbuar nga grupi, dikur G8, pas aneksimit të Krimesë. Por edhe për këtë pikë ka mbrojtur qëndrimin e rusëve. Ai tha se ishte faji i pararendës­it të tij në Presidencë, Barak Obamës, që Rusia ishte lejuar të aneksonte Krimenë. Trump tha se nuk i “bëhet vonë” nëse afrimi i Rusisë në G7 e dëmton atë politikish­t. “Nuk e bëj këtë për arsye politike”, tha ai duke shpjeguar më pas se e bënte këtë për të mirën e Amerikës, pasi do të ishte më mirë që Rusia të ishte “brenda tendës, sesa jashtë saj” si një fuqi ekonomike.

Në samitin e fundit, Trump ka evituar pjesëmarrj­en në një seancë të dedikuar për ndryshimet klimatike, duke shkruar se kishte konflikte me agjendën. Por mungesa e pjesëmarrj­es së tij besohet se ka shumë më tepër lidhje me qëndrimin e izoluar që ka Presidenti amerikan në lidhje me rrezikun e klimës nga industrial­izimi. Ndërsa liderët e tjerë ishin të pranishëm, karrigia e Trump ishte bosh në këtë seancë. Por ai ka folur në një konferencë për mediat. I pyetur për krizën e klimës, ai tha se e cilëson veten si ambientali­st, se e do ajrin dhe ujin më të pastër, por gjithashtu dëshiron që SHBA ta ruajë pasurinë e saj të madhe. “Unë e kam gjallëruar atë pasuri. Dhe nuk do ta humbas atë. Nuk do ta humbas për ëndrra, mullinj ere, që sinqerisht nuk po funksionoj­në shumë mirë”.

Qeveria Franceze, organizato­rja e samitit të G7 të këtij viti, ka lëshuar një dokument pas përfundimi­t të punimeve në emër të drejtuesve të shtatë vendeve në këtë takim: Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kanadaja, SHBA, Mbretëria e Bashkuar. Dokumenti nuk përfshin diskutimet mbi Amazonën dhe ndryshimin e klimës, dhe përqendroh­et në tregtinë, Iranin, Ukrainën, Libinë dhe Hong Kongun. “Drejtuesit e G7 dëshirojnë të theksojnë unitetin e tyre të madh dhe frymën pozitive të debateve të tyre”, thuhet në dokument. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ka pasur shumë tensione dhe shumë konflikte këtë vit në samitin e G7. Ai shtoi se bie dakord me Trump në lidhje me faktin se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se shpreson që SHBA- ja dhe Kina të arrijnë sa më shpejt një marrëveshj­e tregtie, pasi paqartësit­ë ekonomike janë të dëmshme për të gjithë ekonominë botërore.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania