Digjet makina e ish- kreut të PD- së së Vlorës e 2 të tjera
TIRANE - Tri makina janë djegur dje në orët e para të mëngjesit, pasi i është vënë flaka qëllimisht njërës prej tyre. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Hajredin Shtino", që ndodhet në zonën e "Don Boskos", në kryeqytet. Ndërsa Policia e Tiranës tha se, nisur nga provat e gjetura në vendngjarje, bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme. Fillimisht rezulton të jetë përfshirë nga flakët një automjet tip "Mercedes Benz", që nga verifikimet ishte ende i regjistruar në emër të Gramoz Nazërajt, ish- kryetari i Partisë Demokratike të Vlorës. Megjithatë, ky u i fundit, i pyetur nga oficerët e Policisë, ka pohuar se automjeti i djegur nuk është më i tij, pasi e ka shitur, por nuk e kishte ndërruar ende pronësinë. Përveç makinës që ishte edhe objekt i zjarrvënies, flakët kanë djegur edhe dy makina të tjera që ndodheshin të parkuara pranë në saj. "Gjatë orëve të para të mëngjesit, në rrugën ' Hajredin Shtino', është përfshirë nga flakët mjeti tip ' Benz', në pronësi të shtetasit G. N. Si pasojë kanë pësuar dëmtime të vogla edhe dy mjete të tjera që kanë qenë të parkuara në dy anët e tij. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ ve, pasi nga veprimet e para hetimore dhe provat e sekuestruara në vendngjarje, dyshohet se zjarri i vënë në mjetin në pronësi të shtetasit G. N, dyshohet i qëllimshëm. Materialet u referuan pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprën penale ' Shkatërrimi i pronës me zjarr'", tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës.