Panorama (Albania)

Florenc Çapja ofron para në këmbim të lirisë, Gjykata shtyn vendimin

Në 2006, u hakmor për vrasjen e xhaxhait të tij, duke i bërë atentat Fadil Memës. Dosja rihapet pas 13 vitesh nga përgjimet

-

Ofroi garanci pasurore për t'u hetuar i lirë, Gjykata shtyn me një muaj vendimin për Florenc Çapjan.

37- vjeçari është një emër i njohur për botën e krimit, pasi dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje të rënda. I njohur si "i forti" i fisit Çapja në Elbasan, ai u arrestua më 14 qershor pas një operacioni të koduar "Krasta", ku bashkë me të përfunduan në pranga dhe disa persona të tjerë. Çapja akuzohet për një ngjarje të ndodhur 13 vite më parë, ku tentoi të vriste ish- shefin e Policisë Rrugore në Elbasan. Vetë 38- vjeçari nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore, ndërkohë që përmes avokatit, ka kërkuar që të hetohet jashtë qelisë së paraburgim­it. Madje, për këtë gjë, ka ofruar dhe garanci pasurore. Përveç kësaj, avokati Reshat Fana ka ngritur pretendimi­n se, prokurori i çështjes, Ritvan Sukaj, nuk i ka vënë në dispozicio­n të dhënat hetimore, duke bërë që seanca të shtyhet më 20 shtator. Ndaj Florenc Çapjas janë ngritur akuzat për "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpuni­m e mbetur në tentativë" dhe "Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit". Rihapja e dosjes për ngjarjen e vitit 2006 ka ardhur pas fakteve të reja që kanë dalë në dritë nga mbajtja në përgjim e Florenc Çapjas. Sipas përgjimeve, 38- vjeçari është personi që tentoi të vrasë me armë zjarri ish- kreun e Policisë Rrugore në Elbasan, Fadil Mema. Kjo është hera e tretë që ai arrestohet për këtë ngjarje. Fillimisht, u arrestua një ditë pas plagosjes së Memës, por më pas u la i lirë për mungesë provash. Më tej, katër muaj pas lirimit, u arrestua sërish, por përsëri për mungesë provash, gjykata e la të lirë. Atentati ndaj Memës erdhi si hakmarrje, pasi nipi i tij akuzohej nga fisi Çapja për ekzekutimi­n e Sokol Çapjas, xhaxhait të Florencit. Pas atentatit, familja Mema u largua në Itali, por në 13 mars të 2015, Fadil Mema u qëllua për vdekje në Torino, me 6 plumba pistolete. Në atë kohë, ngjarja ndodhi pranë banesës ku ai jetonte me bashkëshor­ten dhe dy fëmijët. Konflikti i nisur në vitin 2005 mes Sokol Çapjas dhe Dritan Shemes vijon edhe pas më shumë se 14 vitesh, duke shkaktuar me dhjetëra viktima. Çapja dhe Sheme u përfshinë në një konflikt, që më pas solli vrasjen e Sokol Çapjas. Florenc Çapja në atë kohë u kthye nga emigracion­i për të marrë hak për xhaxhain e tij, duke i bërë atentat Fadil Memës. Ndërsa Dritan Sheme u vra po atë vit në Tiranë, ku qëndronte i fshehur. Përveç këtyre ngjarjeve ka pasur dhe persona të tjerë të ekzekutuar si shkak i sagës së hakmarrjev­e. Ngjarja më e fundit është masakra e ndodhur në vitin 2016, ku ndaj disa pjesëtarëv­e të fisit Çapja pati atentat, duke lënë tre persona të vdekur dhe tetë të tjerë të plagosur.

 ??  ?? Fadil Mema, ish shefi i Policisë Rrugore në Elbasan
Fadil Mema, ish shefi i Policisë Rrugore në Elbasan

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania