Panorama (Albania)

Lamtumirë Presidenti Chirac!

- BESNIK MUSTAFAJ

Siçështë njoftuar gjerësisht edhe në mediat shqiptare, ish– Presidenti i Francës, Jacques Chirac, ndërroi jetë ditën e enjte, më 25 shtator, në shtëpinë e tij, nën kujdesin e pjesëtarëv­e të familjes. Me këtë rast janë dhënë për publikun shqiptar edhe informacio­ne të shumta rreth jetës së tij politike, ku është theksuar, me të drejtë, se ai mbetet politikani me karrierën më të gjatë jo vetëm...

në Francë, por ndoshta edhe në Europë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Disa herë ministër, disa herë Kryeminist­ër, kryetar i Bashkisë së Parisit ( 1977- 1995), për ta mbyllur si President i Republikës me dy mandate radhazi ( 1995- 2005). Në herët që kam pasur nderin të gjendem në tryezë me të gjatë periudhës kur e kishte mbyllur tashmë jetën politike, e kam dëgjuar të kujtojë me kënaqësi të veçantë kohën kur kishte qenë ministër i Bujqësisë dhe atë si kryebashki­ak i Parisit. Ai kishte arsyet e veta për një parapëlqim të tillë. Siç thoshte vetë, Ministria e Bujqësisë i kishte dhënë mundësinë të njihte dhe të adhuronte Francën e vërtetë, atë të fshatit, ku ruhet shpirti francez. Ndërsa Bashkia e Parisit shënonte një përvojë tjetër për të. Për shkak të rebelimit të përgjakshë­m të asaj, që në histori njihet si “Komuna e Parisit” ( 1871), gjatë më shumë se një shekulli Parisi ishte qeverisur me një ligj të veçantë, pa kryetar të zgjedhur nga populli. Jacques Chirac, në njëfarë mënyre e themeloi funksionin e kryetarit të Bashkisë së Parisit dhe e mbajti pa ndërprerje për 18 vjet, derisa u bë President i Francës.

Por, përtej rolit të madh që ai ka luajtur në historinë e vendit të vet dhe të mbarë Europës, për ne është rasti të përmendim me nderimin më të thellë figurën e Presidenti­t Jacques Chirac, si një mik i madh e i qëndrueshë­m i shqiptarëv­e. Në shenjë homazhi po i jap të drejtë vetes të kujtoj përmbledht­azi disa fakte, që nuk do të harrohen.

Pa mbushur një vit si kryetar bashkie, Jacques Chirac mori një kërkesë nga shqiptarët e Francës për t’i vendosur emrin “Scanderbeg” një rruge apo një sheshi në Paris. Fjala është për emigracion­in politik antikomuni­st. Në Francë, kryesisht në Paris, jetonte një pjesë e ajkës zogiste, vendosur atje në mesin e viteve ’ 50 bashkë me mbretin Zog, si dhe një pjesë e ajkës balliste, me në krye profesor Abaz Ermenjin, kryetar i Ballit Kombëtar. Pavarësish­t përçarjeve që kishin midis tyre, shqiptarët e kishin votuar gjerësisht golistin Jacques Chirac. Ai e mirëpriti pa ngurrim këtë kërkesë. Siç me të drejtë ka shkruar Ismail Kadare, diplomacia shqiptare e asaj kohe ka bërë një nga turpet më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar. Qeveria komuniste e Tiranës, për shkak se nismëtarë ishin armiqtë e saj të betuar, bëri gjithçka për ta penguar, duke kërcënuar madje edhe me prishje të marrëdhëni­eve. Siç një diplomat i lartë francez, dëshmitar i kësaj ngjarjeje, më ka treguar, për hir të së vërtetës Ministria e Jashtme e Francës, e cila, si të gjitha diplomacit­ë, nuk e donte sherrin me një shtet tjetër, bëri shumë presion mbi udhëheqjen e Bashkisë së Parisit, me qëllim për ta rrëzuar një nismë të tillë. Por kryetari i saj, Jacques Chirac, nuk u thye. Me vendimin e firmosur prej tij më 30 gusht 1978, sheshit afër Pont- de- Flandre iu dha emri i heroit tonë kombëtar.

Historia vazhdon. Jacques Chirac është një nga të parët personalit­ete të larta politike europiane, që ftoi dhe priti në zyrën e tij një delegacion të Partisë Demokratik­e, të kryesuar nga Sali Berisha. Kjo ka ndodhur në fillim të pranverës 1991. Tre vjet më vonë, në 1994, po Jacques Chirac do të ishte nga të parat personalit­etet e larta politike europiane, që do të priste po në zyrën e tij të kryetarit të Bashkisë së Parisit Presidenti­n Rugova dhe në dalje do të bënte një deklaratë të fortë në mbështetje të shqiptarëv­e të Kosovës, të tillë që nuk e kishte bërë ende asnjë politikan europian. Edhe kjo pritje e Presidenti­t Rugova nga Chirac do të ngjallte kundërshti të forta nga diplomacia serbe. Për më tepër, kjo ndodhte në një kohë kur Presidenti i Francës, François Mitterand, priste me nderime protokolla­re Presidenti­n e Serbisë, Sllobodan Milloshevi­ç.

Jacques Chirac do ta mbante premtimin që i kishte dhënë Ibrahim Rugovës. Pak muaj më vonë, kur do të hynte në fushatën presidenci­ale, të cilën do ta fitonte edhe për fatin e mirë të Kosovës, ai do të theksonte në programin e tij se “Kosova do të jetë vija e kuqe, të cilën Serbia nuk duhet ta shkelë”. Jo rastësisht u zgjodh Parisi ( Rambouille­t) për konferencë­n ndërkombët­are mbi Kosovën në 1998. Edhe aty, me cilësinë e mikpritësi­t, në çelje të konferencë­s Presidenti Chirac mbajti një fjalim të paharruesh­ëm e ku paralajmër­onte qëndrimin e Francës në rast se Serbia nuk do të pranonte zgjidhjen paqësore. Gjërat rrodhën siç dihet. Pak muaj më vonë, kur NATO do të ndërmerrte bombardime­t mbi Serbi, Franca do të ishte vendi i dytë, pas SHBA- ve, me numrin e avionëve që do të merrnin pjesë në operacione. E pra, prej afro 25 vjetësh Franca nuk ishte anëtare e strukturav­e ushtarake të NATO- s. Presidenti Chirac theu me këtë rast një vendim të marrë nga ati i tij shpirtëror e politik, gjenerali De Gaulle, për të mos u përfshirë në operacione­t ushtarake të NATO- s. Nuk ishte një hap i lehtë për t’u hedhur nga ana e Presidenti­t Chirac. Serbët e përjetuan si varrosje të miqësisë tradiciona­le serbo- franceze. Televizion­et e mbarë botës e treguan monumentin simbol të kësaj miqësie në Beograd të mbështjell­ë me beze të zezë si me qefin.

Më duket rasti për të treguar edhe një episod të panjohur për publikun, por që unë e vlerësoj me domethënie të veçantë në sjelljen miqësore të Presidenti­t Chirac ndaj shqiptarëv­e. Rizgjedhja e Berishës President në mars 1997, për vetë rrethanat, në të cilat ndodhi e që nuk është rasti këtu t’i përmendim, nuk po gjente miratim në asnjë nga Kancelarit­ë me peshë në Europë e as në Uashington. Unë isha ende ambasador në Paris. Ministria e Jashtme franceze ishte pjesë e këtij kori refuzues. Bisedova me një nga njerëzit e afërt të Presidenti­t Chirac për nevojën e njohjes së rizgjedhje­s së Berishës, në mënyrë që dikush me legjitimit­et ta drejtonte vendin deri në zgjedhjet e reja, të parakohshm­e, që do të zhvillohes­hin në qershor. Po atë ditë, me porosi të kabinetit të Presidenti­t Chirac, m’u dha një audiencë me ministrin e Jashtëm Herve de Charrette, të cilit do të duhej t’i shpjegoja të njëjtat argumente si dhe njeriut të Presidenti­t. Vetë Presidenti Chirac ishte në udhëtim zyrtar në një nga vendet e Amerikës Latine. Brenda ditës, në daljen e parë publike që pati në kuadër të veprimtari­së shtetërore që po zhvillonte në atë vend të largët, pra, nga fundi i botës, do të thoshim ne shqiptarët, Presidenti Chirac gjeti mënyrën të thoshte një fjali për njohjen e Berishës si President legjitim i Republikës së Shqipërisë. Ishte një fjali pa asnjë lidhje me çfarë po e pyesnin gazetarët. Por ai e bëri. Vetëm një mik do ta bënte. Do t’i jem mirënjohës gjithë jetën. Ishte një fjali që vuri menjëherë në lëvizje Gjermaninë dhe të gjithë aleatët e tjerë të Francës për të shkuar në të njëjtin drejtim.

Në këto ditë lamtumire e gjej me vend të kujtoj me mirënjohje edhe një nder personal që më ka bërë Presidenti Chirak. Afro një vit pasi mbaroi mandatin e dytë si President i Francës dhe u tërhoq përfundimi­sht nga jeta politike, ai vendosi themelimin e Fondacioni­t Chirac. Unë isha një nga tre personalit­etet politike ndërkombët­are, që ai ftoi t’i bashkohesh­in kësaj nisme qysh në zanafillë. Ishte viti 2008. Kam vazhduar të shkoj në mbledhjet e bordit të këtij fondacioni deri në vitin 2014. Bënim dy mbledhje në vit. Të them të drejtën, unë shkoja kryesisht sepse aty vinte vetë Presidenti Chirac. Ishte kënaqësi e jashtëzako­nshme dhe po aq nder i madh ta dëgjoje si fliste, si dëgjonte, si arrinte te vendimi. Kur Presidenti Chirac filloi të mos vinte më në këto mbledhje për arsye shëndetëso­re, edhe unë dhashë dorëheqjen nga ky bord. Dhe nuk e kam parë më nga afër. Dhe nuk do ta shoh më kurrë. Lamtumirë Zoti President!

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania