Mbarimi i mandatit, Mogherini darkë me liderët e Ballkanit, mungon Rama

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, priti mbrëmë në një darkë pune udhëheqësi­t e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën ra në sy mungesa e Ramës. Bëhet fjalë për një traditë joformale që ka nisur qysh në vitin 2017, ndërsa mësohet se kjo është darka e fundit pak para lënies së mandatit të saj në fillim të dhjetorit. Është njoftuar se në takim do të merrnin pjesë: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi; Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç; Kryeminist­ri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev; kryeminist­ri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq; dhe anëtarët e Presidencë­s trepalëshe të Bosnjës, Zhelko Komshiq, Millorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviq. Është ky takimi i parë midis Mogherinit dhe udhëheqësv­e të Ballkanit, që kur Këshilli Europian dështoi t’i jepte dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të filluar bisedimet e pranimit. Po ashtu, Presidentë­t e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen për herë të parë që nga viti i kaluar, kur bisedimet për normalizim­in e marrëdhëni­eve midis tyre janë ndërprerë, për shkak të taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia në nëntor 2018. Mogherini ka ndërmjetës­uar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Mandati i saj skadon më 1 dhjetor. Pritet që në këtë takim të diskutohet rreth situatës dhe problemati­kave në Ballkanin Perëndimor, si dhe dhënia e këshillave të fundit nga Federica Mogherini. Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka qenë shumë e angazhuar në avancimin e dialogut Kosovë- Serbi gjatë mandatit të saj, por dhe për procesin e hapjes së negociatav­e me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.