Panorama (Albania)

Holanda kundër negociatav­e, Rama: Nëse thonë ‘ Jo’, për çështjet e tyre të brendshme

Ministri holandez tregon arsyet. Rama, debat në "Facebook": Nëse thonë ' jo', nuk ka lidhje me ne, por me çështjet e brendshme

- ARDIT HOXHA

Holanda nuk do ta japë aprovimin e saj për çeljen e procesit të negociatav­e të Shqipërisë me Bashkimin Europian as në tetor.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, gjatë një seance në Komisionin për Çështjet Europiane në Parlamenti­n holandez. I pyetur nga deputetët anëtarë të këtij Komisioni, Blok tha se vendimi i qeverisë holandeze nuk ka ndryshuar shumë nga ai i muajit qershor, kur u refuzua hapja e negociatav­e për vendin tonë.

"SHQIPËRIA NUK I KA PLOTËSUAR KRITERET"

Ministri Blok u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të trajtohen të ndara në këtë proces të hapjes së negociatav­e. Sipas tij, të dyja vendet kanë probleme dhe përparim të ndryshëm. "Zgjerimi është përsëri specifikis­ht në rend dite në muajin tetor. Jam i lumtur t'ju përgjigjem pyetjeve që më keni drejtuar, edhe pse dua të them se përgjigjet nuk do të jenë befasuese, sepse ato do të jenë njësoj si kur i diskutuam para verës. Unë besoj se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur, sepse janë vende të ndryshme, me probleme të ndryshme dhe shkallë të ndryshme përparimi", u shpreh para parlamenta­rëve holandezë, ministri Stef Blok. Nëse për Maqedoninë e Veriut, ministri holandez la të nënkuptuar një votë pro hapjes së negociatav­e në tetor, për vendin tonë ai u shpreh se progresi i bërë nga Shqipëria është i një tjetër shkalle. Sipas tij, porta për nisjen e negociatav­e për Shqipërinë mbetet e hapur sapo të përmbushen kushtet, të cilat sipas tij, deri më tani nuk janë plotësuar. "Shqipëria është me të vërtetë një rast tjetër. Unë gjithashtu mendoj se Shqipëria duhet të jetë në gjendje të fillojë negociatat sapo vendi të plotësojë kriteret. Por e ritheksoj, sapo vendi të plotësojë ato kritere. Dhe në këtë pikë, nuk është ende rasti", u shpreh ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok.

REAGIMI I RAMËS

Lidhur me këtë ngjarje në Parlamenti­n holandez, që pritet të pasohet me një vendim të këtij vendi në tetor, ka reaguar Kryeminist­ri Edi Rama. Tërthorazi, gjatë një komunikimi në rrjetet sociale me qytetarë të ndryshëm, Rama ka thënë se në rast të një ' Jo'- je nga Holanda, atëherë ky vendim nuk do të ketë lidhje me Shqipërinë, por me problemet e brendshme të këtij vendi. "Unë s'e di a do thotë Jo a s'do thotë Jo, po di që po tha Jo, s'ka asnjë lidhje me ne, por me punët e tyre të brendshme", shkruan Rama në përgjigjen e tij ndaj pyetjes së një qytetari në profilin e tij në "Facebook".

SKEPTIKET E TJERA

Më tej, në raportimin e tij para Komisionit për Çështjet Europiane, ministri Blok iu përgjigj edhe interesit të deputetëve për faktin nëse Holanda rrezikon që të jetë e vetmja penguese e Shqipërisë në këtë proces. Ai tha jo, duke lënë të nënkuptuar se do të ketë edhe vende të tjera, të cilat do të dalin kundër Shqipërisë në votimin e muajit tetor. "Një vit më parë, Holanda, Franca dhe Danimarka ishin vende që kishin këtë pozicion. Unë gjithmonë mendoj se varet nga vetë vendet që të deklarojnë se cili është pozicioni i tyre për momentin, por unë deri më tani nuk kam sinjalizim­e që Holanda do të jetë e vetme në këtë vendim", theksoi Blok. Teksa Holanda del haptazi kundër, nga Franca dhe Danimarka ende nuk ka asnjë qëndrim zyrtar. Të dyja këto vende kanë procedura të ndryshme për dhënien e aprovimit. Për Francën pasi çdo gjë është në dorën e Presidenti­t Emmanuel Macron, ndërsa Holanda është sërish një histori e komplikuar, e ngjashme me procedurën që ndoqi Gjermania.

"PO" PËR MAQEDONINË E VERIUT

Për Maqedoninë e Veriut, Blok tha se shkalla e përparimit në këta muaj është e ndjeshme, ku ai veçoi më tepër marrëveshj­en me Greqinë për çështjen e emrit. "Unë gjithashtu tregova më herët se mendoj që shkalla e përparimit në Maqedoni është qartësisht më e madhe se ajo në Shqipëri. Marrëveshj­a me Greqinë për emrin ishte në vetvete një pikë e rëndësishm­e përparimi. Unë gjithashtu deklarova më herët se në të vërtetë, mendoj se drejtuesit në Maqedoninë e Veriut duhet të ndërmarrin hapin për miratimin e ligjit për prokurorin e pavarur. Kjo është një pikë kushtetues­e. Kur ta kenë bërë këtë, unë mendoj se hapja e negociatav­e do të bëhet realitet", tha ministri i Jashtëm i Holandës.

 ??  ?? Stef Blok
Stef Blok
 ??  ?? Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok
Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania