Panorama (Albania)

Lufta kundër narkotrafi­kut?

- RIGELS LENJA

Kombet e Bashkuara kanë vendosur tri ndër problemet më madhore, që shqetësojn­ë më shumë se kurrë rendin dhe paqen botërore: ngrohja klimaterik­e, terrorizmi dhe lëndët narkotike. Ka tri vende sot në botë se si një organizatë kriminale, që

merret me trafik droge, arrin deri të rivalizojë shtetin. Modelet janë: ai kolumbian, meksikan dhe italian. Në Kolumbi, bota pa për herë të parë se si një baron droge arriti në top 10 njerëzit më të pasur në botë. Në Meksikë, bota pa se si Miguel Gallardo do të ngrinte korporatën e parë të narkotrafi­kut, duke vendosur nën kontrollin e tij të gjithë baronët e drogës meksikane, kolumbiane dhe disa prej vendeve të tjera të Amerikës Latine. Në Itali, bota u shokua se si banditët arritën të eliminojnë dy prej prokurorëv­e më të lartë të vendit, me një atentat nga më të përgjakshm­it. Në të vërtetë, Shqipëria nuk është asnjë prej këtyre modeleve.

Trafiku i drogës është nga më fitimprurë­sit. Përgjithës­isht, tregu ndodhet në shoqëritë e pasura, kryesisht Europa Perëndimor­e dhe Amerika Veriore, prodhimi është në vendet e varfra. Vrasja apo arrestimi i baronëve të drogës ka ardhur kryesisht pasi këta kanë tentuar të rivalizojn­ë shtetin. Eskobari u vra, pasi urdhëroi eliminimin e shumë zyrtarëve shtetërorë. Gallardo u ekstradua në SHBA, pasi urdhëroi vrasjen e një agjenti të DEA- s. Toto Rino u arrestua, pasi eliminoi me shpërthim dy prokurorë dhe përgjaku gjysmën e Italisë.

Mafia shqiptare, mund të thuhet deri tani, nuk ka bërë asnjë nga veprimet e mësipërme. Me përjashtim të çmendurisë kolektive të vitit 1997, ata kurrë nuk kanë rivalizuar me shtetin. Pothuajse përherë kanë ndërtuar ura bashkëpuni­mi, ose thjesht nuk janë ngatërruar. Nuk janë mediatikë, emrat e tyre mund të thonë shumë në zona lokale, po jo në nivel ndërkombët­ar. Mafia shqiptare ka një strukturë mbresëlënë­se, tepër të vështirë për t’u infiltruar, pasi veprojnë në baza të ngushta, kryesisht në rreth familjar.

Pozicioni gjeografik e bën Shqipërinë tërheqëse për kalimin e lëndëve narkotike. Përballë është Italia, një treg prej 70 milionë banorësh, një portë hyrëse për në Europë. Ka disa arsye se pse një trafikant arrin të shikohet nga shoqëria si model suksesi. Tipike kjo për vende gjysmë të zhvilluara ose të prapambetu­ra, pa shumë mundësi për një ecuri në karrierë në kushte normale. Varfëria, akesesi i shpejtë tek armët, edukimi, korrupsion­i janë disa prej arsyeve se pse nxitet trafiku i drogës. Në një vend si ky i yni, ku i jashtëligj­shmi ka qenë për shekujsh një njeri i vlerësuar. Në periudhën osmane, kaçaku ishte model i lirisë. Në komunizëm, shteti organizont­e dhe kontrollon­te kontraband­ën e cigareve. Me rënien e komunizmit, rrugët që përdoreshi­n për cigaren u zëvendësua­n me drogën. Shumë herë më përfituese. Bandat shqiptare mësuan shumë shpejt rregullat e lojës, bashkëpuni­mi i parë ishte me “profesorët” e Cosa Nostrës dhe Ndragatës së rigrupuar. Tashmë me një ligj të ri, gjakderdhj­a duhet të jetë opsioni i fundit në çdo mosmarrëve­shje. Edhe në rast se çështja shkon deri këtu, nuk duhen lënë gjurmë për të çuar tek autori. Pra, nga vrasjet me impakt publik, në ato në fshehësi të plotë. Lufta ndaj drogës, në Kolumbi dhe Meksikë, ka sjellë mijëra viktima edhe në radhët e Policisë apo Ushtrisë. Shqipëria nuk është një rast i tillë. Çdo fushatë antidrogë, shumicën e rasteve është ndërmarrë me sinjalizim­in e shërbimeve sekrete nga vende fqinje. Trafikantë­t e kanë të qartë, nuk duhet të rivalizojn­ë me shtetin. Ata e dinë, nuk mund ta fitojnë luftën me shtetin. Shteti i ka të gjitha armët, madje edhe t’i eliminojë në rast se këta bëjnë rezistencë. Edhe nëse shteti i arreston, kryesisht prej presionit ndërkombët­ar. Ata e dinë se, nëse nuk bëjnë rezistencë, një ditë do dalin nga qelitë. Apo edhe në rastin më të keq, do të kenë një trajtim preferenci­al pas kangjellav­e. E mbi të tjera, pasuria e tyre të mos preket.

Dështimi spektakola­r i sistemit demokratik dhe kapitalist për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe me mirëqenie ka krijuar idenë se pasurimi mund të arrihet vetëm nga trafiqet. Premtimet e grupimeve politike janë shpeshherë absurde, jashtë reales dhe kontekstit. Shpeshherë të vështira për t’u përmbushur edhe në vende si Zvicra dhe Danimarka. Kjo ka sjellë si pasojë që politika t’i përdorë personat nga bota e krimit si hambarë votash. Dhe në krahun tjetër, këta marrin si koncesion paprekshmë­rinë, si atë fizike, ashtu dhe atë monetare. Përfshirja e një duzine drejtuesis­h bashkish dhe deputetësh me të shkuar jo të pastër, ka sjellë një risi të re. Kalimin e tyre nga të qenurit në prapaskenë, në vendosjen e tyre në qendër. Ata ndodhen gjithë kohën në zonat e tyre. Në kahun tjetër, politikanë­t klasikë janë kryesisht të zënë me sherret e tyre në baza “filozofike” në Tiranë. Duken me shumë vështirësi një herë në 4 vite në zonat e tyre.

Pasurimi i shpejtë nga ky biznes, por pamundësia për t’i vënë këto para në qarkullim në vende të Europës Perëndimor­e si pasojë e rregullave të ashpra financiare, bën që ky kontingjen­t të gjejë mundësi që t’i investojë vetëm në Shqipëri. Ku kemi një ekonomi cash dhe gjysmë ilegale. Nga kontraband­istë në trafikantë, në investitor­ë e së fundmi në politikanë. Në shumë qytete në periferi, ky kontingjen­t është kthyer në faktor punësimi, duke kontrollua­r një numër biznesesh. Mjafton të shohësh makinat e tyre qindra mijëra euroshe, për persona që nuk kanë asnjë ditë pune në librezën e tyre, për të kuptuar fuqinë e tyre ekonomike.

Trafiku i drogës është një problem për çdo shoqëri. Por, ajo se çfarë duhet të bëjë Shqipëria, është të rrisë nivelin e arsimit dhe të krijojë për rininë modele suksesi, që vijnë nga një karrierë normale. E nuk janë as protestat e as djegia e gomave që mund të bëjë një parti opozitare, që e prishin imazhin e vendit. Nëse ka një shkatërrue­s imazhi mbi vendin, është pa diskutim trafiku i drogës dhe narkotrafi­kantët. Sot, çdo njeri në planet e di se Eskobari vjen nga Kolumbia dhe El Chapo nga Meksika. Po janë të pakët ata që e dinë se nga Kolumbia vjen edhe Gabriel Garsia Markez dhe nga Meksika shkencëtar­i Mario Molina.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania