Presidenti Meta dekorohet nga Princi Alberti II
I akordohet "Medalja e Kryqit të Madh të Urdhrit të Shën Karlit"
Presidenti Meta zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Principatën e Monakos me ftesë të princit të Monakos, Alberti II. Kreu i shtetit Meta u prit me ceremonialin shtetëror dhe bëhet me dije se në fokus të këtij takimi me princin Albert II ishte intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve në disa fusha të ndryshme. Nga zyra e shtypit të Presidentit mësohet se një fokus të veçantë gjatë këtij takimi patën fushat e marrëdhënieve ekonomike, konkretizimi i mëtejshëm i projekteve të përbashkëta në fushat e shkencës dhe mjedisit, por gjithashtu u la hapësirë edhe për identifikimin e fushave të tjera të bashkëpunimit mes të dyja vendeve. Si Meta dhe princi i Monakos shprehën dëshirën për t'i përmbushur këto angazhime në nivele sa më optimale. Sipas Metës, ky takim është shenjë e dëshirës së madhe për t'i çuar marrëdhëniet mes dy vendeve në nivele sa më të larta, edhe pse deri më tani kanë qenë në nivele shumë të mira. Pas takimit zyrtar, Princi Albert II dekoroi Presidentin Meta me titullin e lartë, Medalja e Kryqit të Madh të Urdhrit të Shën- Karlit. Ky është vlerësimi më i lartë që Principata e Monakos jep për personalitet e huaja në disa fusha të ndryshme. Medalja iu dha Presidentit Meta në vlerësim të angazhimit të tij konkret dhe të vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Meta e cilësoi këtë medalje si një shenjë vlerësimi për përpjekjet e bëra për të rritur bashkëpunimin mes të dyja vendeve. "Shumë i nderuar për akordimin nga Lartësia e Tij e Përndritur, Alberti II, të titullit më të lartë të Principatës së Monakos, Medaljen e Kryqit të Madh të Urdhrit të Shën- Karlit. E konsideroj si vlerësim të përpjekjeve të përbashkëta në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona!", shprehet Presidenti Meta. Në përfundim të vizitës zyrtare, Presidenti Meta ka bërë edhe një vizitë një nga qendrat më të rëndësishme shkencore të Principatës së Monakos, siç është Muzeu Oqeanografik.