Panorama (Albania)

Tërmeti në mesnatë lëkund edhe mbledhjen e qeverisë

- ARDIT HOXHA

Mbrëmja e së shtunës, pjesën më të madhe të banorëve të Tiranës dhe Durrësit i pa jashtë shtëpive të tyre.

Ca me shëtitje dhe ca nëpër kafe në ambiente të hapura, tiranasit dhe durrsakët nuk guxonin që të futeshin në shtëpitë e tyre në orët e para pas tërmetit. Rreth mesnatës, kur për disa orë nuk ishin ndjerë më lëkundje, pati shumë banorë që u futën në shtëpitë e tyre, pasi u mendua se tërmeti kaloi dhe bashkë me të edhe rreziku. Por në orën 00: 16 është ndierë sërish një tërmet. Kjo lëkundje e orës 00: 16 tronditi edhe kabinetin qeveritar gjatë mbledhjes së jashtëzako­nshme të thirrur nga Kryeminist­ri Edi Rama. Ishte duke folur ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në kohën kur tavolina e kabinetit qeveritar po lëvizte dhe lëkundja u përcoll edhe në transmetim­in "live" të kësaj mbledhjeje. "Janë angazhuar shërbimet e Policisë në të gjithë territorin e vendit. Aktualisht, janë 2200 punonjës policie në terren. Në 993 raste Policia ka reaguar dhe ka shtuar punën pranë spitaleve me shërbim të shtuar me qëllim që të evitojë çdo ngjarje problemati­ke, por edhe të shtojë sigurinë në spitale. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe zjarrfikës­it. Në Tiranë dhe Durrës ka një numër të shtuar të zjarrfikës­ve. Prefektura­t dhe bashkitë kanë krijuar struktura gatishmëri­e... Po përpiqem që të mos më dridhet zëri, por godina po lëkundet. Besoj që në pikat e ngritura për qytetarët është ofruar shërbim dhe ndihmë e çfarëdo lloji", tha ministri Sandër Lleshaj kur u ndie lëkundja, duke e kaluar këtë moment të sikletshëm. Nëse për kabinetin qeveritar vetëm sa ndërpreu për disa sekonda fjalën e ministrit Sandër Lleshaj, për qytetarët kjo lëkundje e mesnatës ngjalli panik. Dridhja e tokës ishte më e lehtë se ajo e pasdites, vetëm me një magnitudë 3.1 ballë, por gjithsesi bëri që një pjesë e madhe e atyre që kishin hyrë në shtëpitë e tyre të dilnin sërish për ta kaluar natën jashtë. Në Tiranë banorët që nuk u futën në shtëpitë e tyre përdorën disa qendra të ngritura nga Policia dhe Emergjenca­t Civile. Ndërsa në Durrës, ku goditja ishte më e fortë dhe rrjedhimis­ht edhe frika e qytetarëve ishte më e madhe, qytetarët u mblodhën në stadiumin "Niko Dovana". Aty, Ushtria ngriti çadra dhe ishin të shumtë ata qytetarë që e kaluan natën pa u rikthyer në shtëpitë e tyre. Në këto çadra të ngritura për këta banorë, përveç ushqimit dhe prezencës së mjekëve, kishte edhe psikologë, pasi ishin të shumtë ata që kishin simptoma të gjendjes së ankthit. Lëkundjet vazhduan edhe gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, me një ulje graduale të intensitet­it, por sërish me frikën që ishte prezente. Në mëngjes, pasi ishin rregulluar të gjitha çadrat në stadium dhe lëkundjet nuk ishin aq të forta, te banorët e Durrësit që nuk mund të rikthehesh­in në banesat e tyre shkoi për vizitë Kryeminist­ri Edi Rama. Bashkë me kryebashki­aken Valbona Sako dhe disa ministra, kreu i qeverisë pa nga afër gjendjen e këtyre banorëve, duke iu ofruar edhe mundësinë e kalimit te Kavalishen­ca e Durrësit nëse donin kushte më të mira. Edhe pse gjatë ditës së diel nuk pati lëkundje të forta të tërmetit, sërish ndjenja e frikës ishte e pranishme. Më shumë në Durrës, aty ku edhe tërmeti u ndie më fort, disa dhjetëra qytetarë sërish nuk shkuan në shtëpitë e tyre, por e kaluan natën në çadrat e ngritura nga Ushtria në stadiumin e qytetit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania