PD: Bashkia i jep leje deputetit për kat shtesë
"Përfitoi edhe ish- deputeti socialist me kullën në bllok"
Partia Demokratike akuzoi dje Bashkinë e Tiranës se ka dhënë leje për shtesë kati për zyrtarë të Partisë Socialiste. Ish- deputetja Oriola Pampuri, në një deklaratë nga selia blu, denoncoi edhe dy raste ku një deputet dhe një ish- deputet i PS- së po shtojnë kate pallati. "Kjo është pamja në një nga ndërtesat më të larta të Tiranës, Sky Tower, pronë e ish- deputetit socialist, Vladimir Kosta. Mbi këtë ndërtesë, në zemër të kryeqytetit, po hedh shtat një ose më shumë kate. Ndërkohë që një qytetar i thjeshtë i Tiranës nuk ngul dot një gozhdë në shtëpinë e tij, se përfundon në burg, oligarku i Ramës ndërton pa iu prishur fare terezia në zemër të kryeqytetit. Nëse Erion Veliaj i ka dhënë lejen, atëherë duhet të bëjë transparencë se si një ish- deputet i Rilindjes ndërton një ndërtesë mbi ndërtesë?! Por marrëzia me ndërtimet e luksit të pushtetarëve të Rilindjes nuk ka të ndalur. Në këtë foto është një tjetër objekt banimi në kryeqytet, ku po hedh shtat një tjetër pallat mbi pallat. Qytetarët e alarmuar kanë denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Robert Bitri, që po ndërton një kat shtesë në këtë objekt banimi që jo vetëm shton betonin në Tiranë, por rrezikon jetën e qindra banorëve që jetojnë në këtë objekt. Veliaj, edhe në këtë rast, hesht dhe ndërsa dërgon në qeli baballarë që rregullojnë çatitë e banesave të fëmijëve të tyre, mbyll sytë ose më keq i jep leje oligarkut të radhës, që të ndërtojë një kat luksi për veten e tij", theksoi Pampuri duke shtuar se "Partia Demokratike ka një plan të qartë për t'i dhënë fund këtij masakrimi të pronës publike dhe një program të plotë për ta kthyer Tiranën dhe të gjithë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe në shinat e ligjshmërisë. Për ta bërë këtë duhet të heqim nga themelet betonin e së keqes që është ulur sot në qeveri, Edi Ramën dhe bandën e tij të ' Rilindjes'".