Lirohet Gjergj Cukali, vrasja e ish- policit Bilali mund të mbesë pa autor
Një muaj më parë, Apeli shpalli të papërdorshëm materialin biologjik nga u përftua ADN, e vetmja provë që e mbante në burg
Prova e vetme që mbante Gjergj Cukalin në burg për vrasjen e ish- policit, Arben Bilali, është rrëzuar nga Gjykata e Apelit Tiranë rreth një muaj më parë.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, po kjo gjykatë ka vendosur të lehtësojë pozitat e Cukalit, duke e lënë atë në masën e sigurisë "Detyrim paraqitje". Në vendimin e Gjykatës, që ka siguruar gazeta "Panorama", argumentohet se materiali biologjik, pështymë, marrë në vitin 2018 nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, është marrë në kundërshtim me rregullat procedurale, duke e bërë të papërdorshme. Rrjedhimisht, thuhet në vendim, edhe krahasimi i bërë këtij materiali me atë të gjetur në një shishe plastike në makinën që kanë përdorur vrasësit e Bilalit, nuk mund të përdoret si provë. Ky vendim duket se ka qenë një mbrojtje e mirë për Gjergj Cukalin, i cili në kërkesën për ndryshimin e "Arrestit në burg", ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës detyrim për t'u paraqitur, ose atë të garancisë pasurore.
VENDIMI Mesditën e kësaj të mërkure, treshja gjykuese e Gjykatës së Apelit Tiranë, e përbërë nga gjyqtarët Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gentian Shala, vendosi të pranojë kërkesën e Gjergj Cukalit për t'u hetuar në gjendje të lirë. Mungesa e provave të tjera, përveç asaj të ADN- së, ka bërë që Gjykata të pranojë kërkesën e tij, për shkak se provat kanë qenë të pamjaftueshme. "Zëvendësimi i masës së sigurimit personal ' Arrest në burg', të caktuar për personin nën hetim, Gjergji Cukali, me vendimin Nr. 908 Regj. Themeltar, datë 01/ 06/ 2019 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, në një masë më të butë, si ajo ' Garanci pasurore'( në shumën një milion lekë) ose ' Detyrim për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore', të paraqitur në Policinë Gjyqësore", shkruhet në kërkesën e mbrojtjes. RRËZIMI I PROVËS Lirimi nga qelia i të njohurit si "i forti" i Tiranës, ka qenë fitorja e dytë e tij me drejtësinë, pas të parës më 29 korrik të këtij viti. Gjykata e Apelit Tiranë ka pranuar kërkesën e mbrojtjes së Cukalit për shpalljen e pavlefshëm të aktit të ekspertimit biologjik krahasues ADN dhe papërdorshmërinë e kampioneve biologjike marrë nga shishja me mbishkrimin "Spring". Gjatë hetimeve për vrasjen e ishpolicit Arben Bilali, në makinën e përdorur nga autorët u gjet një shishe ujë, nga e cila është përfituar një material biologjik, i cili me krahasimin e bërë me atë të Gjergj Cukalit, ka dalë i përputhshëm. Por, pavarësisht kësaj, shkelja e procedurës gjatë marrjes së materialit biologjik Cukalit, e bën të papërdorshme këtë provë. "Gjykata e Apelit Tiranë vlerëson se rezultati i marrjes së kampionit biologjik të pështymës së personit nën hetim, Gjergj Cukali, në datën 12.04.2018, është i papërdorshëm në kuptim të paragrafit 14 të nenit 201/ a të Kodit Procedurës Penale dhe për rrjedhojë për të njëjtin shkak ligjor, është i papërdorshëm edhe akti i ekspertimit krahasues të ADNsë nr. 5539, dt. 30.05.2019 të Institutit të Policisë Shkencore", shkruhet në vendim. Në lidhje me kërkesën e mbrojtjes për papërdorshmëri të kësaj prove, ka qenë edhe prokuroria e Apelit. Sipas Gjykatës, marrja e materialit biologjik mund të bëhet në çdo kohë dhe Prokuroria do të duhet ta bëjë sërish në respektim të ligjit. "Gjykata e Apelit Tiranë çmon se akti objekt kërkimi është një veprim procedural që mund të kryhet në çdo kohë dhe organi i procedimit penal duhet të marrë, në respektim të plotë të procedurës së parashikuar në nenin 201/ a të Kodit të Procedurës Penale, kampionin e pështymës së personit nën hetim, Gjergj Cukali, me qëllim të përcaktimit të profilit të ADN- së. Pas këtij veprimi hetimor, rezultati i përfituar duhet t'i nënshtrohet një ekspertimi të ri për ta krahasuar me profilin gjenetik të përfituar nga shishja me mbishkrimin "Spring", marrë gjatë këqyrjes se mjetit me targë AA757RU", shkruhet në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.