Gjendet i vdekur në banesë vëllai i vrasësit të “të fortit” të Tiranës
Uliks Gjenerali jetonte prej disa kohësh në Lukovë, vendin e origjinës së babait. Dyshohet se ka pësuar arrest kardiak
Uliks Gjenerali ( Gjinarari), vëllai i autorit të vrasjes së "të fortit të Tiranës", Naim Zyberi, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.
46- vjeçari u gjet i vdekur në banesën e tij në Lukovë, vendi i origjinës së familjes së tij. Rrethanat e vdekjes mbeten të paqarta, ndërsa trupi i pajetë i Gjinararit është gjendur nga djali i tij adoleshent. Policia e Sarandës, pasi mbërriti në vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave, ndërkohë trupi është dërguar në morgun e Spitalit të Sarandës ku do të kryhet dhe autopsia për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Ka qenë një telefonatë në orën 12: 00 të së hënës ku kërkohej ndihmë nga Policia dhe Spitali. Mësohet se i biri kishte shkuar për ta kontrolluar, duke menduar se ishte ende në gjumë. Por, më pas, ka konstatuar se i ati nuk po bënte asnjë reagim, pavarësisht thirrjeve të tij. Pas njoftimit në sallën operative të Sarandës, shërbimet Policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. 46vjeçari është babai i një djali 14- vjeçar, i cili mban dhe emrin e gjyshit të tij kampion kombëtar në mundje. Prej disa vitesh, familja e Uliks Gjeneralit ishte vendosur në Lukovë, ku mësohet se kanë dhe një plazh privat në Shpellë të Lukovës. Vëllai i Uliksit, Gert Gjinarari ka vetëm pak muaj që ka fituar lirinë. Ai u la i lirë në shkurt të këtij viti, pas 19 vitesh burgim. Uliks dhe Gert Gjinarari janë fëmijët e kampionit të mundjes, Stefan Gjinarari. Ndonëse vëllai i tij është dënuar për një ngjarje të bujshme, vetë Uliks Gjenerali nuk ka qenë person me precedent penal. Lidhur me shkakun që mund të kenë sjellë vdekjen e papritur të 46- vjeçarit, dyshohet se kjo mund të ketë ardhur nga arresti kardiak. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndikuar abuzimi me pijen alkoolike apo substanca narkotike, por këto pritet të vërtetohen nga autopsia që po kryhet në Spitalin e Sarandës.