PS, zgjedhje të brendshme, Kongresi mblidhet në janar
Partia Socialiste ka nisur procesin zgjedhor në të gjitha strukturat e saj. Deri në muajin nëntor do të bëhen zgjedhjet për kryetarët e organizatave socialiste, kryetarët e PS- së në çdo bashki, asambletë e bashkive dhe delegatët e Kongresit. Do të jetë Kongresi Zgjedhor i PS- së, i cili do të zgjedhë me votë Asamblenë e re Kombëtare, e cila më pas do të votojë për kryesinë dhe sekretariatin ekzekutiv të saj. Por, që të ketë një mbikëqyrje sa më të mirë të zgjedhjeve në të gjithë territorin, kryesia socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, vendosi që ta ndajë strukturën socialiste në tri rajone të mëdha, me nga katër qarqe secila. Monitorimi i tri rajoneve do të bëhet nga tri figurat kryesore të PS- së: Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla, i cili është dhe sekretari i përgjithshëm i PS- së dhe kryetar i Asamblesë Kombëtare. Kryetari i PS- së, Edi Rama, do të drejtojë rajonin Lezhë- Shkodër- Dibër- Kukës, ndërsa sekretari i përgjithshëm, Taulant Balla, do të koordinojë qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, do të jetë koordinatori i rajonit të Jugut, që përfshin qarqet e Fierit, Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Të gjithë drejtuesit politikë në të 12 qarqet, kryesisht ish- ministra, të cilët kanë drejtuar dy fushatat zgjedhore, ato parlamentare të 2017 dhe ato vendore të 2019, do të vijojnë punën e tyre organizative deri në mbledhjen e Kongresit Zgjedhor të PS- së në muajin nëntor. Por, ata do të jenë nën mbikëqyrjen e tre drejtuesve të PS- së, të shpërndarë në të gjithë vendin sipas rajoneve, të krijuara dje në kryesinë e PS- së. Kryesocialisti tha dje pas mbledhjes së kryesisë së PS- së se, edhe pse mori një rezultat mbi pritshmëritë e saj, e di shumë mirë çfarë potencialesh ka dhe se është i vetëdijshëm se ka ende shumë rezerva, duke lënë të kuptohet se do të ketë lëvizje të mëdha nga ana organizative në këtë parti.