Panorama (Albania)

Turisti ndërhyn për të shpëtuar qenin, dhunohet nga dy të rinj

-

VLORE – Një turist rus që gjendet në Shqipëri prej disa muajsh, është dhunuar nga dy të rinj në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Ujit të Ftohtë dhe shkak mësohet se është bërë ndërhyrja e tij për të shpëtuar një qen, i cili po keqtrajtoh­ej nga dy adoleshent­ët. Në momentin që ka ndërhyrë për t’i ndaluar, dy të rinjtë e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar lëndime në disa pjesë të trupit. Pas kësaj, turisti ka denoncuar ngjarjen në Polici, ku ka kërkuar që të vihet në dijeni edhe ambasada ruse në Tiranë. “Ndodhesha në apartament­in tim, kur pashë disa persona, të cilët ishin duke dhunuar një qen. Zbrita nga apartament­i dhe iu afrova të rinjve e në momentin që nisa të bëja foto, dy prej tyre m’u afruan dhe nisën të më godisnin. U rrëzova, ndërsa pësova dëmtime te duart. Nuk doja të bëja asgjë, thjesht t’i ndaloja të rinjtë të bënin aktin e keqtrajtim­it të një kafshe, por vetëm për shkak të fotos që bëra më dëmtuan. Shkova në spital për t’u mjekuar dhe më pas bëra një denoncim në Polici për këtë ngjarje. Te Policia dhashë deklaratën time, ndërsa pres që Policia të kontaktojë me ambasadën time në Tiranë për këtë ngjarje, pasi kjo çështje mund të shkojë deri në proces gjyqësor. Një fletë, të cilën ma dha Policia, nuk e kam firmosur pasi pres që ajo të jetë në rusisht dhe të jetë e informuar edhe ambasada ime në Tiranë. Kam disa kohë që jetoj në Vlorë dhe Shqipëri, pasi më duket një vend i mrekullues­hëm, madje kam dëshirë të blej apartament­in tim për të jetuar këtu”, shprehet rusi Sergey Dzambula. Tashmë Policia e Vlorës konfirmon edhe nisjen e hetimeve për këtë ngjarje, ndërsa mësohet se janë identifiku­ar dy adoleshent­ët që e kanë dhunuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania