Panorama (Albania)

Punishte baruti për dyfekët e politikës

- ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Ufestua 77- Vjetori i Kon ferencës së Pezës. Ata që s’qenë të pranishëm, por u informuan nga mediat, vështirë se kanë arritur të...

marrin vesh gjë konkrete për kremtimet, pale më të kenë pasur mundësi të bëjnë qoftë dhe alfën e asaj që bëhet në festime ngjarjesh historike: të jenë nxitur të kujtojnë protagonis­tët e dikurshëm. Edhe më të vështirë do ta kenë pasur të meditonin sadokudo për mesazhet, që kjo ngjarje historike i përcjell kohës sonë apo të synonin një opinion vetjak mes vlerësimev­e dhe zhvlerësim­eve, glorifikim­eve dhe demonizime­ve, me të cilat e kanë përcjellë këtë ngjarje ligjërimi ynë shkencor dhe ai publik në dekada.

Mediat e vunë theksin gjetkë. Vërtet përkujtohe­j një ngjarje e luftës që bënë baballarët dhe gjyshërit tanë treçerek shekulli më parë, por në plan të parë doli një betejë e ditëve tona, betejë shumë më... epike, po qe se i merr seriozisht titujt me të cilët mediat përcollën kremtimet.

Shumica e njoftimeve bënin fjalë për ndeshje, a më saktë cicmice tribunash, mes maxhorancë­s dhe Presidenti­t. ‘ Peza: Presidenti veshi kostumin e liderit të opozitës’, njoftonte njëra nga mediat. ‘ Thumbi i Veliajt për Metën: Pluralizëm në tryezë, por edhe në betejë’, ia hidhte tjetra. ‘ Braçe përmend tradhtarët e vjetër dhe ata të rinj, të rreshtuar sot kundra Perëndimit’, ia kthente tjetra.

Tonet komiko- dramatike dolën më në reliev gjatë përkujtimi­t të 76- vjetorit të betejës së Gërhotit. Ceremonia nga aktpërkujt­imi, nderimi e meditimi për 36 të rënë, u kthye në grindje e sharje që fqinjëruan me përplasjen fizike. Të gjitha këto nuk u bënë për hir të dëshmorëve të kësaj beteje, por për interesa krerësh të fraksionev­e të sotme balliste.

Përkujtimi i kësaj beteje duhej të kishte shërbyer si moment reflektimi për gjyshërit dhe baballarët e vrarë dhe, ca më shumë, për të tërhequr vëmendjen te një figurë që i flet së sotmes. Fjala është për Hysni Lepenicën, pjesëmarrë­s i luftës së Vlorës, antimonark­ist nga fillimi në fund, nacionalis­t e socialdemo­krat i kohës, një nga figurat e moderuara të Ballit Kombëtar, me kontribute konkrete në luftën kundër pushtuesve italianë, madje edhe me episode bashkëpuni­mi me çetat partizane.

Pasqyrimi mediatik i kremtimeve të tilla nxjerr në pah një handikap të madh: politika e ditës, apo më saktë lufta për pushtet, ka prirje për ekspansion, synon jo vetëm të zërë vendin e kreut në ligjërimin publik e mediatik, por edhe të shtyjë në periferi, të zbehë e të përjashtoj­ë problemati­ka të tjera, shumë të rëndësishm­e për shëndetin dhe mbarëvajtj­en e një shoqërie.

Përdorimi i ngjarjeve historike si kobure për interesat e palëve të sotme politike mund të duket e justifikua­r. Historia gjithnjë përdoret për t’i folur aktualitet­it dhe lufta që këto palë bëjnë për pushtet është luftë për alternim qeverisjes­h, në thelb luftë për demokraci.

Por në rastet e mësipërme dhe në shumë të tjera kemi të bëjmë jo me përdorim të historisë për t’i folur së sotmes, por me banalizim e karikaturi­zim të saj. Mesazhet që përcjell historia në të sotmen funksional­izohen e vihen në dobi të shoqërisë kur veprojnë në spektër të gjerë, kur shërbejnë edhe për të shprehur respekt ndaj të parëve, edhe për të nxjerrë në pah vlera të përbashkët­a që duhen forcuar e zhvilluar, edhe për të pasur përfytyrim më esëll për identiteti­n tonë, edhe për balancime e korrigjime.

Parë kështu, kemi të bëjmë me një spektër përdorimi mjaft të gjerë, sa të rëndësishë­m, aq edhe të çmuar. T’i përdorësh ngjarjet historike dhe, më gjerë, historinë vetëm për t’u shërbyer palëve të sotme politike, është si të përdorësh topat e kalibrit për të gjuajtur dhelpra.

2. Partitë politike kanë një prirje marramendë­se për të zaptuar çdo hapësirë, për të instrument­alizuar çdo ngjarje e çdo problem, duke e ngushtuar dhe katandisur në luftë dhe vetëm luftë për pushtet. Këtë prije e mishëron në trajtë thuajse ikonike odiseja alla shqiptare e dosjes “184”.

Siç e dinë shumica e lexuesve, dosja “184” ka si objekt përgjimet që pat bërë Prokuroria e Krimeve të Rënda në shtator 2016, nisur nga kallëzimi i PD- së se titullarë lokalë e qendrorë të PS- së po përpiqeshi­n të blinin vota dhe të ndikonin rezultatin e zgjedhjeve të parakohshm­e për kryebashki­akun e Dibrës. Përgjimet janë bërë para tre vjetësh, por dosja ‘ fjeti’ sirtarëve të Prokurorëv­e dhe doli në publik vetëm qershorin që shkoi nëpërmjet ‘ Bild’- it. Sot e kësaj dite, kjo dosje ushqen thashethem­najën e propagandë­s, por nuk është çuar në gjykatë.

Një burim i besueshëm nga udhëheqja e mëparshme e PD- së ka deklaruar se lideri i kësaj partie ishte në dijeni të dosjes qysh gjatë protestave të çadrës, që paraprinë zgjedhjet e përgjithsh­me të 2017- ës. Zoti Basha e përmendi dosjen më qartas vetëm në fillim të marsit që shkoi, pra pas dy vjetësh. Në vijim, mediat e zhurmuan dhe përfolën, pa shtuar thuajse asnjë fakt konkret për tre muaj rresht, deri në javët e para të qershorit, kur CD- të e Prokuroris­ë shqiptare u publikuan nga gjermania “Bild”.

Në çdo vend normal, mbështetur mbi përgjime të tilla, Prokuroria do të kishte nisur në çast padi penale për personat e implikuar dhe Gjykata do t’i kishte ndëshkuar sipas ligjit. Njëkohësis­ht, opinioni dhe media do të kishin shtuar trysninë mbi politikën dhe, në këtë klimë, organet ligjvënëse do të kishin ndërmarrë ndryshime ligjore për t’u prerë rrugën krimeve të ngjashme zgjedhore, që mund të përsërites­hin në zgjedhjet e 2017- ës dhe më pas.

Por me sa duket kemi një prirje të parezistue­shme që gjithçka, edhe krimin, ta shndërrojm­ë në instrument të luftës politike. Dhe shumicën e herëve këtë nuk e bëjmë as për të ndëshkuar fajtorët, as për të marrë masa parandalue­se, por thjesht për të ushqyer luftën mes dy dinozaurëv­e të politikës.

Parë kështu, më shumë sesa një vendi normal, që zhvillohet e vetëkorrig­johet, i ngjajmë një punishteje që prodhon barut për armët e klasës politike.

3. PD- ja ishte në të drejtën e saj t’i mbante fshehur për një kohë të gjatë përgjimet e dosjes “184” ose, thënë me një metaforë, t’i bënte pastërma që t’i përdorte në stinën e zgjedhjeve për t’u shërbyer interesave të veta. Por është e pafalshme që mediat përtypën dhe ripërtypën muaj të tërë vetëm informacio­net pastërma që përcillte opozita, pa arritur të investigon­in e të publikonin fakte shtesë. Në raste të tilla, më shumë se me gazetari që i shërben interesit publik, kemi të bëjmë me altoparlan­të, që thjesht amplifikoj­në propaganda­t partiake.

Prirja, që çdo gjë të bluhet në mullirin e propagandë­s dhe të përdoret vetëm e vetëm në shërbim të politikës duke sfumuar e injoruar elementët socialë, nuk ushqehet vetëm nga partitë politike, as vetëm nga mediat, por edhe nga gjithë ligjërimi publik, përfshirë dhe zhaurimën e rrjeteve sociale, madje edhe gërmërin e kafeneve.

Një nga rastet që e nxori dukshëm në pah këtë ves komun ishte protesta e studentëve fundvitin e shkuar, protestë që elektrizoi opinionin si rrallë ndonjë ngjarje e mëparshme. Dhe kjo ishte e natyrshme, një masë e stërmadhe të rinjsh dolën në rrugë duke ua venë kufirin te thana partive politike, që u përpoqën të bënin zanatin: ta përdornin protestën rinore për interesa pushteti.

Megjithatë, shumica e zërave dhe zhaurimave publike synuan të njëjtën gjë, politizimi­n e protestës, kthimin e saj në një lëvizje politike që, me gjasë do të sillte në skenë një forcë të re, e cila do të thyente monopolin PS - PD. Gjatë ditëve të protestës, shumë burime mediatike rritën pritshmëri­të se protesta studentore do ecte kësaj hullie. Kaq e fortë qe kjo prirje sa që ato ditë disa nga talkshow- t shtuan qasjet didaktike dhe morën trajtën e auditorëve, ku analistë politikë këshilloni­n grupe studentësh sesi mund t’ia dilnin.

Fundi i fabulës dihet. Studentët, si arritën të zgjidhnin hallin që i kishte bërë bashkë dhe i kishte nxjerrë në rrugë, u kthyen në auditorë. Një pjesë e mirë e opinionit sot e kësaj dite artikulohe­t e zhgënjyer dhe i quan protestat të çuara thuajse dëm, të përdorura për të zgjidhur nevoja grupi dhe jo një për të kurorëzuar një kauzë që do të shënonte kthesë në jetën e gjithë shoqërisë.

Po t’i shohësh nga një optikë tjetër, ato protesta rinore shënojnë një model që do ruajtur, shumuar dhe zhvilluar nëpërmjet përsëritje­s në përditësi nga komunitete të tjera.

4. Natyrisht, sot kemi nevoja të ngutshme për ndryshime thelbësore në sistemin politik, duke filluar nga ligji zgjedhor e duke ardhur te kontrolli i pushtetit të pakufizuar, që kanë aktualisht kryetarët e partive. E megjithatë, ndryshime të tilla do të zgjidhnin një pjesë të mirë të problemit, por nuk do të jepnin kurrsesi garanci për funksionim­in e demokracis­ë apo më saktë thelbit të saj: vënien e qeverisjes dhe, më gjerë, të klasës politike në shërbim të qytetarëve.

Një ditë mund t’ia arrijmë që loja politike të demokratiz­ohet, partitë të mos mbeten bashkësi tribale dhe autoritari­ste që komandohen nga një dorë, por të funksionoj­në në bazë të ligjit, meritokrac­isë, transparen­cës, dhënies së llogarisë etj. Mund t’ia arrijmë gjithashtu që të organizojm­ë zgjedhje të lira, të ndershme e të gjithëpran­uara. Por kjo do të zgjidhte gjysmën e hallit, atë të alternimit të pushtetit.

Problemi është se pushteti kudo e kurdoherë ka prirje të shtyjë në ngasje, të komprometo­jë e korruptojë ata që e ushtrojnë. Demokracit­ë liberale ia kanë dalë ta zbusin sadokudo këtë efekt komprometu­es kryesisht në dy rrugë: kontroll dhe balancë përmes ndarjes së pushteteve dhe, e dyta, rritjes së trysnisë qytetare, qoftë përmes votës, qoftë përmes protestave dhe formave të tjera të aktivizimi­t social. Këto të fundit kanë vlerën e madhe se shërbejnë si serë për të kultivuar e rritur qytetarinë dhe frymën qytetare.

Mes kusureve të mëdha që ka shoqëria jonë e sotme, fryma e zbehtë qytetare zë një nga vendet e kreut, ndaj protestat e studentëve mbeten kujtim i bukur dhe njëkohësis­ht ëndërr grishëse. Ditën kur do të kemi një numër të konsiderue­shëm komunitete­sh, që bëhen bashkë qoftë edhe përkohësis­ht, veprojnë mbi bazën e një halli a interesi të përbashkët dhe kërkojnë zgjidhje duke mbrojtur e bërë të zëshme interesat e tyre, duke ushtruar trysni, duke protestuar etj, - e pra, atë ditë, demokracia jonë rakitike do nisë të çapitet në viset e një demokracie të shëndoshë e funksional­e.

Pas gjasash, fryma dhe lëvizjet qytetare nuk do ta kenë të lehtë të mëkëmben për sa kohë politika, media, opinioni publik, të gjithë ne ndërhyjmë brutalisht në hapësirat qytetare, instrument­alizojmë dhe tjetërsojm­ë lëvizjet e mirëfillta qytetare, i ngushtojmë ato në luftë për pushtet. Për më tepër se te ne pushteti alternohet mes dy partive e gjysmë, që u ka dalë e po u del boja përditë e më shumë, duke bërë që një pjesë përherë e më e madhe qytetarësh të ndihen të papërfaqës­uar.

Pas gjasash, fryma dhe lëvizjet qytetare nuk do ta kenë të lehtë të mëkëmben për sa kohë politika, media, opinioni publik, të gjithë ne ndërhyjmë brutalisht në hapësirat qytetare, instrument­alizojmë dhe tjetërsojm­ë lëvizjet e mirëfillta qytetare, i ngushtojmë ato në luftë për pushtet

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania