Plani i PS për zgjedhjet e pjesshme në Shkodër, KQZ- ja do t’i kërkojë datë të re Presidentit
RUDINA HAJDARI NE KUVEND: TE BASHKOJME TE DJATHTEN
Zgjedhjet e pjesshme në Shkodër janë një marrëdhënie mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Presidentit të Republikës. Menjëherë pas konstatimit të vakancës në Bashkinë e Shkodrës, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës, prefekti i Shkodrës, Çesk Millja, iu drejtua KQZ- së për të nisur procedurën e zgjedhjes së kryetarit të ri të bashkisë.
Burime nga Partia Socialiste thanë për gazetën “Panorama”, se në selinë rozë interpretimi i kësaj çështjeje ka përfunduar, sepse kjo është një marrëdhënie institucionale mes KQZ dhe Presidentit. Sipas të njëjtit burim, PS nuk do të bëjë asnjë ndërhyrje ligjore për shkak të zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër, në një kohë kur Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore do të adresojë çështje themelore të zgjedhjeve. Me t’u kthyer në detyrë, pas pushimeve të verës, KQZ do të duhet të marrë në shqyrtim kërkesën e prefektit të Shkodrës për zëvendësimin e kreut të bashkisë përmes zgjedhjeve të reja. Pasi të konstatojë vakancën në këtë bashki, KQZ do t’i kërkojë kreut të shtetit të caktojë një datë për zgjedhje të pjesshme në Shkodër. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS- së, Taulant Balla, tha dje se për Shkodrën duhet të merren vesh KQZ dhe Presidenti, si një marrëdhënie e konsoliduar për zgjedhje të pjesshme. “Nuk është hera e parë që në Shqipëri bëhen zgjedhje të pjesshme. Janë bërë zgjedhje të pjesshme në Dibër dhe në Kolonjë. Partitë garojnë, por është KQZ dhe Presidenti që vendosin. KQZ ka të gjithë autoritetin, pasi kthehet nga puna që të vendosë për datën. Prefekti i Shkodrës ka konstatuar vakancën e krijuar dhe është KQZ që vendos për datën. Data 13 tetor për ne nuk ka kuptim, nuk do të thotë asgjë”, tha Balla. Për KQZ- në, nëse Prokuroria do të kishte kërkuar shkarkimin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetrit, për shkak se prekej nga ligji i dekriminalizimit, zgjedhjet e pjesshme do të donin vetëm një datë të shpallur nga vetë ajo. Por në kushtet e sotme, është vetëm Presidenti i Republikës që ka atributin për t’i shpallur ato.
PRESIDENTI Kreu i shtetit pritet t’i përgjigjet KQZ- së pas kërkesës që kjo e fundit do të bëjë për një datë për zgjedhje të pjesshme në Shkodër. Por deklaratat e tij për të parë datën 13 tetor si shansin e fundit për zgjidhjen e krizës politike në vend, nuk lënë shumë hapësirë që kreu i shtetit të caktojë një datë tjetër për zgjedhje të pjesshme në Shkodër. “Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jorastësore, sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Europian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy fraksioneve politike do të kishte qenë e pashmangshme. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e Kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit dhe është për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës. Për të kuptuar parregullsinë, ju them se në 61 bashkitë, në të cilat u votua, fituan socialistët, sepse nuk kishin kundërshtarë përballë si gjatë regjimit komunist”, u shpreh Presidenti Meta pak ditë më parë për mediat italiane. Presidenti i Republikës nuk pritet të caktojë një datë tjetër, përveç asaj të 13 tetorit, ndërsa maxhoranca nuk e njeh 13 tetorin si datë zgjedhore, duke i bërë zgjedhjet të pamundura. Në këtë pikë, interpretimi i këtij ngërçi do të bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, e cila deri në ngritjen dhe shqyrtimin e këtij rasti do të lërë në fuqi Voltana Ademin në detyrë dhe Këshillin Bashkiak të majtë në funksion të plotë në Bashkinë e Shkodrës.