Panorama (Albania)

“Shkoi për të takuar një shok”, 27- vjeçari gjendet i vrarë në pyll

-

GJERMANI - Një emigrant shqiptar është gjetur i vrarë në një zonë pranë qytetit Lajpcig. Viktimë ka mbetur 27- vjeçari i identifiku­ar nga mediat gjermane si Ismail P. I riu mësohet se është qëlluar për vdekje me armë dhe thikë dhe më pas trupi është lënë në pyll. Ngjarja u zbulua nga një kalimtar që solli më pas edhe denoncimin e shoferit të taksisë për udhëtimin e pazakontë. Ai ka thënë në Polici se një i ri i kishte kërkuar në mes të natës ta dërgonte pranë një pylli në zonën e quajtur Dolauer Hide. Pikërisht në këtë zonë, katër ditë më pas, u gjet trupi i 27- vjeçarit i mbuluar me gjethe. Autorët e vrasjes janë zhdukur pa lënë gjurmën, ndërkohë që hetuesit po marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi atë që ka ndodhur. Sipas Policisë, Ismaili mund të jetë futur në kurth nga autorët, të cilët, pasi i kanë lënë takim në pyll, e kanë goditur në befasi. Ende nuk dihen arsyet që mund të kenë çuar në vrasjen e 27- vjeçarit, që njihej si boksier amator, i cili në ring thirrej “Mbreti”. Prokurori i çështjes u shpreh se kufoma ka plagë me thikë dhe me armë, të cilat i shkaktuan dhe vdekjen. Shoferi i taksisë ka rrëfyer se 4 ditë përpara se të gjendej trupi i të riut shqiptar, e ka shoqëruar atë deri në afërsi të vendit të ngjarjes. Shqiptari i kishte thënë taksistit se do të takonte një mik dhe do të kthehej ndaj duhet ta priste. 27vjeçari nuk u kthye më, por taksisti ka treguar se, i riu la një çantë me disa dokumente në makinë. Katër ditë pas udhëtimit të çuditshëm, trupi i shqiptarit u gjet nga një kalimtar i rastit i mbuluar me dhe gjethe në afërsi të një kanali të ujërave të zeza. “Ishte shumë konfuz. Më kërkoi që ta prisja se do të takonte një shok për disa minuta. Harroi dhe një çantë shpine me disa dokumente”, ka rrëfyer shoferi. Hetuesit po shohin të dhënat e sistemit GPS të taksisë për të krijuar një ide më të qartë mbi krimin e ndodhur. Deri tani nuk ka asnjë dyshim për përfshirje­n e vetë shoferit të taksisë në këtë ngjarje.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania