Panorama (Albania)

Eurogol i Memushajt, Manaj mund Baren e Sadikun me gol

-

Mesfushori i Kombëtares po gëzon një formë të mirë dhe atë që tregoi me kuqezinjtë ndaj Islandës, e ka bërë edhe dje në Serinë B italiane në sfidën që "delfinët" kanë barazuar 1- 1 ndaj Entelës. Madje, Memushaj ka qenë protagonis­ti kryesor me një eurogol nga goditja e dënimit. Një tjetër kuqezi që ka realizuar ka qenë Rei Manaj, në përballjen me Sadikun dhe Baren.

Seria B - Ledian Memushaj i ka shënuar Entelës me një goditje dënimi nga mbi 20 metra. Mesfushori i Kombëtares ka realizuar një eurogol, që ka dhënë një pikë për "delfinët" në javën e katërt të Serisë B. Sheneti realizoi në minutën e 32- të të pjesës së parë dhe shqiptari barazoi shifrat në minutën e 73- të të takimit. Ishte një goditje dënimi dhe ai kalibroi në mënyrë të shkëlqyer ekzekutimi­n e saj, duke e çuar topin në trekëndësh. Në sfidën tjetër, Frederik Veseli ka qenë titullar përgjatë gjithë ndeshjes që Empoli ka fituar 1- 0 përballë Çitadelas, me një gol të La Guminas në minutën e 4- t me penallti. Në skuadrën e Çitadelas, Vrioni e ndoqi ndeshjen nga stoli.

Memushaj - "Është keqardhje që nuk fituam, me gjithë dëshirën që patëm në këtë ndeshje dhe çfarë treguam. Bëmë mirë për të siguruar golin e barazimit, por nuk mjaftoi. Ata janë një skuadër shumë e organizuar, që bëjnë një futboll të tillë duke qenë mjaft kompaktë në fushë. Kjo na e vështirëso­i arritjen e rezultatit pozitiv. Dhe në ndeshje të tilla, kur nuk arrin që të fitosh, e rëndësishm­e është që të mos humbësh. Tani mendja në ndeshjen e radhës ndaj Çitadelas, një ndeshje e vështirë, por në të cilën do të futemi me mendimin dhe dëshirën e duhur për të siguruar rezultat pozitiv", ka deklaruar Memushaj në fund të ndeshjes. Ky ishte goli i parë për mesfushori­n kuqezi.

Derbi në Spanjë - Albasete mposhti Malagan në javën e shtatë të Ligës së dytë spanjolle, ku në përballjen mes 3 shqiptarëv­e, i fituar doli Rei Manaj. Sulmuesi i Kombëtares ishte në disavantaz­h numerik në derbin e shqiptarëv­e, teksa përballë kishte dyshen Bare- Sadiku. Mirëpo, sulmuesi lushnjar u bë vendimtar në këtë 90- minutësh, teksa në minutën e 66- të shënoi duke vendosur ndeshjen. Rei Manaj mori një pasim nga e majta dhe me këmbë u zgjat dhe e shtyu në fundin e rrjetës, duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtësve, për t'i dhënë avantazhin Albasetes ndaj Malagas. Manaj u ndëshkua edhe me kartonin e verdhë, sepse hoqi fanellën pas golit të shënuar. Në fund, përqafime dhe biseda me shokun e ngushtë Bare dhe Sadikun.

Asistet - Elis Bakaj dhe Ermir Lenjani kanë shijuar fitoret e djeshme me skuadrat respektive, teksa vetë janë bërë protagonis­të me paraqitje pozitive dhe me asistet e dhuruar. Në fitoren 4- 0 të Shahtjor Soligorsk ndaj Vitebesk, fantazisti shqiptar ka asistuar në golin e dytë. Bakaj më tej është ndëshkuar me të verdhë në të 69- ën minutë dhe vetëm dy më vonë, nxirret nga loja. Në këtë takim ka pasur minuta edhe për Azdren Llullakun, i cili është aktivizuar në minutën e 78- të. Në Zvicër, Ermir Lenjani e ka bërë tashmë të zakonshme që të jetë protagonis­t pozitiv me asiste. Dje ka "gatuar" një gol për Pajtim Kasamin, në fitoren 1- 3 ndaj Ksamaksit. Shqiptari ka sulmuar në të majtë në minutën e 57- të, për të shënuar golin e dytë për miqtë. Lenjani është zëvendësua­r në minutën e 85- të.

Rusi - Odise Roshi ka fituar tashmë spaletat e titullarit në Rusi me Akhmat Groznin, falë formës së mirë në vazhdimësi. Ponce shënoi në të 27- ën për ekipin e shqiptarit dhe në të 4- ën e kohës shtesë ka ndodhur barazimi dramatik.

Sllovaki - Fitore e artë, e dyta pas nëntë javësh kampionat, ka qenë e djeshmja për Kristi Qosen me Ruzomberok në Sllovaki përballë D. Stredas.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania