Panorama (Albania)

Blendi Fevziu rrëfen heroin e tij: Kush ishte Iljaz Toptani, aventurier­i që u martua gjashtë herë

Iljaz Toptani, njeriu që refuzoi të përshtatej me jetën tradiciona­le shqiptare dhe vdiq si kont në Spanjë

- BLENDI FEVZIU

U martua 6 herë. Një herë me një pasunare diamantesh, një tjetër aktore, një tjetër e apasionuar pas makinave... Iljaz Toptani ishte pa dyshim aventurier­i më i madh shqiptar i kohës së vet. Shkonte e vinte jashtë shtetit, atje ku e çonte udha: në Paris, në Johanesbur­g, në Nju Jork, në Argjentinë, në Spanjë. Iljaz Toptani, vëllai i stërgjyshe

Nonës, kishte "zemër të dobët" karshi femrave dhe ishte një njeri që kishte lindur për të shijuar jetën. Në librin e tij "Tirana e Nonës", botim i UET Press, Blendi Fevziu tregon për burrin më "misterioz" të familjes Toptani, i cili jetoi si deshi dhe vdiq si konti Don Hoze Maria Toptani, që ndërroi jetë në moshën 69- vjeçare.

ILJAZ TOPTANI, HEROI I FËMIJËRISË .. Ai nuk vinte kurrë me valixhe. Nuk e kishin parë asnjëherë si të gjithë udhëtarët e tjerë. E vetmja gjë që mbante ishte një çantë e vogël, ku vendoste veglat e rrojës dhe furçën e dhëmbëve. Shfaqej te porta po aq papritur, pa telegram, pa njoftim. Shtynte derën e jashtme, ngjiste shkallët dhe bërtiste që poshtë: - Nigjar, të erdhi Iljazi! Nona nuk e kuptonte pse fliste në vetën e tretë, por e dinte që ai e përsëriste thirrjen edhe disa herë. - Nigjar, të erdhi vëllai! Ishin të vetmet fjalë që lëshonte, pavarësish­t se kur pati ikur dhe sa vite kishte pa u kthyer në Shqipëri. Ikte po kaq çuditshëm. Një mëngjes, ngrihej më herët dhe me çantën e vogël të veglave të rrojës dhe furçën e dhëmbëve, thoshte vetëm një frazë:

- Nigjar, po iki! Askush nuk guxonte ta pyeste ku po shkonte, kur do të kthehej dhe a do të kthehej më. Druaj nëse edhe ai e dinte tamam këtë. Ishte udhëtari tipik, një aventurier par excellence. Nisej pa e ditur as vetë për ku, por me bindjen absolute se bota ishte e tij. Dhe siç e kuptova më pas, ishte vërtet një qytetar i botës. Iljazi ishte personazhi më i veçantë në familje dhe i vetmi që nuk mungonte kurrë në biseda. Me një përzierje ndjenjash, ku bashkohej mëria për sjelljen dhe shpërfillj­en e tij, me mallin që provonte e motra, apo i nipi, daja. Ky i fundit, që veç Refik Beut nuk pranonte askënd, dukej hapur që e simpatizon­te Iljazin, megjithëse vetë nuk kishte asnjë fije prej aventurier­i. Nona e përmendte rrallë, ndërsa teta Meti mahnitej pas tij. Bibia, sa herë që e pyesja, qeshte me të madhe dhe nuk harronte të thoshte:

- Ditëziu, ai bënte jetë! Ai dhe Ihsani qenë dy aventurier­ët më të mëdhenj të Tiranës. Pastaj shtonte:

- Nuk i zuri komunizmi këtu, se kushedi ç'aventura do të kishin bërë! Ihsan Toptani ishte djali i dajës i Bibisë, i biri i Abdi Toptanit. Ishte larguar herët për studime në Londër dhe kur u kthye në Shqipëri, në prag të luftës, u përzje në lëvizjen e rezistencë­s. Në shtëpinë e tij u bë takimi i parë mes partizanëv­e dhe ballistëve, që u finalizua në Mukje. Ai ishte ndërmjetës­i. Ndihmoi sa mundi misionin britanik në Shqipëri. Në 1944- n, kur komunistët morën pushtetin, pavarësish­t marrëdhëni­eve të mira me ta, u largua. U vendos në Londër, ku u bë gazetar i BBC- së dhe themelues i seksionit shqip. Për shumë vite shëtiste bashkë më Iljazin nëpër Europë me një rulot dhe takonin miqtë e vjetër. Në 1994- n u kthye në Shqipëri, ku u takua sërish me Bibinë pas plot 50 vitesh. Vdiq në vitin 2001 në Londër, pasi më dha një intervistë fantastike për revistën "Klan". Amaneti i vetëm që la ishte që trupin t'ia digjnin dhe hirin t'ia shpërndani­n në Malin e Dajtit. T'ia hidhnin prej aty drejt Tiranës, kur të ishte duke lindur dielli. Ia plotësuan amanetin. Nuk e di sa aventurier ishte Ihsani, por pa dyshim që me Iljaz Toptanin nuk kishte fare të krahasuar. Iljazi ishte djali i Refik bej Toptanit dhe vëllai i dytë i Nonës. Kishte lindur në vitin 1907 në Tiranë dhe ashtu si Ganimeti e Ibrahimi, s'e njohu kurrë nënën e tij, Adivijen. Mungesa e nënës dhe fjalët se shkaku i largimit të saj ishte i ati, e futën herët në një lloj mërie me të. Siç tregonte Nona, Iljazi nuk e duronte dot të atin, por as ky të birin. Marrëdhëni­a ishte aq e ftohtë, sa Refik Beu vendosi ta niste në Francë ende fëmijë për të vijuar studimet. Ai ishte 11 vjeç, kur hipi në anije dhe u nis drejt Parisit të sapodalë nga Lufta e Parë Botërore. Nuk dihet fare se çfarë bëri atje dhe me se u mor. Në shtëpi vinin pak ose aspak lajme prej tij, derisa një ditë, 19- vjeçar, u shfaq në Tiranë i shoqëruar nga një franceze, një vit më e vogël, e cila, siç thoshte, ishte gruaja e tij e ardhshme. Francezja qe hebreje dhe mbeti e befasuar nga mungesa e zhvillimit në Shqipëri. Akoma më shumë nga mëria e të vjehrrit të ardhshëm, që nuk e mendonte dot djalin të martuar me një të huaj, së cilës nuk ia njihte familjen askush. Duke parë indiferenc­ën e të atit, ai trokiti vetë në derën e Presidenti­t të kohës, Ahmet Zogut, që ishte 31 vjeç dhe i kërkoi punë. As Zogu nuk e mori seriozisht. Duhet të ketë qenë kjo koha, kur mërinë ndaj të atit, Iljazi e shndërroi në mëri ndaj vendit të tij.

90 vite më pas, kur u ula në kafe me vajzën e tij, që askush nuk e dinte që ekzistonte, më rrëfeu se për aq pak kohë sa ndenji me të atin, ai i dha vetëm një porosi:

- Mos shko kurrë në Shqipëri, as mos e mendo atë. Madje, mos e kthe as kokën edhe po i kalove pranë!

Por Iljazi nuk dukej se e kishte varur shpresën as te Zogu e as tek i ati. Një ditë i hyri Refik Beut në dhomë dhe iu drejtua në atë mënyrë që nuk i ishte drejtuar askush. I kërkoi pjesën e tij të pasurisë, sepse tani ishte i rritur dhe do të bënte çfarë të donte me të. Grindja me të atin duhet të ketë qenë e ashpër, sepse, siç rrëfente Nona, shtëpia e madhe me 20 dhoma gjëmoi nga britmat e të dyve. Gratë u tulatën në korridor, ndërsa francezja, që kishte ardhur me të nga Parisi, mbeti si statujë në mes të sallës, duke mërmëritur me zë të ulët: - Mon Dieu, mon Dieu! Iljazi doli nga dhoma me zërin e ngjirur, pa marrë dot pjesën e tij të pasurisë, që i ati i tha se do ta kishte vetëm kur të vdiste ai, por me një premtim. Refik Beu do t'i jepte shpenzimet e udhëtimit për të ikur nga Shqipëria dhe një sasi parash për të jetuar 5- 6 muaj diku në Europë. Madje, i sugjeroi të kthehej pas në Francë ose në Vjenë. Si t'ia bënte për inat, djali i tha se do të nisej për Johanesbur­g, një qytet që i ati me siguri s'e kishte dëgjuar kurrë dhe që më pas, kur e gjeti në atlas, u tmerrua që ishte në Afrikë, madje në skajin më jugor të saj. Iljazi u nis vërtet. Pas disa muajsh qëndrimi në Shqipëri, me disa para në xhep dhe me francezen në krah, mori anijen për në Bari duke mallkuar vendin ku kishte lindur dhe babanë, me të cilin nuk kuptohej dot. Siç ndodhi edhe herën e parë, lidhjet me Iljazin humbën derisa dy vjet më pas, në shtëpinë e Nonës mbërriti një zarf me pullë postare dhe vulë të çuditshme, që mbante adresën Cape Toun, South Africa. Brenda saj ishin disa foto të Iljazit, i veshur si kalorës, majë një kali të bukur dhe një letër, ku fare shkurt njoftonte se jetonte në Afrikë, kishte gjetur atje shpirtin e tij binjak dhe se nuk kthehej më në Shqipëri. Imagjinoni se si mund të jetë dukur fjala Afrikë në Shqipërinë e vitit 1928. Kur Refik Beu e mori vesh, u ngrys edhe më shumë.

Teksa po shkruaja librin dhe nisa të kujtoj bisedat e Nonës për Iljazin apo edhe të dajë Aliut për të, pata bindjen se thellëthel­lë, më shumë sesa mëri, Refik Beu kishte xhelozi për djalin e tij. Ai qe një aventurier i madh në rininë e tij. Kishte bredhur mes Kaukazit e Stambollit, mes Arabisë dhe Parisit, por nuk kishte guxuar kurrë të shkonte kaq larg. I biri kishte kaluar Tropikun dhe e bëri këtë pa pyetur për paratë dhe fuqinë e tij. Në kontrast me heshtjen e gjatë të mëparshme, një muaj më vonë erdhi një letër e dytë. Në të Iljazi njoftonte fejesën me një vajzë afrikano- jugore me origjinë holandeze, që quhej Gulda. Madje, i ftonte edhe formalisht në ceremoni. Asnjë fjalë për francezen që çoi në Tiranë, emrin e së cilës, kur pyesja më pas, nuk e kujtonte askush. Vetëm sytë e trembur, që, siç thoshte Nona, zmadhohesh­in edhe më shumë, ndërsa hynte në thellësi të punëve të shqiptarëv­e. Nuk dihej se çfarë ndodhi mes të dyve, por kjo nuk do të ishte lidhja e vetme e prishur e Iljaz Toptanit. Ai do të martohej se paku edhe nja gjashtë herë të tjera. Këtë ma rrëfente në konfidencë vajza e tij, kur e takova në Paris, në mars 2018, dhe kur pa habinë time, shtoi qetë:

- Unë jam martuar për vete shtatë herë, një herë më shumë sesa babai. Ajo më rrëfeu detaje që as Nona, as dajë Aliu, as teta Meti e pa dyshim as Bibia, nuk i dinin. Dhe nuk kishin si t'i dinin. Gulda ishte vajza e vetme e një familjeje që posedonte një minierë diamantesh në Pretoria dhe aksione të rëndësishm­e në kompaninë "De Beers". Ajo ishte bionde, e bukur dhe shumë e dashuruar me Iljazin, me të cilin ishin njohur ndërsa ndiqnin një kurs kalërimi në Johanesbur­g. Kalërimi ishte bërë pasioni më i madh i Iljazit. Shpejt, ai i kaloi instruktor­ët dhe fitoi disa gara në nivel kombëtar. Fama prej kampioni e mahniti vajzën dhe pas pak muajsh frekuentim­i, shpalli fejesën në një festë, që siç rrëfente Izabela, vajza e tij, qe thjesht madhështor­e. Këtu Nona dhe teta Meti hynin sërish në lojë. Pak muaj më pas, në adresën e tyre, mbërriti një letër gjermanish­t, me anë të së cilës Gulda i njoftonte me shumë afeksion se ishte fejuar me vëllanë e tyre, se kishin ndërmend të martoheshi­n shpejt dhe i ftonte në dasmë në Pretoria. Gulda, që nuk e njohën dhe nuk e panë kurrë, u bë nusja e preferuar në familje. Shumë më vonë, teta Meti i shkroi një letër në adresën e vjetër, duke i kërkuar disa penicilina, për të cilat kishte nevojë dhe që me siguri kushtonin shumë. Gulda ia nisi menjëherë, bashkë me një përgjigje, që e ruanim deri vonë në shtëpi. E njoftonte se ishte e lumtur që po e ndihmonte me diçka, që mund të shpëtonte një jetë, por se ajo dhe Iljazi ishin ndarë prej kohësh. Lajmi i ra mbi kokë Nonës dhe teta Metit. Iljazi u nda vërtet me Guldën pak vite më pas. Datat precize janë të vështira, por historinë e ndërtova duke bashkuar në pazëll rrëfimet e vajzës së tij franceze, Izabelës, me ato që kisha dëgjuar nga Nona dhe teta Meti. Pas dasmës në Johanesbur­g dhe një jete të lumtur, Iljazi dhe Gulda vendosën të largoheshi­n nga Afrika. Jo në Holandë, as në Francë, ku Iljazi kishte studiuar, por në Nju Jork. Nuk dihet se kush e nxiti këtë iniciativë, por ata u ngjitën në një anije, me të cilën lundruan deri në Antverp. Prej aty, pas disa muajsh udhëtimi nëpër Europë, nga Southempto­ni, po me anije, u nisën për Nju Jork. Iljazi nuk rrëfeu për jetën e tij në Nju Jork. As për ndarjen me Guldën dhe as për martesën e dytë që pati atje. Madje, as për të tretën. Që nga ikja e parë, në 1928- n e deri më 1937- n, ai u kthye edhe dy herë të tjera në Shqipëri. Nuk shkeli më në shtëpinë e të atit, por vetëm te Nona. Flinte në po atë dhomë ku flija unë në fëmijëri dhe zakonisht e kalonte

kohën duke luajtur me dajë Aliun. I merrte revistat me ilustrime italisht dhe i lexonte duke qeshur me zë të lartë. Qenë të vetmit libra që lexonte. Dilte rrallë, ishte arrogant me të tjerët dhe për shumicën e njerëzve që takonte, thoshte se ishin injorantë. Në kthimin e parë, në 1935- n, mori dajë Aliun për dore dhe e çoi në "Shkollën e Kuqe" për të nisur klasën e parë. Flinte gjatë dhe përtonte të bënte ndonjë punë. Në këtë kohë i doli nami si aventurier dhe disa herë e thirrën në Pallatin Mbretëror të kalëronte me princeshat. Zogun e urrente edhe më shumë pas një incidenti të dytë që pati me të, për të cilin do të shkruaj më vonë. Qëndronte në Tiranë disa muaj, pastaj zhdukej sërish, derisa një letër me pullë të çuditshme njoftonte se në cilin cep të botës ndodhej. Pas vdekjes së të atit shiti tokat, çdo gjë që kishte, madje edhe biçikletën që përdorte në Tiranë. - Nuk dua të lë asnjë gjë në këtë vend, - i tha së motrës. Nju Jorku nuk iu doli për mbarë Iljaz dhe Gulda Toptanit. Vite më vonë, teta Meti kishte takuar në Paris një amerikane, e cila duke mësuar mbiemrin e saj, e pyeti për Iljazin. E pati njohur në Nju Jork dhe, siç thoshte ajo, familja e gruas së tij, kishte diamantet më të famshme e më të bukura në qytet dhe të dy bashkë ishin bërë të njohur në rrethet e pasura të qytetit. Aty ku Iljazi nisi historinë e dashurisë me pinjollen e një familjeje të pasur kanadeze, që prodhonte makineri bujqësore, Massey. Gulda e mësoi lidhjen e tyre dhe pas një sherri të shpejtë u ndanë. Iljazi ishte martuar me kanadezen e re, për të cilën as Nona dhe as teta Meti nuk morën vesh gjë. Madje, as emrin e saj të saktë. Izabela, vajza e tij, më premtoi se do të bënte çfarë të ishte e mundur që të gjente diçka për të, por çdo kërkim rezultoi i pafrytshëm. Nuk di të them përse Iljazi nuk foli kurrë për të. As në kthimin e tij të parë në Shqipëri dhe as në atë tjetrin, të dytin. Duke mos folur për martesën, nuk foli as për ndarjen. Herën e parë u kthye pas thyerjes mes tij dhe kanadezes, ose në kushedi çfarë rrethanash, sepse malli ishte gjëja më e pamundur për të. Herën e dytë u kthye pas vdekjes së të atit, për të shitur tokat dhe pasuritë që i mbetën trashëgim. Pak kohë pasi gjendej në Tiranë i mbërriti një letër. Nuk vinte as nga Franca, as nga Afrika e Jugut dhe as nga Nju Jorku, por nga Meksiko, kryeqyteti i Meksikës. Dajë Aliu kujtonte se si ia tregonte me mburrje dhe tri ditë më pas, në mëngjes, kur u ngrit, e gjeti të veshur dhe të krehur:

- Po shkoj atje, - i tha, - më presin! Dhe ngriti letrën për t'u dukur më mirë pulla, ku qe shkruar "Mexico".

Iku vërtet po atë ditë. Herën e fundit ishte vonuar plot nëntë vjet nëpër botë, por herën e dytë vetëm dy. Më 1937- n u rikthye pas vdekjes së të atit për të shitur pasurinë e tij. Me vete kishte sjellë edhe një kostum fantastik kauboji për dajë Aliun dhe një kartolinë, ku kishte dalë vetë, mbi një kalë, me mbishkrimi­n Iljaz Toptani, trajner i ekipit olimpik të hipizmit të Meksikës. Këtë herë dukej më entuziast për Amerikën e Jugut. Dajës i tregoi se kishte jetuar në Meksiko City, më pas në Montevideo Uruguai, ku rastësisht, në hotelin më të mirë të qytetit, qe takuar me një shqiptar nga familja Alizoti, i cili kishte ardhur aty nga Stambolli. Pati vizituar Buenos Airesin, Santiagon dhe Panamanë, ku po ashtu gjeti një komunitet shqiptar, jo aq të madh sa ai i Argjentinë­s, por shumë solid.

Vite më vonë, kur isha në Buenos Aires, u mundova shumë të gjej një gjurmë të tij, por pleqtë me origjinë shqiptare nuk jetonin më, ndërsa të rinjtë nuk e kishin dëgjuar. Ndërkohë, në internet mund të qëmtosh aty- këtu informacio­ne, që më shumë sesa me Iljazin, lidhen me martesën e tij të katërt dhe më të famshmen. Gjatë vizitës së tij, Mbreti Zog, që kishte mësuar për kthimin e tij, dërgoi një adjutant ta ftonte në Pallat. Iljazi ndenji shumë shkurt dhe kur qe kthyer ishte tejet i nervozuar. Siç tregonte Nona, gjatë kohës që rrinte në Meksikë si trajner hipizmi, kishte dhënë disa intervista, ku thoshte se ishte kushëri i Mbretit Zog, pra, rridhte nga një familje mbretërore. Zogut ia dërguan këtë intervistë dhe ai, tejet i nxehur, i dha një ultimatum:

 ??  ?? Iljaz Toptani
Iljaz Toptani
 ??  ?? Blendi Fevziu
Blendi Fevziu
 ??  ?? ILJAZ TOPTANI, NË VITET ‘ 20, NË MEKSIKË
ILJAZ TOPTANI, NË VITET ‘ 20, NË MEKSIKË
 ??  ??
 ??  ?? ILJAZ TOPTANI, NË FUND TË VITEVE ‘ 20, NË AFRIKËN E JUGUT
ILJAZ TOPTANI, NË FUND TË VITEVE ‘ 20, NË AFRIKËN E JUGUT

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania