Nisma e re e ministrisë, Klosi: Në 2020- ën nuk ka qese plastike
Nga Fakulteti i Inxhinierisë së Mjedisit u bë publike nisma “Qesja e fundit”, që synon eliminimin e qeseve plastike deri në 1 qershor të 2020- ës. Në auditorin me studentë dhe drejtues të këtij fakulteti, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, kërkoi aleancë me studentët për t’i thënë stop ndotjes, duke refuzuar përdorimin e qeses plastike në Shqipëri. “Ne duam që jo vetëm t’u kërkojmë prodhuesve të mos prodhojnë, importuesve të mos importojmë, tregtarëve të mos i shesin, por duam t’u kërkojmë qytetarëve që të refuzojnë përdorimin e qeseve plastike. Kemi shumë nevojë t’i kërkojmë brezit të ri të kuptojnë se sa e rëndë është situata sot me qeset plastike. Pa dyshim, ne nuk mund të ndryshojmë botën, por mund të ndryshojmë Shqipërinë dhe të bëjmë një Shqipëri të pastër. Ka ardhur koha që të bëhet një pakt kombëtar për Shqipërinë e pastër. Nga fillimi i këtij viti të refuzojmë prodhimin edhe importimin e qeseve dhe nga 1 qershori 2020, ne të jemi vendi i parë europian pa qese plastike, për të shkuar më pas në refuzimin e plastikës njëpërdorimshme”. Duke folur për ndikimin e mjedisit në turizëm, ministri Klosi tha se problemi më i madh mbetet pastërtia dhe treguesi më i dukshëm janë qeset plastike që e bëjnë pis Shqipërinë. “Ne sot jemi pis dhe është e pafalshme që Shqipëria e vitit 2019, Shqipëria në dyert e BE- së, të ketë kaq të keqe kudo në botë trajtimin e mjedisit, trajtimin e mbetjeve urbane, luftën kundër qeseve plastike. Kapitulli i mjedisit është më i vështiri në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Te standardet e mjedisit partnerët tanë janë shumë striktë dhe ne duhet të ndryshojmë sistemin”, nënvizoi ministri në lançimin e nismës që e bën Shqipërinë vendin e parë europian pa qese plastike në 2020- ën. Për ta çuar përpara këtë nismë, por edhe për një mjedis që i shërben veç të tjera edhe turizmit, kreu i Mjedisit kërkon angazhimin edhe të aktorëve të tjerë. Gjatë aktivitetit u ngrit edhe problemi i mungesës së inxhinierëve për mbetjet urbane, një disiplinë që duhet të ngrihet tashmë si fushë studimi edhe në vendin tonë. Nisma “qesja e fundit” mori përkrahje nga profesorati i Fakultetit të Inxhinierisë së Mjedisit dhe studentët.