Memushaj: Unë e Strakosha s'fjetëm pas Turqisë, kemi ndeshje delikate
Zhgënjimi i ndeshjes kundër Turqisë ka kaluar dhe Ledian Memushaj thotë se Shqipëria duhet të tregojë që është një ekip i pjekur dhe që po rritet nga ndeshja në ndeshje. Kapiteni i Kombëtares shqiptare zbulon se pas disfatës në Stamboll, të gjithë ishin të mërzitur dhe ai bashkë me Strakoshën ( shokë dhome) kanë fjetur vetëm 23 orë.
Ledian, si është gjendja e skuadrës pas humbjes me Turqinë?
Ajo ndeshje na zhgënjeu shumë, por duhet ta harrojmë sa më shpejt. Kemi një tjetër sfidë të rëndësishme dhe duhet të jemi të përqendruar tek ajo.
Si i keni parë djemtë gjatë këtyre ditëve si kapiten dhe si lojtar me eksperiencë? Si është gjendja psikologjike e Strakoshës?
Tomin e kam edhe në dhomë. E kam parë normalisht si gjithmonë. Sigurisht që të gjithë ishim pak të mërzitur pas asaj ndeshjeje, por duhet ta harrojmë. Na pret një ndeshje e vështirë, sepse këto ekipet mesatare na kanë hapur shumë punë.
Meqenëse na thatë se jeni në një dhomë me Strakoshën, na thuaj a ka fjetur pas asaj ndeshjeje?
Në fakt, jo vetëm Tomi, por të gjithë fjetëm shumë pak. Edhe unë, si ai, mund të kemi fjetur ndoshta 2- 3 orë.
Si e prisni sfidën me Moldavinë? Mos ndoshta janë pak më të vështira për t'u karikuar dhe për të gjetur motivimin?
Nuk besoj se do ta nënvlerësojmë kundërshtarin. Këto janë ato ndeshje që tregojnë se sa është rritur ekipi. Është një skuadër e fortë dhe na duhet të bëjmë kujdes. Janë ndeshje të vështira, por duhet të tregojmë që jemi rritur.
Ju personalisht jeni i gatshëm që të luani titullar, pasi ndaj Turqisë nuk e mbyllët mirë ndeshjen?
Po, kemi edhe 24 orë të tjera për t'u rikuperuar. Ka kaluar shumë kohë dhe po i rikuperojnë forcat, të gjithë lojtarët.
Çfarë duhet të bëjmë më mirë në këtë ndeshje, ndryshe nga ajo me Turqinë? Ndoshta faza e sulmit?
Duhet të përmirësohemi të gjithë si ekip. Këtu te ne nuk duhet t'i ndajmë repartet, sepse në fushë zbresim të gjithë. Si mbrojtësit dhe mesfushorët, të gjithë duhet të bëjmë detyrat tona në fushë.