Tokat me 7501, kushtet e reja për të marrë tapinë
Komisioni i Venecias jep rekomandimin final për ndryshimet në ligjin “Për Proceset Kalimtare të Pronësisë”. Çfarë thuhet për rolin e qeverisë dhe nenet që rrëzohen nga projektligji. Si do korrigjohen AMTP- të aktuale dhe çfarë ndodh me tapitë me “7501”
Komisioni i Venecias shpreh shqetësimin në lidhje me ligjin e ri të qeverisë, që i hap rrugë anulimit të tapive të dhëna me 7501 nëse ato bien ndesh me kriteret e caktuara rishtazi.
Gazeta zbardh sot raportin final, në të cilin kërkohet rishikimi i draftit në tërësi, duke e cilësuar atë të paqartë dhe të pasaktë. Por çfarë është me e rëndësishme, Komisioni e konsideron në shkelje të Konventës së të Drejtave të njeriut atributin që Qeveria ka marrë për të shfuqizuar Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim.
RAPORTI Vlerësimi i bërë është i bazuar në disa nga nenet e ligjit të ri "Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë", por edhe nga situata faktike në terren, ku mbi 80 për qind e territorit rezulton e paregjistruar. Ka zona, nëpër të cilat procesi nuk ka nisur asnjëherë. Por në pjesën dërrmuese, familjet kanë në duar vetëm Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim ( AMTP) dhe jo dokumentin e pronësisë. Kjo, sepse procedurat nuk janë përmbyllur deri në fund. Nisur nga kjo situatë, qeveria e ka pasur më të lehtë për të hartuar një ligj, në të cilin merr kompetenca për të mos njohur titujt e pronësisë të dhënë ndër vite, duke i anuluar apo shfuqizuar ato. Në ligj është menduar edhe për mënyrën sesi mund të arrihet kjo. Konkretisht, në nenin 10, janë përcaktuar kushtet apo kriteret e reja që do të aplikohen për regjistrimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Përdorim. Kjo gjë vihet në dukje edhe raportin final të Venecias, ku thuhet se kjo ndërhyrje cenon Konventën për të drejtat e njeriu, pasi bëhet fjalë për familje që e kanë në përdorim tokën bujqësore për vite me radhë. Përdorimi i vazhdueshëm i pronës, pavarësisht se mungon tapia, vlerëson Komisioni, përbëjnë pronë të mbrojtur, që s'mund të preket. Por çfarë fshihet pas nismës së qeverisë?
KUSHTET Ndër kushtet e vendosura rishtazi për të marrë dokumentin e pronësisë për tokën bujqësore që është në përdorim, është që kjo sipërfaqe të mos jetë zënë nga ndërtimet pa leje dhe tjetra të mos jetë objekt i investimeve strategjike. Me anë të këtyre ndryshimeve, qeveria kishte dorë të lirë për të vendosur mbi fatin e tokave pa u dashur që ky proces të kalonte në rrugë gjyqësore. Kjo bëhet edhe më kuptimplotë kur bëhet fjalë për tokat në bregdet, ku përballë qytetarit, investitori do të kishte përparësi. Por rrëzimi i ligjit nga "Venecia" i hap rrugë korrigjimit të tij. Kreu i Kadastrës, Artan Lame, tha pak ditë më parë se ligji do të rishikohet duke marrë në konsideratë rekomandimet e komisionit.