Strategjia e opozitës, denoncime dhe protesta
Shehi: Protestat do jenë edhe më të mëdha dhe më agresive
Partia Demokratike do ta bazojë strategjinë e saj opozitare në kontaktet me ndërkombëtarët dhe protestat qytetare në çdo qytet të vendit.
Selia blu ka përgatitur një raport për 30 qershorin, që do t'ia paraqesë partnerëve ndërkombëtarë. Burime nga selia blu pohojnë se raporti ka të detajuara shkeljet dhe paligjshmëritë në zgjedhjet e 30 qershorit me prova konkrete që implikojnë Partinë Socialiste. Mësohet se fillimisht raporti i PD- së i është dorëzuar misionit ndërkombëtar të vëzhguesve të OSBE- ODIHR- it. Por, mësohet se paralelisht me PD, edhe LSI ka përgatitur një raport të ngjashëm mbi zgjedhjet e 30 qershorit, që sipas eksponentëve të kësaj partie, po ashtu përmban prova se në 30 qershor, zgjedhjet u manipuluan. Mësohet se të dyja raportet faktike të bëhen publike vetëm pas raportit përfundimtar që ODIHR do të publikojë për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, të cilat u zhvilluan pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Por nuk mungojnë dhe përgatitjet e strukturave të PD- së në këtë nisje të sezonit të ri politik. Kryedemokrati Basha mblodhi dje në mbrëmje në selinë e PD- së gjithë të deleguarit e partisë së tij në qarqe, ku çështje e diskutimit ka qenë riorganizimi i strukturave të PD- së. Mësohet se përparësi për plotësimin e strukturave të demokratëve do të kenë të rinjtë dhe ata që kanë kontribuuar e themeluar Partinë Demokratike. Basha ka kërkuar që përfaqësuesit e PD- së të kenë komunikim të vazhdueshëm me personat që kanë reputacion/ influencë në zonat e tyre, në mënyrë që ata të bëhen pjesë e strukturave të partisë. Ndërkohë që tashmë është jashtë institucioneve të vendit, jashtë pushtetit vendor, opozita do të veprojë si përfaqësuese e qytetarëve e zhveshur nga çdo pushtet.
PROTESTAT Sezoni i ri politik që sapo ka nisur, pritet të kulmojë me protesta në çdo qytet dhe në Tiranë, të cilat do të jenë të mëdha dhe agresive sipas eksponentëve të opozitës. Kreu i LZHK- së, Dashamir Shehi, mendon se rruga e protestës mbetet kryesorja për opozitën shqiptare, në kushtet e krizës politike. Gjatë emisionit "Top Talk" në Top Channel, Shehi paralajmëroi se protestat e opozitës do të jenë më të mëdha dhe më agresive. "Unë mendoj që rruga e protestës është kryesorja. Opozita ka shumë ' armë', ka prezencën mediatike, raportin me ndërkombëtarët, raportin me qytetarët. Por kjo opozitë si e jona, e cila është jashtë institucioneve, jashtë zgjedhjeve, jashtë të gjitha pushteteve, armën më të madhe ka rrugën. Kjo do të mbetet kryesorja. Sigurisht që protestat do të jenë edhe më të mëdha dhe më agresive, por ndërkohë që do t'u ofrojmë shqiptarëve edhe një platformë jo vetëm se si dilet nga kjo krizë, por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes", deklaroi Shehi. Përveç platformës për shqiptarët, aleati i Lulzim Bashës theksoi se opozita duhet të krijojë një raport të ri me ndërkombëtarët, të cilëve duhet t'u shpjegojë më mirë se çfarë ndodh në vend. Si dhe të jetë më e zëshme në mbështetjen për reformën në drejtësi." Ne kemi për detyrim t'u shpjegojmë ndërkombëtarëve se çfarë po ndodh në Shqipëri. Unë e shoh që nuk e kuptojnë, pasi janë nën presionin e Edi Ramës. E dyta është qe ne t'i krijojmë ndërkombëtarëve idenë, që duhet t'ua krijojmë të gjithë shqiptarëve, që ne jemi alternativa. Një tjetër pikë është që ne jemi për reformën në drejtësi. Unë jam për reformën në drejtësi. Jam i bindur që Edi Rama po e kontrollon reformën në drejtësi. Pse po e kap, sepse është ky, ky, ky, të gjitha veglat e Edi Ramës. Ne brenda opozitës duhet të kuptojmë se ndërkombëtarët kanë agjendën e tyre, që është reforma në drejtësi", tha Shehi.