Panorama (Albania)

E moshuara: Njëri e hoqi maskën, por nuk arrita ta njoh

-

Hume Shabani, 69 vjeçe, ishte e vetme në momentin kur grabitësit e hequr si policë i kanë hyrë në banesë. Ajo tregon se po përgatiste një byrek kur papritur i janë shfaqur tre persona me maska. “Unë isha duke bërë disa punë kur pashë që hapën derën dhe më thanë se ku e kisha djalin. I thashë cilin djalë? Më thanë që djali ka braktisur burgun, nuk e ke parë lajmin në televizor. Më pyetën ku e ke futur, ku e ke fshehur. I thashë djali nuk ka ardhur. Më erdhën pas në dhomë, duke kërkuar një armë të djalit, por unë i thashë që nuk di gjë a ka armë. Të gjitha dyert ishin të hapura, vetëm njëra ishte e mbyllur dhe e thyen me shkelm. Kur hynë brenda në dhomë, hapën me forcë kasafortën që e kishim në mur. Kanë përdorur leva dhe një mjet prerës dhe e kanë shkatërrua­r. Morën çfarë gjetën, letrat e shtëpisë, çfarë kishte në kasafortë”, tregon nëna e shtatë fëmijëve.

Në një moment, 69- vjeçarja thotë se njëri nga autorët ka hequr edhe maskën në mënyrë që ta qetësonte, por shikimi i saj i dobët e ka penguar që t’ia shquajë mirë fytyrën.

“Isha vetëm kur erdhën. I thashë si vini pa një kryetar komune, nga Tirana ku e gjetët shtëpinë time. Nuk më dhunuan. Njëri, i vogli, më njihte, e më tha të mos trembesha. Hoqi maskën, më tha mos u tremb dhe e vuri përsëri. Por nuk shoh mirë se jam operuar dy herë. Kur kuptova se ishin hajdutë, më morën telefonin, pasi tentova të merrja burrin në telefon, por ata s’më lejuan. Nuk e di a kishin armë me vete. Por nuk lëviza sepse mendova mos më bënin gjë”, shprehet më tej Shabani. Pasi autorët janë larguar, ajo thotë se ka njoftuar bashkëshor­tin dhe Policinë. “Pasi u larguan e lanë telefonin sërish në shtëpi dhe dola e lajmërova bashkëshor­tin. I thashë çfarë kishte ndodhur dhe ai më pas lajmëroi Policinë dhe ata erdhën menjëherë te banesa. Na morën në pyetje, kanë kryer të gjitha veprimet dhe shpresoj t’i gjejnë hajdutët. Jam e bindur se ata kanë qenë njerëz të njohur, pasi e kanë ditur mirë ku është kasaforta”, përfundon 69- vjeçarja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania