Braho ka sulmuar edhe Agron Tufën
Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, është përplasur edhe me një tjetër institucion që merret me të kaluarën komuniste të vendit tonë. Konkretisht, Braho ka patur më parë përplasje të forta edhe me Agron Tufën, kreun e Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Në një mbledhje të Komisionit të Ligjeve, të zhvilluar në datën 1 prill 2019, ku në rendin e ditës ishte miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së ISK- së, Braho akuzoi Tufën se ka shumë helm brenda tij. "Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte, unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës, derisa t'i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij. Ky institut, me Agron Tufën në krye, është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar, duke marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët, dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, nuk ka pse ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligjin që kemi miratuar", ka thënë deputeti socialist Spartak Braho. Nga ana tjetër, Agron Tufa reagoi në atë kohë nëpërmjet një postimi në "Facebook" ku kishte theksuar se: "Miq të nderuar, dhuratën më të çmuar sot për datëlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash përfaqësuesi i zi i ish- Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë, ta dinë të gjithë se si na rrezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit!".