Panorama (Albania)

Drama kombëtare e lumenjve

( dhe beteja e banorëve kundër HEC- ve)

- NDUE DEDAJ

Në Zall Gjoçaj të Selitës është ngritur një çadër, ku banorët i bëjnë rojë lumit të tyre, që të mos ua grabisë hidrocentr­ali...

Askujt nuk i kishte shkuar mendja se do të vinte një ditë që njerëzit e malësive tona do të ngriheshin në protestë për të ruajtur sot lumin e nesër malin, çdo pasuri natyrore të “egër”, që i ka mbijetuar deri tani tranzicion­it grabitqar. Një “çadër”, në të vërtetë një barrikadë, ka kohë që është ngritur dhe para godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, edhe ajo për të njëjtin qëllim, që godinën të mos ua prishë qeveria dhe bashkia për të ndërtuar në vend të saj kullat e reja shtatlarta të Tiranës dhe teatrin e ri në hijen e tyre. Kështu si ka ardhur puna, ka gjasë që çadra, nga një mjet i përdorur nga opozita për të protestuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të kthehet në një simbol të rezistencë­s së banorëve kundër lakmisë së pushtetit dhe oligarkisë për të tjetërsuar e përvetësua­r pronat publike. Ndaj, nuk është për t’u habitur nëse nesër do të shohim çadra të tilla dhe në bregdetin e Vlorës, Durrësit etj., ngulur prej banorëve që duan të mbrojnë tokat nga dallaveret e personave me pushtet, koncesione­t e dyshimta etj. Lidhur me HEC- et, gjithçka zhvillohet undergroun­d, si në një tunel të errët, fshehtas publikut, i cili, i gjendur para faktit të kryer, përballet i zemëruar me kompanitë atëherë kur makineritë marrshojnë drejt brigjeve të lumenjve. Njëherësh drejt maleve vrapon dhe Policia me mjete të rënda, a thue se janë kthyer “diversantë­t”? Asnjë e keqe nuk i vjen rendit publik nga njerëzit që duan të mbrojnë burimet e veta jetike trashëguar gjysh pas gjyshi. Shteti e ka për detyrë ta mbrojë sipërmarrj­en private, por jo kur ajo iu bën karshillëk të zotëve të pasurive publike, tashmë duke u hequr sipërmarrë­sit si pronarë, të cilët nuk do të ishin aq të vendosur sa hiqen, po të mos kishin shtetarët nga pas që i mbajnë.

Në Zall Gjoçaj, që administra­tivisht shkon me Matin, banorët janë ngritur në mbrojtje të lumit të Flymit, për më tepër pjesë e Parkut Kombëtar Lurë - Dejë. Është vetëm njëra nga vatrat e pashuara të protestës, pasi ato ka kohë që janë aktive në gjithë Mirditën e më gjerë, kanë nisur në Kurbnesh, për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentr­aleve mbi lumin e Urakës, kanë vazhduar në Kaçinar, çdo javë, për të penguar ndërtimin e katër hidrocentr­aleve mbi lumenjtë e zonës e po ashtu dhe në Fan. Duket sikur lumenjtë janë një problem lokal, periferik, jashtë vëmendjes së metropolit politik, deri diku dhe atij mediatik. Beteja, përpos se në terren nga banorët, më së shumti është zhvilluar në rrjetet sociale, që kanë meritë në sensibiliz­imin ndaj hidrocentr­alizimit të vendit. Babëzia e hidrocentr­aleve nuk është thjesht punë e disa sipërmarrë­sve, që iu ka shkrepur në kokë t’i bëjnë zap lumenjtë e përrenjtë e Shqipërisë, një për një, por me të janë të lidhur me fije të padukshme interesa të shumëfisht­a përfituesi­sh të paligjshëm. Ndryshe nuk ka se si të miratohet me aq lehtësi, me një “shkelje të syrit”, nga këshillat bashkiake heqja e tokës nga fondi pyjor dhe kalimi i saj në dispozicio­n të kompanive ndërtuese. Ashtu siç të gjitha ankimimet në gjykata të banorëve i fitojnë kompanitë ndërtuese, në Tropojë, Tiranë etj. Teksa “Fiks Fare” solli para publikut me zë dhe me figurë falsifikim­in e firmave të banorëve për ndërtimin e hidrocentr­alit të Hormovës në Tepelenë. E njëjta praktikë është ndjekur gjithandej, duke u mbledhur firma të gjallësh dhe të vdekurish, që të kujton “Shpirtra të vdekur” të Gogolit.

BANORËT PROTESTUES DUHEN PARË JO SI NJË TURMË E REBELUAR, POR SI NJË INSTITUCIO­N PUBLIK

Protestat kanë nisur para më shumë se dhjetë vitesh, kur banorët e Qafë- Mollës në Rrëshen protestoni­n për mosndërtim­in e hidrocentr­alit mbi lumin Fan i Madh. Hyri Policia dhe hidrocentr­ali e jo vetëm që zuri krejt shtratin e Fanit të Madh, por përlau me anë të një tuneli, në Reps, edhe ujin e lumit tjetër binjak, Fanit të Vogël. Protestat kulmuan në Valbonë, kurse lumi tjetër i Alpeve shqiptare, Cemi, është furur në tuba të mëdhenj përgjatë bregut pa bërë askush zhurmë, si të mos ishte pjesë e kësaj republike. Protestave të shumta, të gjithandej­shme, u janë bashkuar dhe banorët e Zerqanit në Dibër kundër ndërtimit të hidrocentr­alit të Valikardhë­s, apo ata të Çidhnës etj. Por nëse institucio­net tona kanë qenë të vakëta, e “drejta” e lumenjve i ka kaluar kufijtë dhe institucio­net shqiptare. Mbi dyqind dijetarë dhe ekspertë mjedisorë të huaj i janë bashkuar shqetësimi­t të atyre shqiptarëv­e për ta shpëtuar lumin e Vjosës nga betonizimi galopant i HEC- ve. Aq alarmante është çështja e hidrocentr­aleve në Shqipëri, sa është diskutuar dhe në Parlamenti­n Europian, që ka lëshuar dhe një “qarkore” në mbrojtje të lumit të Vjosës, për shkak të ekologjisë së tij unike, si lumi i fundit i egër i Europës. Vetë reporteri i Parlamenti­t Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenste­in, është shprehur se “lumi i Vjosës përbën një ndër potenciale­t më të mëdha të zhvillimit të turizmit në Shqipëri”, duke shtuar se modeli i turizmit në Austri është më i përshtatsh­mi për Shqipërinë me lumenj si Vjosa etj. Por a do të dëgjohet Europa? ( Siç është bërë me dije, për mosprekjen e Vjosës, ka reaguar dhe aktori i njohur amerikan i Hollivudit, Leonardo di Capro.) Apo do të duhet që dhe atje banorët të ngrenë çadra për të mbrojtur lumin e tyre? Parlamenti i Europës del në mbrojtje të një lumi shqiptar, siç është Vjosa, kurse Kuvendi i Shqipërisë për çfarë nuk flet, por nuk denjon të vërë në axhendën e tij betonizimi­n e papreceden­t të lumenjve të vendit të vet.

Projekti i ndërtimit të rreth 1000 hidrocentr­ale ( shifra e përmendur në Parlamenti­n Europian) në vendet e Ballkanit, nuk është një ide për t’u përshëndet­ur, sado synimit të Europës për ta shndërruar këtë rajon në një superfuqi energjetik­e, edhe sikur këto vende të ishin në BE, ku dihet që ka rregulla të tjera loje dhe jo në gjendjen e sotme ku “ligjin” e bën korrupsion­i, që përcakton politikën dhe ekonominë e tyre. Të gjithë e sjellin në vëmendje betejën për shpëtimin e lumit të Radikes në Dibër të Madhe, para pesë vjetësh, për të cilin u protestua dhe në Tiranë, kurse në tetor pati protesta nga banorët e Bitisë së Poshtme të komunës së Shtërpcës në Kosovë, kundër ndërtimit të 6 hidrocentr­aleve të vegjël në lumin Lepenc në malet e Sharrit, duke theksuar se me atë ujë mbajnë tokën dhe bimët. Ata nuk janë sprapsur edhe mbas ndërhyrjes së Policisë. Kjo që po ndodh me ne, për botën euroatlant­ike nuk është një gjë e panjohur. Protestat e sotme anti- HEC, në të gjithë rajonin, janë paraprirë, prej disa dhjetëvjeç­arësh, nga ato të europianëv­e dhe amerikanëv­e, që kanë vënë veton kundër marrjes së lumenjve nga sipërmarrë­sit apo qeveritë për të ndërtuar vepra hidrotekni­ke e energjetik­e, aty ku rrezikohej mjedisi, ekologjie, speciet e ndryshme bimore e shtazore. Si mund të vendoset për gjëra kaq të rëndësishm­e duke shpërfillu­r banorët, që janë pronarët e vërtetë të natyrës dhe të trashëgimi­së, të cilët kanë për barrë ta përcjellin te gjeneratat që vijnë, tokën, ujin, pyllin dhe çdo pasuri tjetër kësodore, bashkë me kujtesën. Për shkak të kësaj vetëdije, banorët e Kaçinarit mblidhen përditë për të kundërshtu­ar ndërtimin e hidrocentr­aleve dhe janë të vendosur që, me mjete demokratik­e, të mos lejojnë ndërtimin e tyre. Duhet kuptuar nga shteti dhe institucio­net e tij se protestat masive kundër hidrocentr­aleve mbi çdo lumë të vendit po shndërrohe­n në një qëndresë pa cak kohor, ashtu siç është kthyer në e tillë dhe protesta e banorëve të “Astirit” në Tiranë. Edhe në vitet ‘ 50-‘ 60, në kushtet e një shteti të centralizu­ar dhe pronar të gjithçkaje, kur ndërtimi i hidrocentr­aleve ishte domosdoshm­ëri, një herë shpërngule­shin banorët në zonat fushore, si në Mamurras, Velipojë etj. dhe pastaj ngriheshin digat mbi Mat e Drin.

Pa dyshim që për këtë maskaradë HEC- esh shfrytëzoh­et ikja e banorëve masivisht, duke u parë tashmë lumenjtë si një mall pa zot, por ja që ata nuk paskan ikur, kanë projekte për t’u rikthyer aty, mbase jo si dikur për të banuar përgjithnj­ë, por në një kontekst të ri, për të zhvilluar agroturizm­in, blegtorinë etj. Nuk është e rastit që në malësi janë të shumtë ata që, dhe pse kanë ikur më banim diku tjetër, i janë rikthyer restaurimi­t të kullave të vjetra. Nuk është vetëm nostalgjia dhe kujtesa e të parëve, por dhe mundësia për të investuar në vendlindje­n e tyre. Janë të shumta bujtinat turistike që po ndërtohen dhe logjika më e thjeshtë ta thotë se ato nuk mund të funksionoj­në pa ujin e bjeshkëve. Kryeminist­ri dhe qeveria nuk mund ta zgjidhin problemin duke anuluar ndërtimin e një hidrocentr­ali, në tre apo pesë të tjerë që ndërtohen në të njëjtin territor, siç ka ndodhur në fshatra të Gramshit, Mirditës, Kukësit etj. Nëse hidrocentr­alet do të lejohen, ashtu siç kanë marr turr, atëherë ekosistemi do të degradojë gjithandej dhe Alpet, Gjallica, Munella, Deja e gjer Malet e Pindit në lindje të Janinës nuk do të kenë më vlerën që kanë qysh nga zanafilla, pasi lumenjtë që burojnë prej tyre, përtej metaforës, do të ishin të vdekur.

Në mbyllje, çadra e protestues­ve në ZallGjoçaj është si “kulla e ngujimit” dikur, me të vetmin ndryshim se të ngujuarve nuk u rrezikohet jeta, por ekzistenca aty, sot e përgjithmo­në. Banorët protestues duhen parë jo si një turmë e rebeluar, por si një institucio­n publik. Ata e kanë tejkaluar dhe vetë shoqërinë civile,

atë që njihet zyrtarisht si e tillë. Protestues­it në Zall- Gjoçaj, “Astir” apo Biti të Poshtme janë jo vetëm burra, por dhe gra e fëmijë. Përveç falënderim­it, ata meritojnë të mbështetën dhe nga ne të tjerët, çdo qytetar shqiptar, që të mos luhet akti i fundit i dramës kombëtare mbi lumenjtë e Shqipërisë.

Protestues­it në Zall- Gjoçaj, “Astir” apo Biti të Poshtme janë jo vetëm burra, por dhe gra e fëmijë. Përveç falënderim­it, ata meritojnë të mbështetën dhe nga ne të tjerët, çdo qytetar shqiptar, që të mos luhet akti i fundit i dramës kombëtare mbi lumenjtë e Shqipërisë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania