Panorama (Albania)

“Takimi i papritur në aeroportin e Vjenës me Kryeminist­rin Nano”

“Më zgjati dorën: ‘ Zoti Nano, je në lartësinë e mbiemrit që mban’”

- Mustafa Nano

në aeroportin e Vjenës. Veçse zyrtarët që shoqëronin F. Nanon nuk mbanin bllok shënimesh në dorë. E mbi të gjitha, në thelb, Fatos Nano nuk ka asnjë lidhje me politikanë si Kim Jong- Un.

Më la një shije të mirë, sidoqoftë. Më pëlqeu natyra e tij sportive dhe e shkujdesur. Ishte si një garip Tirone. Kam përshtypje­n se në historinë politike shqiptare ai është një gjë e rrallë: ishte “sundimtari” i parë i vendit, që nuk të fuste frikën. Të gjithë të tjerët, më herët, kanë qenë në një mënyrë a në një tjetër të frikshëm. Ndërsa Nanos dukej se nuk i shkonte mendja ta përdorte pushtetin për të frikësuar, shtypur a vrarë. Për Nanon, pushteti ishte një lodër, së cilës ai i gëzohej si një fëmijë. Nuk duhet të na dalë nga mendja që ai u bë Kryeminist­ër në vitin 1997, kur shteti ishte krejt i shkërmoqur dhe kur të gjitha institucio­net do duhej të ngriheshin nga e para. Berisha para tij i rrëmbeu të gjitha. Këtij i ranë në dorë të gjitha. Afërmendsh, mund të abuzonte si të donte me pushtetin e pakufishëm që kishte. Por abuzimet e tij mbetën në limitet e festave, alkoolit, qokave e bixhozit. Është e nevojshme të shpjegohet ky qejf i tij për të harbuar, por këtë mund ta bëjë ndonjë që e ka njohur mirë nga afër.

Kam dëgjuar sidoqoftë, se ishte aq i dhënë pas argëtimit, sa nuk dinte t’i vinte frena vetes. E kam parë shpesh nëpër restorante. Njëherë, më ndodhi të isha i ftuar tri ditë me radhë në tri dreka të ndryshme, me njerëz të ndryshëm, në restorante të ndryshme, të preferuara nga të kamurit e Tiranës ( gjë e rrallë, më duhet të them; nuk para drekoj në restorante të tilla) dhe kur kam hyrë, në të tri rastet, në një kënd kam parë Fatos Nanon me grupin e tij. Ai zinte gjithnjë këndet. Dhe në tryezën ku ulej, zinte gjithnjë kreun, mbështetej mbi shpinoren e ndenjëses, me puron mes buzëve, dhe shoqëruesi­t i mbante disi larg. Ndoshta ata vetë i rrinin larg. Mbroheshin prej batutave të tij të hidhura. Tregojnë se i trajtonte keq vartësit. I tallte, i përbuzte, i fyente. Dikush është fotografua­r duke i lidhur këpucët.

Kishte qejf t’i shërbenin. Nuk donte ta harronin se ata ishin ata që ishin dhe ai ishte ai që ishte. Nuk donte pra, që të harronin rolet e funksionet që kishin. Njëri syresh, në një darkë donte të ndërhynte në bisedë, por Fatosi e ndaloi. “Ti je këtu thjesht si spektator. Je veç për të dëgjuar. E ke të ndaluar të flasësh”, i tha. Kam drekuar një herë me të. Tek “Il Gusto”. Vetë i tretë. Ç’të pirë që bënte! Nuk kishte të lodhur. Qeshte gjithë kohën. Nuk dehej. Dhe nuk i shkonte mendja të ngrihej. Qoftë edhe për të pshurrur. Unë e gjeta në restorant dhe e lashë atje.

Të nesërmen mora vesh se ishte çuar nja pesë orë më pas. E të mendosh se pesë orë kishte qenë me mua. Dhjetë orë i ulur në restorant! Kjo është për Guinness. As sot nuk e di nëse ka pshurrur apo jo pas asaj dreke.

Në një rast, teksa ishte në New York, - kështu tregojnë - ai la takimin për të cilin kishte shkuar dhe ia mbathi në një kazino. Agjentët amerikanë që ishin ngarkuar për sigurinë e personalit­eteve që merrnin pjesë në atë veprimtari politike në kuadër të OKB- së, nuk mund ta ndalonin dot. Prandaj e ndoqën nga pas. E gjatë kohës që Nano luante në kazino ( për orë tëra), policët amerikanë bënin roje në dyert e kazinosë. Ata duhet të kenë raportuar diku për huqet e këtij bandilli, që kishte ardhur nga Ballkani i rrëmujshëm dhe ekzotik dhe thuhet se me këtë ngjarje ka zënë fill një mendim i keq i amerikanëv­e për të. Derisa në vitin 2005 i sugjeruan apo e urdhëruan, pa shumë bujë, të hapte rrugën e rikthimit në pushtet për Sali Berishën. Amerikanët parapëlqye­n një bandit në vend të një bandilli. Është në stilin e tyre - hajde e merre vesh pse - që të mos u zënë besë bandillëve. Ndërsa me banditët dinë ta gjejnë gjuhën.

Pasi humbi zgjedhjet, Fatos Nano u largua nga politika. Tentoi më shumë se një herë të rikthehej si një figurë mbi palët dhe për këtë lakmonte postin e Presidenti­t të Republikës, por mundimi i shkoi dëm. Kështu, Fatos Nano është përfundimi­sht jashtë politikës. Ai u largua për të mos u kthyer më. Dhe do të mbahet mend për këtë gjë. Do të mbahet mend gjatë. Pasi në historinë politike të shqiptarëv­e, ai është i vetmi që është larguar në këtë mënyrë, përgjithmo­në ( duke përjashtua­r Fan Nolin që u largua nga halli, jo nga qejfi). Dhe meritat e tij nuk mbarojnë këtu. Ai kishte edhe një gjë tjetër, që nuk ishte hiç shqiptare. Dinte të delegonte pushtet. Donte të delegonte pushtet. Çdo mosmarrëve­shje e rivalitet brenda partisë e zgjidhte shumë lehtë. Rivalëve, apo në përgjithës­i bashkëpunë­torëve xanxarë, ua mbyllte gojën duke u dhuruar - për të folur me gjuhën e sotme - një pjesë të tepsisë së madhe, apo duke i ftuar të vinin edhe ata duart në timon. Madje, nuk e kishte hiç për gjë të ftonte pranë vetes edhe njerëz me personalit­et e ambicie të fortë, që mund ta rrezikonin në të ardhshmen, siç bëri me Edi Ramën. Mund të mendohet se e gjitha kjo vinte prej një filozofie të tij, por me shumë gjasë punët kanë qenë ndryshe. Ai nuk kishte ndonjë filozofí. Ishte një njeri pa bindje të forta, pa ambicie të fortë. Nuk dinte të bënte llogari. Përtonte të bënte llogari. Përveç kësaj, nuk kishte një bazë të tijën. Nuk ka pasur kurrë nanoistë në Shqipëri. Të jepte përshtypje­n se nanoistët e bezdisnin. Dhe nuk i duheshin. Për çfarë mund t’i duheshin? Për të hedhur shtylla tensioni në erë? Për t’ua vërsulur kundërshta­rëve të tij? Për t’i nxjerrë në protesta? Apo për punë të tjera të liga? Për asgjë nga këto, ai nuk kishte nevojë.

Më kanë treguar se si njëherë, duke ikur për në jug, ku kishte një tubim elektoral për të mbajtur, i zunë rrugën disa fshatarë të Kavajës a të Lushnjës. Ishin socialistë, që donin të takonin të parin e tyre. Priheshin nga kryetari i komunës, një barkderr ( nuk i përfytyroj dot ndryshe kryetarët e komunave në Shqipëri). “Çfarë ka ndodhur?” - pyeti Fatosi, kur pa turmën që kishte dalë në rrugë. “Shef, duan të të takojnë. Janë tanët”. Nuk donte të ndalonte, por kur pa jargavitje­t e fshatarëve, shenjë se ata e adhuronin atë, ra dakord. “Ne duam të na kthehesh pak në fshat. Atje po të presin”, i tha kryetari i komunës. “Po mirë, po ndalem 10 minuta, jo më shumë”. Për të shkuar në fshat, që ishte buzë rrugës, u duhej të kapërcenin një kanal të ngushtë. Dhe tjetri, në shenjë respekti, e zuri për krahu, si për ta ndihmuar që të hidhej në anën tjetër. Jo vetëm që po e bezdiste e po e pengonte, por edhe ia kishte shtrënguar shumë krahun. “Ma lësho krahun, - i tha,- se hidhem vetë”. Por barkderri bëri të kundërtën. Ia shtrëngoi më shumë. Me sa duket, nuk gjente dot mënyrë tjetër për t’i shprehur dashurinë. “Më çave k..., më çave! Hiqe krahun, të thashë! Sh...! B...!” Barkderri më në fund bëri mënjanë.

Përsëris: Fatos Nano ka qenë një politikan atipik shqiptar. Shqipëria nuk ka pasur e nuk ka për të pasur një politikan si ai. Sa mirë? Apo sa keq? Hëm, këtë nuk e di. Jemi në Shqipëri, të dashur, ku çfarë mendon si më të keqen, mund të dalë si më e mira.

Kur kam parë vite më pas Kim JongUn, që në rrethana publike ecte para të vetëve me atë shtatin e tij të vogël, i ndjekur nga njëfarë largësie prej atyre që e quanin veten më të afërt, më është kujtuar ajo situatë me Fatos Nanon në aeroportin e Vjenës. Veçse zyrtarët që shoqëronin F. Nanon nuk mbanin bllok shënimesh në dorë. E mbi të gjitha, në thelb, Fatos Nano nuk ka asnjë lidhje me politikanë si Kim Jong- Un.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania