PD, në përkujtimin e kryengritjes së Postribës
Basha: Pasardhësit e xhelatëve po kujtojnë me krenari masakrat
Kreu i PD- së, Lulzim Basha, përkujtoi dje 73- vjetorin e Kryengritjes se Postribës. Me një mesazh në faqen e tij në "Facebook", Basha thekson se "Sot, në vend të ndjesës, po shohim një paradë krenarie të xhelatëve, e cila fatkeqësisht ka frymëzim shtetëror". Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kryetarja e Lëvizjes Demokratike të Gruas Shqiptare, Albana Vokshi, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, përfaqësues të familjeve, që morën pjesë në kryengritjen e Postribës, përfaqësues të shoqatave antikomuniste në Shqipëri dhe të pushtetit lokal morën pjesë në përkujtimoren e 73- vjetorit të Kryengritjes së Postribës. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë përkujtimore në emër të PD- së, sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi, tha se 73 vite më pas, Kryengritja e Postribës na thërret për të luftuar për lirinë, për të mos pranuar sundimin. "Pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare përkujtimin e masakrave shtetërore dhe po synojnë të nxjerrin nga diskursi publik përkujtimin e qëndresës ndaj diktaturës dhe të heronjve që ranë në përpjekje për liri e dinjitet", shkruan Basha. Sipas tij, bijtë e nomenklaturës komuniste po mundohen ta lënë në harresë masakrën e Postribës. "Në 73- vjetorin e Kryengritjes madhështore të Postribës, më duhet të pranoj se kjo krenari e xhelatëve fatkeqësisht ka një frymëzim shtetëror. Struktura të shtetit janë angazhuar ethshëm për restaurimin e pushtetit të bijve të nomenklaturës dhe me forcën e propagandës e të strukturave të pushtetit po kërkohet të tulasin ish- të përndjekurit politikë, po tentohet t'i getoizojnë ata në cep, jashtë jetës publike, jashtë angazhimeve civile e jashtë përpjekjeve legjitime për të marrë pjesë në pushtet e në ndërtimin e shtetit", shkruan Basha. Sipas tij, pasardhësit e Postribës janë themelues të PD- së. "Pasardhësit e heronjve të Postribës, ata që themeluan Partinë Demokratike me idealin e Shqipërisë si Europa, janë krenarë për historinë e tyre dhe e kanë shndërruar atë në thesar, në një pasuri shpirtërore dhe mendore, që i ndihmon për ta kaluar edhe situatën aktuale. Sakrifica e heronjve të Postribës do t'i ndihmojë të gjithë shqiptarët patriotë ta fitojnë betejën tinëzare që pasardhësit e xhelatëve u kanë vënë përballë, atë të kthimit në Lindje", shkruan Basha.