Panorama (Albania)

Tërmeti, mbyllen për një ditë shkollat në Tiranë, Durrës e Elbasan

- Besa Shahini

TIRANE - Ministria e Arsimit ka njoftuar se të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme për Qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit do të jenë pushim. Gjithashtu, pushim do të jenë dhe prindërit e fëmijëve të shkollave 9vjeçare, që punojnë në administra­të shtetërore. Një vendim i tillë është marrë pas konsultave që ministrja Besa Shahini ka pasur me psikologët, të cilët kanë sugjeruar se familjet nuk janë ende gati për të nisur mësimin dhe punën pas asaj që kanë përjetuar nga tërmetet. Ministrja u shpreh se në gjithë territorin e Shqipërisë ka 98 shkolla që kanë pësuar plasaritje fasadash, por që janë riparuar nga pushteti lokal, ndërsa vetëm dy prej tyre kanë pësuar dëmtime që kërkojnë kohë për rindërtim. "Nga bisedat me qytetarë të prekur nga tërmeti dje, duket se familjet nuk janë ende emocionali­sht gati për t'u kthyer në punë dhe shkollë. Ndaj, të gjithë nxënësit e shkollave në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, do të jenë pushim", u shpreh Shahini. "Për fatin tonë të mirë, janë vetëm dy objekte shkollore që kanë pësuar dëmtime në masën që të mos jetë e sigurt hapja e shkollës të hënën. Një nga këto shkolla është klasë vartëse e shkollës qendër ' Berxullë', me numër të vogël nxënësish, të cilëve do t'u sigurohet transporti për t'i dërguar në shkollën qendër. Ndërsa shkolla tjetër është prapë shkollë vartëse në Tiranë, por do të bëjmë njoftimin për këtë shkollë, pasi të marrim konfirmimi­n final nga Bashkia Tiranë për gjendjen e saj", shtroi ministrja. Gjithashtu, të mbyllura do të jenë çerdhet dhe kopshtet.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania