Tensionet me SHBA, Erdogan pranon të takojë Pence e Pompeo
Pompeo: Nuk duam të prishim marrëdhëniet me Turqinë
Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, është zotuar se forcat turke do ta vazhdojë operacionin ushtarak në pjesën veriore të Sirisë deri në arritjen e qëllimit për krijimin e të ashtuquajturës “zonë sigurie” përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Forcat turke e nisën ofensivën për largimin e luftëtarëve kurdë të mërkurën e kaluar, pasi trupat amerikane u tërhoqën nga ky rajon. Erdogan sqaroi mediat pas raportimeve se ai do të takonte vetëm Presidentin Trump nga pala amerikane dhe se Pence dhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, do të takohen vetëm me homologët e tyre turq, të enjten në Ankara. “Kur Trump të vijë këtu, do të flas me të”, tha Erdogan. Por më vonë, ai tha do të takohet me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo dhe Zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, mbi tensionet e krijuara prej aksionit të Turqisë në zonat kufitare siriane. Të hënën, administrata Trump vendosi sanksione ndaj tre zyrtarëve të lartë turq dhe rriti tarifat për importin e çelikut të Turqisë. Këto masa janë cilësuar të buta nga ligjvënësit amerikanë, të cilët kërkojnë ndëshkim më të ashpër për luftën e Turqisë ndaj kurdëve që ishin në aleancë me SHBA- të në luftën kundër ISIS në Siri. Pompeo tha të mërkurën se Trump po dërgon atë dhe Pence pasi “e ndjen se ishte shumë e rëndësishme që ne ta bëjmë këtë diskutim në nivelet më të larta të qeverisë amerikane dhe ballë për ballë”. Pompeo shpreson se vizita e tij në Turqi do të çojë Ankaranë drejt një armëpushimi në Siri, por theksoi se Uashingtoni nuk dëshiron të dëmtojë marrëdhëniet Turqinë. “Qëllimi ynë nuk është të prishim marrëdhëniet me Turqinë. Ata duhet të ndalojnë, kemi nevojë për armëpushim që të mund ta zgjidhim këtë situatë”, deklaroi ai. Pompeo theksoi se SHBAja ka një marrëdhënie të vështirë me Turqinë, por shpreson për një zgjidhje të duhur pas përfundimit të vizitës. Në një intervistë me “Fox Business Network”, Pompeo tha se Erdogan e kishte siguruar Trump në një telefonatë gjatë fundjavës se forcat turke nuk do të hynin në Kobani, të cilin sekretari amerikan e përshkroi si një qytet të madh me “popullsi civile shumetnike”. Ndërkohë forcat e qeverisë siriane dhe trupat ruse kanë hyrë në qytetin Kobani të mërkurën, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Forcat ruse raportohet të kenë kapërcyer lumin Eufrat në veri të Sirisë dhe ndodhen në rrethinat e qytetit Kobani, të mbështetur në lindje nga Forcat Demokratike siriane të udhëhequra nga kurdët. Trupat ruse u drejtuan në veri, pasi Forcat Demokratike Siriane nënshkruan një marrëveshje me qeverinë siriane, që Ushtria e Presidentit Bashar al- Assad të vendoset në kufi, për shkak të operacionit ushtarak turk.
Trump u tha reporterëve se nuk ishte i shqetësuar që Rusia po lëvizte në hapësirën e lënë bosh nga tërheqja e trupave amerikane nga veriu i Sirisë. “Siria mund të ketë pak ndihmë nga Rusia dhe kjo është në rregull”, tha Trump.