Zhdukja e kapitenit të jahtit luksoz, pronari: Kam humbur kontaktet
Ende asnjë gjurmë nga kapiteni që ishte në bord, Sevgin Yavuz. Telefonata e fundit me pronarin, më 6 shtator
Mbetet ende mister fati i pronarit të jahtit, Sevgin Yavuz, i cili u gjend i braktisur në thellësi të detit tri ditë më parë.
Mjeti lundrues vijon të qëndrojë i ankoruar në Portin e Shëngjinit, ndërsa policia e ka rrethuar me shirit që tregojnë se jahti është i bllokuar dhe po vijojnë hetimet. Ekspertët kriminalistë gjatë së hënës kanë këqyrur me imtësi mjetin lundrues për të gjetur gjurmët daktiloskopike të personave të tjerë, një provë kjo për të kuptuar nëse 31- vjeçari ka qenë i vetëm në mjet apo i shoqëruar nga persona të tjerë. Gjithashtu, ka nisur edhe verifikimi i qendrës së monitorimit të trafikut detar për të parë lëvizjet e jahtit dhe nëse gjatë kësaj kohe atij i është afruar tjetër mjet, çka do të ngrejë dyshime nëse kemi të bëjmë me një pengmarrje. Po ashtu, mësohet se grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, ka kërkuar të dhëna edhe nga shteti turk në lidhje me problemet që mund të ketë pasur biznesmeni në vendin e tij. Ndërsa mësohet se menjëherë sapo është mësuar lajmi, në Shqipëri kanë mbërritur edhe familjarët e 31- vjeçarit. Por deri tani mësohet se nuk ka ende një pistë konkrete për zhdukjen e biznesmenit.
Ndërkohë që dokumentet e gjetura në jaht mbanin emrin e Sevgin Yavuz, mjeti lundrues rezulton në pronësi të një tjetër personi. Bëhet fjalë për Nedim Akyuz. Policia dhe Prokuroria e Lezhës gjatë pasdites së djeshme ka marrë në pyetje Akyuz, i cili rezulton të jetë një biznesmen në fushën e tekstileve në Turqi. Ai ka ardhur për të tërhequr jahtin, por nuk është lejuar, pasi është provë materiale dhe është rrethuar me shirita në Portin e Shëngjinit deri në përfundim të hetimeve. Akyuz ka deklaruar para autoriteteve se, jahti është në pronësi të tij, por nuk ka qenë në bordin e mjetit. Sipas asaj çka ka dëshmuar para grupit hetimor, Sevgin Yavuz ishte në rolin e kapitenit dhe se ka qenë i vetëm në mjet dhe se nuk ka asnjë ide lidhur me rrethanat e zhdukjes së tij. Akyuz ka thënë se kontaktet me 31- vjecarin i ka humbur prej 6 shtatorit. Sipas tij, herën e fundit që ka komunikuar me të i ka thënë se ndodhet në ujërat shqiptare, por që deti ishte shumë i trazuar. Më pas ka tentuar që të lidhet sërish me të, por e ka pasur të pamundur.
Për turkun Sevgin Yavuz, Policia ka nisur kërkimet në bashkëpunim me homologët e saj në Ankara si dhe me Interpol Tirana, por ende nuk ka asnjë të dhënë lidhur me fatin e tij. Dyshimi kryesor lidhet me faktin se 31- vjeçari mund të jetë mbytur për shkak të ndonjë problemi shëndetësor, ndërsa peshkonte apo ndonjë avarie teknike në mjetin lundrues. Nga të dhënat e monitorimit të lundrimit të mjeteve, jahti “Atik Bey”, në datën 30 gusht ka qenë në Budva. Po në këtë datë, në Budva të Malit të Zi, ka qenë edhe pronari i saj, Nedim Akyuz, i cili ka postuar një foto në rrjetin social “Instagram”.
Tri ditë më parë, një peshkarexha, e cila kthehej në Portin e Shëngjinit, njoftoi se afro 11 milje nga Rodoni kishte pikasur një jaht, por pa persona në bord. Nga të dhënat e para është mësuar se për herë të fundit ky mjet është regjistruar në Portin e Tivarit në Malin e Zi, aty ku Yavuz ka qëndruar për disa ditë dhe në datën 2 shtator është larguar prej aty. Sinjali i fundit i përket 17: 42 minuta në afërsi të Budvës, ku dhe më pas komunikimi i tij me radar është fikur.