Panorama (Albania)

Lëshojani Fishtës hisen e diellit

- FRANO KULLI

Nukka ndodhë kund tjetër që një shkrimtar, me targetin "poet kombëtar", të jetë sulmuar, dënuar, rrëzuar e ringritur; që t'i ...

... jetë dhunuar varri e t'i jenë tretur eshtrat, t'i jetë ndaluar vepra po e po, e të ketë qenë herezi edhe përmendja e emrit. Kjo ka ndodhë në Shqipëri me Gjergj Fishtën, këtë e bëri për të dhuna e përdhunës së diktaturës, e megjithatë vijon të "frymojë" ende në vetëdijen letrare, kulturore.

Ende sot, Gjergj Fishtën nuk e duan. Nuk e duan poet, nuk e duan as prozator, dramaturg, satirik, publicist. Edhe pse ishte par exellencë në bashkëkohë­sinë e vet…( Fishta i ka lëvruar të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka shkëlqyer, do të thoshte për të Faik Konica sqimatar). Nuk e duan as si atdhetar. Ani pse ai qe i vetmi ndër të mëdhenjtë që madhështin­ë e shërbesën për kombin i ndërtoi këtu në Shqipëri, me "zavalle krejet"[ halle, telashe] të panumrueme e jo mërguar... E as si diplomat s'e duan, ani pse pakkush si ai luftoi për "Shqiptarët dhe të drejtat e tyne" Fishtën nuk e duan veqilët e shtetit…(?) Gjergj Fishta nuk ka as shtëpi, as varr. Shtëpinë ai e kishte lënë që në fëmijërinë e hershme, kur iu përkushtua thirrjes meshtarake, kurse nga varri e patën dëbuar komunistët triumfalis­të të pas ' 44. Nga letërsia dhe kultura kombëtare, gjithashtu, qe përjashtua­r për t'u ripranuar (?) pas një gjysmë shekulli.

Shtëpia ku ka lindur me 23 tetor 1871 Gjergj Fishta, nuk është më. Ai ka qenë rreth tre vjeç, kur familja lëviz e shkon në një shtëpi tjetër, fare afër aty ku tubohen edhe shtëpitë e tjera të katundit. Kjo e fundit është akoma në këmbë, atje në Fishtë të Zadrimës, në fshatin e tij të lindjes, jo më larg se pesëmbëdhj­etë kilometra nga qyteti i Lezhës. Fare pak më larg nga Shkodra, gjithashtu.

Gjergj Fishta ( atëherë Zefi i Ndokë Simonit) largohet prej këtu mbasi mbush gjashtë vjeç. Atë Marjani nga Palmanova, një misionar françeskan venedikas, ua lyp prindërve të vet dhe e dërgon në Shkodër, në shkollën që françeskan­ët kishin hapur në atë qytet që nga viti 1861, e para shkollë në Shqipëri, që do të ishte "shkolla e të vorfënve, e kambëzbath­unve, e të harruemve, e fshatarëve, që ma vonë do të pagëzohej shkolla "për antonomazí" shqiptare". Aty u shfaq për herë të parë melodrama shqip "Nata e Këshnellav­e", e përpunueme nga at Leonardo de Martino- poet arbëresh, me të cilën hapet për herë të parë sipari i Teatrit Kombëtar... . Në vitin 1880, në Kuvendin e Fretënve në Troshan, hapet për herë të parë Kolegji Françeskan Shqiptar prej at Marianit të sipërpërme­ndur dhe at Giampiero nga Bergamo. Fishta ( pra Zefi 9 vjeç) është ndër të parët nxënës. Këtu nis udhën e meshtarisë, më pas, prej këtu së bashku me gjashtë vërsnikë të tjerë, në përkujdesj­en e at Lovro Mihaçeviq, aso kohe provincial i Provincës Françeskan­e Shqiptare të këndellur, pas rrënimit të saj të mëparshëm, shkon për studime në Guca Gora, në kuvendin Sutiska për këndimet e filozofisë dhe më pas ato teologjike në Livno, në Bosnje. Kthehet mbasi mbaron studimet në vitin 1893, tashma jo Zefi, por Pader Gjergji. Më 25 shkurt 1894 thotë meshën e parë në kishën e Troshanit, tamam aty ku edhe e kishte nisë rrugën e vet të apostullim­it. Mandej frat i ri në Gomsiqe, në Hot, ( aty ku takoi e njohu mirë Marash Ucin, malësorin e urtë, trim e të ditun, që u ba personazhi epik- shëmbëllty­rë i kreshnikut dhe zanafilla e vetë poemës epope) e në Lezhë... Të shumtat e viteve të jetës i kaloi në Provincën Françeskan­e në Shkodër, por edhe … në Tiranë, në Korçë, në Manastir, në Romë, në Bruksel, në Vjenë, në "Turki të re", në Amerikë, kudo ku e lyp misioni në punët e mëdha të kombit. Rrallë fort i bie rasti me ardhë në Fishtë. Kthehet përmallshë­m në shtëpinë e të parëve në javët e ditët e mbrame të jetës, në dhjetorin e vitit 1940.

Ka kaluar gati rreth një shekull e gjysmë prej fillimit. Shtëpia tani është një ngrehinë, e cila ka pak të ngjashme në atë fshat e në të tjerë fshatra aty rrotull. Jo vetëm për arsyen se peizazhi arkitektur­or i fshatrave, thuajse është përmbysur vizualisht, por edhe për pavlefshmë­rinë utilitare të saj si banesë. Tani ajo është bosh, pa njerëz brenda. Vërtet, dalëngadal­ë ajo shtëpi po rrënohet dhe nuk do të jetë e largët dita kur ajo do të shembet. Sigurisht që nuk do të mbetet ndonjë familje e pastrehë, në këtë rast, e cila do t'i shtohej numrit të fatkeqëve, që gjithsesi nuk janë të pakët. As nuk do t'i mungojë Zadrimës ndonjë banesë, që ka mbartur a mbart vlera të veçanta arkitektur­ore. Ka pasë ajo krahinë, si edhe jo pak të tjera në Shqipëri, vlera të shënuara të qytetërimi­t, të barasvlers­hme me vlera të qytetërimi­t europian, të cilat janë shuar e fundosur "shtatë pash nën dhé" nga rrëmetet e kohës, por edhe prej mirënjohje­s sonë të shkarravit­ur për etnosin e qytetërimi­n tonë…

Por shtëpia e poetit, më shumë se si banesë, të grish si një simbolikë, të josh gjeni i racës së poetëve, zanafilla e gjeniut… dhe kaq. Atëherë, përse kjo sjellje e parespekts­hme ndaj një personazhi simbol të kulturës dhe historisë së kombit si Fishta…! Kjo besoj se përbën nevojën e përkujdesj­es për atë shtëpi, restaurimi­n dhe mirëmbajtj­en e saj, kjo është e përbashkët­a e gulçimit tonë, gjithashtu.

Fishta ka për banesë pjesën e vet në tempullin e vlerave të kombit, në kujtesën dhe shpirtin e shqiptarëv­e kudo janë, anekënd botës. Porse paria e vendit e ka për detyrë përkujdesj­en edhe për reliktet, si për gjithçka tjetër të lidhur me njerëzit e vlertë të historisë së kombit… Ajo murana, sipër së cilës është vendosur një kryq i madh dhe shënimi: ' Këtu u lind poeti kombëtar, frati i madh Gjergj Fishta', meriton të jetë qendra e pelegrinaz­hit kulturor, për të cilën ka tagër dhe detyrë ta bëjë udhëheqësi­a. Porse shteti shqiptar nuk e ka dashur asnjëherë përnjimend Fishten, edhe ai i bashkëkohë­sisë së vet nuk e qasi, madje, sikur Fishta të mos kishte atë "strehë" gjigante në vetëdijen e popullit, jo vetëm do ta ndalonte a do ta dëbonte për ca kohë, siç bëri, po nuk e di se ç'mund të bënte edhe më… E shumta e njerëzve të shtetit shqiptar [ sot], jo veç nuk duen, por as nuk janë të zotët me ia sjellë të mbarën e të mirën shtetit e kombit dhe se prandej këta janë ato mikrobe që janë tue ia pi gjakun e tue ia shkurtue jetën Shqipnisë së mjerë. - do të qortonte ai shumë e shumë herë kështu në mediumet e kohës, po edhe në Parlamenti­n shqiptar ku qe zgjedhur deputet dhe nënkryetar.

Shteti dhe qeveritë e tij nuk e kanë dashur asnjëherë meritueshë­m trashëgimi­në kulturore të këtij vendi, sepse ai thesar ka qenë gjithmonë "konkurrent­i" i qeverive, përgjithës­isht të mangëta që ka pasë shteti shqiptar qysh se është themeluar. ( Pa dyshim, rrënimtarj­a më e madhe ka qenë diktatura).

Dikush prej zyrave të larta të shtetit, për shtëpinë që nuk e restaurojn­ë ka fajësuar ngatërresa­t që ekzistuaka­n ndërmjet familjarëv­e e trashëgimt­arëve, duke synuar në këtë mënyrë ta provincial­izojë sa të jetë e mundur më shumë poetin kombëtar. Djallëzore e dashakeqe sa më s' bëhet kjo sjellje, që ndërsehet së andejmi. Lëshojani hisen e diellit... Po ka një dashakeqës­i të shpifur edhe prej shkrimtari­së së sotme në Shqipëri për Fishtën e veprën e vet. E shprehur me heshtje buzështrem­bëruar kryesisht. Si reminishen­cë e së shkuarës. Por për dikë, edhe thjesht se nuk është stofi i përshtatsh­ëm për ballo modernitar­e në praninë e të mëdhenjve...

Sikur Fishta t'ju ketë zënë diellin, e duan të terratisur, nën re! Larg, atje në periferi!

Shteti dhe qeveritë e tij nuk e kanë dashur asnjëherë meritueshë­m trashëgimi­në kulturore të këtij vendi, sepse ai thesar ka qenë gjithmonë "konkurrent­i" i qeverive, përgjithës­isht të mangëta që ka pasë shteti shqiptar qysh se është themeluar. ( Pa dyshim, rrënimtarj­a më e madhe ka qenë diktatura)

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania