Alarm i rremë për bombë në Ambasadën Çeke, nisin hetimet

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Një alarm për bombë në afërsi të Ambasadës çeke në Tiranë, ka vënë në lëvizje Policinë, që ka nxituar të rrethojë zonën. Alarmi është dhënë pas një telefonate anonime, që është bërë në Policinë e Tiranës, për të cilën tashmë kanë nisur hetimet. Policia rrethoi zonën, ndërsa nisi menjëherë kontrollet me qen antieksplo­ziv dhe forca xheniere për të verifikuar nëse bëhej fjalë për diçka konkrete apo ishte thjesht një alarm fals. Në fakt, pas disa minutash, rezultoi kjo e fundit. Pranë Ambasadës Çeke, por përgjatë gjithë perimetrit në Bllokun e Ambasadave, nuk u zbulua asnjë objekt i dyshimtë, aq më tepër bombë. Pasi vendngjarj­a rezultoi “e pastër”, forcat e Policisë u larguan. Por gjithsesi, tashmë ka nisur një hetim për të zbuluar autorin e telefonatë­s anonime që alarmoi selinë diplomatik­e, Policinë, por edhe qytetarët. Nuk dihet ende se cili ka qenë qëllimi i autorit, që ndryshe nga herët e tjera, kur jemi mësuar të shohim valixhe apo çanta të harruara apo që janë lënë qëllimisht në rrugë për të përhapur panik, mbrëmë nuk kishte asnjë objekt. Ishte thjesht një telefonatë, që megjithatë u trajtua me seriozitet­in maksimal nga forcat e Policisë. Një ngjarje e tillë ndodh vetëm dy ditë para se selitë diplomatik­e në Tiranë të nisin të ruhen nga punonjës të “Illyrian Guard” dhe jo nga policët e objekteve të Policisë së Shtetit. Edhe kjo arsye po shihet me seriozitet nga ana e Policisë, për të kuptuar nëse telefonata anonime mund të jetë bërë edhe për të testuar reagimin e tyre për sigurinë e ambasadave.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.