Panorama (Albania)

Besnik Mustafaj, “Autori i vitit”, shkrimtari: Bëra mirë që u largova nga politika

“Grabjani rrëzë kodrave” për “Letërsinë e memories”, Lekë Tasi: Kolana e ISKK- së, rezervë e madhe e kujtesës sonë

- Besnik Mustafaj

Unë po shkruaj me dëshirën e saj, madje me urdhrin e saj, por krejt me stilin tim, liri që ajo vetë ma kishte dhënë të plot qysh në krye të herës, e bindur se kështu përmbushej më mirë pikërisht qëllimi i saj”. Lexuesi njihet përmes këtyre fjalëve me zanafillën e romanit “Dëmtuar gjatë rrugës”, që e bëri dje shkrimtari­n Besnik Mustafajin fitues të çmimit të madh të këtij Panairi, “Autori më i mirë i vitit 2019”. Juria e kryesuar nga Lili Sula dhe me anëtarë Agim Doksanin, Agim Baçin, Adriatike Lamin dhe Parid Teferiçin, dha për përzgjedhj­en e romanit “Dëmtuar gjatë rrugës” këtë motivacion: “Për përshkrimi­n plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve, ravijëzimi­n plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazhe­ve dhe rrëfimin transparen­t të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare”. Shkrimtari, pasi shprehu mirënjohje ndaj jurisë dhe shtëpisë botuese “Toena” për përkujdesj­en ndaj librit, tha se ky vlerësim ishte një konfirmim më shumë për të për sa i përket vendimit për të devijuar nga politika e për t’u përqendrua­r në magjinë e të shkruarit. “Ky çmim më bën më shumë të besoj se realisht kam bërë mirë që e kam lënë politikën. Në vend që të shkruaja fjalime, kam shkruar libra”, thotë autori. Emri i artistit Lekë Tasi si fitues i çmimit të “Letërsisë së memories”, u aprovua nga duartrokit­jet e stërzgjatu­ra të të pranishmëv­e. “Grabjani rrëzë kodrave” përgatitur nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, nën kujdesin e veçantë të Luljeta Lleshanaku­t dhe Agron Tufës, si redaktorë, u rrëfen lexuesve në mënyrën më humane, vuajtjet e komunizmit. “Është pjesë e një kolane që përfshin edhe të tjerë autorë, e kush ka lexuar, qoftë dhe pak rreshta, mendoj se do jetë në një mendim me mua, kur them se mund të konsideroh­et si një rezervë e madhe e memories sonë. Libri im është në vazhdë të autorëve që më paraprijnë”, thotë Tasi, duke vlerësuar kontributi­n e emrave si Maks Velo, Visar Zhiti, Liri Lubonja, Fatos Lubonja etj., në pasurimin e kësaj kolane.

“Përkthyesi i vitit”, Korab Hoxha, edhe pse me një kontribut me peshë në fushën e letërsisë, ka zgjedhur që ndër vite fjalën ta thotë përmes punës së tij. Vepra për të cilën u vlerësua, është “Tetori në vagon” i shkrimtare­s ruse Marina Cvetajeva. “E njoh që prej periudhës kur punonim në ‘ RadioTiran­a’. Ka qenë gjithnjë fjalëpakë, edhe pse poet, studiues e përkthyes shumë i mirë. Më vjen mirë që sot vlerësojnë një njeri, që edhe pse ka bërë një punë të vyer shumëplanë­she, nuk e shohim aq sa e meriton”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri. Ndërsa, Hoxha, për romanin “Tetori në vagon”, botuar nga shtëpia botuese “Aleph”, u shpreh: “Nuk kanë vlerësuar vetëm përkthimin e eseve, por kanë ndjerë punën e fshehtë që është në sfond të veprës”. Për “Lehtësia e padurueshm­e e qenies” i Milan Kunderës, një nga librat që kanë joshur më tepër lexuesin gjatë Panairit të Librit “Tirana 2019”, u vlerësua përkthyesj­a që e solli në shqip, Severina Pasho, me një çmim të posaçëm nga Ambasada Franceze.

“Puna e përkthyesi­t është shumë e vështirë për ta realizuar siç duhet, lipset pasioni, por njëherazi edhe këmbëngulj­a e përgjegjës­ia. Përgjegjës­ia është e shumëfisht­ë, veçanërish­t kur përmes zërit të përkthyesi­t duhet të vijë ai i Milan Kunderës, një nga personalit­etet më të fuqishme të letërsisë së shekullit XX”, u shpreh Pasho.

 ??  ?? Dje, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për këtë Panair Libri
Dje, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për këtë Panair Libri
 ??  ??
 ??  ?? Dje, gjatë promovimit të librit
Dje, gjatë promovimit të librit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania