Rama, studentëve: Aplikoni për punë në administratë
“Prurje të re në administratë, duke filluar me ekselentët e 2015”
Kryeministri Edi Rama publikoi thirrjen e dytë të tij për punësimin e studentëve ekselentë në administratën publike. Në një status në rrjetin social “Facebook”, ai bëri të ditur se është çelur thirrja e dytë, “Një tjetër mundësi për më të mirët, që të punojnë në administratën shtetërore, vetëm në bazë të meritës”. Sipas zotit Rama, pas rezultatit pozitiv shumë inkurajues të Thirrjes së Parë, “gati për një tjetër prurje të re në administratë dhe këtë herë duke e shtrirë rrezen deri tek ekselentët e vitit 2015”. Gjithçka bëhet në kuadrin e “Paktit për Universitetin” dhe “Shqipërisë që Duam”. Këshilli i Ministrave miratoi në fund të vitit të kaluar vendimin për punësimin e 1 mijë studentëve ekselentë në administratën publike, pa konkurs. Sipas vendimit, për të gjitha pozicionet vakante specialist, në të gjitha degët e administratës, duke nisur që nga 1 janari 2019, studentët ekselentë do të kenë prioritet për t’u punësuar të parët. Më të favorizuarit janë studentët e diplomuar në universitetet në një nga vendet anëtare BE- së, më pas studentët e ekselentë do të punësohen në administratën publike, pa konkurs, sipas vendimit të qeverisë të marrë në fund të dhjetorit të kaluar, pas protestës njëmujore të studentëve diplomuar në universitetet publike në Shqipëri dhe në fund studentët e diplomuar në universitetet private. “Për vitin 2019, pozicionet vakante specialist dhe të barasvlefshëm në institucionet e administratës shtetërore jashtë shërbimit civil të plotësohen me prioritet nga studentët e ekselencës të diplomuar duke filluar nga viti 2017 e në vijim, nëpërmjet punësimit të tyre me kontratë të përkohshme 1 ( një)- vjeçare. Përjashtohen nga ky rregull pozicionet e kësaj kategorie për të cilat legjislacioni specifik përcakton kritere të posaçme në lidhje me vjetërsinë dhe zotërimin e certifikimeve të ndryshme”, thuhet në vendim. Vendimi tashmë plotësohet më tej me aktin e djeshëm, duke krijuar të gjitha kushtet ligjore që studentët ekselentë të bëhen pjesë e administratës.