Akuza për pastrim parash, pushohen hetimet ndaj Shullazit dhe Beqjes
Të pafajshëm u gjetën dhe gjyqtarët e Durrësit, të cilët dyshohej se kishin shpërdoruar detyrën me një vendim për çështjen "Vollga"
Një hetim i nisur në dhjetor të 2018- ës për pastrim parash ndaj Emiljano Shullazit dhe Ylvi Beqjes, është pushuar pa dhënë rezultat nga Prokuroria e Tiranës.
Pushimi i hetimeve është bërë edhe me vendim të Gjykatës, e cila në 27 qershor ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për mbyllje të hetimeve. Procedim i shënuar me bujë në Akuzën e kryeqytetit, rreth 10 muaj më parë, ka dalë në përfundimin se nuk ka elemente të veprës penale dhe për këtë, hetimet duhet të mbyllen. Njëkohësisht me Shullazin dhe Beqjen, në këtë procedim, u hetuan për "Shpërdorim detyre" edhe tre gjyqtarët e Gjykatës së Durrësit, Vladimir Skënderi, Dhurata Billo e Ndue Gjura. Gjyqtarët u verifikuan për veprimet e tyre në dhënien e një vendimi ku urdhëronin hipotekën të regjistronte Vollgën në favor të një prej pronarëve pretendentë, në një kohë që procesi ishte në Gjykatën e Lartë. Në përfundim të verifikimeve, duket se nuk janë vërejtur shkelje të gjyqtarëve.
HETIMET Prokuroria e Tiranës, në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, shënoi procedimin penale numër 10159/ 2018, duke verifikuar pasuritë e Shullazit dhe Beqjes. Ky i fundit u thirr në Prokurori gjatë dhjetorit 2018, për të dhënë dëshminë e tij para hetuesve. Hetimi nisi disa javë pas dënimit të Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë, si pjesë e grupit të tij, për disa vepra penale.
BASHKËPUNIMI Ka qenë dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ylvi Beqjes që ka rënduar më shumë pozitat e Emiljano Shullzit dhe 4 të dënuarve të tjerë në Gjykatën për Krime të Rënda. Beqja ka dëshmuar se është kërcënuar nga Shullazi dhe anëtarë të grupit të tij për dhënien e tri çeqeve. Ndërkohë që ka pranuar se ka qenë ai vetë qe e ka kontaktuar Emiliano Shullazin për ta ndihmuar me procesin ndaj Vollgës. Shullazi, gjatë procesit, nuk ka pranuar të ketë kërcënuar Beqjen, ndërsa ka shtuar se ai e ka kontaktuar atë, sepse ndihej i kërcënuar dhe kërkoi mbrojtje.
DËNIMI Me gjithë pretendimet e palëve, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata për Krimeve të Rënda dha dënimin me 14 vite burg për Emiljano Shullazin, duke e dënuar me 12 vite burg për gjobëvënien ndaj Ylvi Beqjes, 10 vite për Jani Zakën dhe 8 vite për grupin e strukturuar kriminal. Ndërkohë, i konsideruari si krahu i djathtë i Shullazit, Gilmando Dani, u dënua me 11 vite burg. Sipas Prokurorisë, ai ka qenë mbështetës në veprat penale të kryera dhe një nga kryesorët, si dhe njëri i afërt i Emiljano Shullazit. Ndërkohë, për Endrit Qyqen dhe Endrit Zelën, Gjykata dha nga 10 vite burg për secilin. Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit kanë qenë në rolin e personave që kanë ndihmuar në arritjen e qëllimit kriminal. Një nga episodet e sjella nga organi i akuzës për implikimin e tyre ka qenë një video, ku dy të pandehurit shihen përballë shtëpisë së Beqjes, i bien ziles dhe pyesin dikë nëse ishte në shtëpi dhe më pas largohen. Sipas organit të Prokurorisë, ata kanë shkuar aty për t'i ushtruar presion. Në fund, Gjykata dha 9 vite burg për Blerim Shullazin, i cili akuzohej për gjobëvënien ndaj Zakës dhe armëmbajtje pa leje. Prokuroria pretendoi se Blerim Shullazi është personi i cili ka kontaktuar drejtpërdrejtë me Jani Zakën dhe i ka thënë se duhet të shkonte të takonte Emiljano Shullazin.