Panorama (Albania)

Mbi 200 nxënës të strehuar nisin shkollën në Shëngjin

Regjistrim­et në shkollën 9- vjeçare kanë sjellë dyfishim të numrit

- LEZHE/ ELVIS HILA

Fëmijët nga zonat e prekura nga tërmeti, të strehuar në Shëngjin, u rikthyen në shkollë këtë të enjte.

180 është numri i fëmijëve që procesin mësimor do të ndjekin pranë shkollës 9- vjeçare “At Zef Pllumi” në Shëngjin, ndërsa 20 nxënës të tjerë janë regjistrua­r në gjimnazin “Hydajet Lezha”. Në sytë e tyre ka ende trishtim, ndërsa disa kanë edhe gjurmë të asaj që kanë përjetuar. Në ditën e parë, jo të gjithë u paraqitën për t’u ulur në banka. Ora e parë ishte organizuar si bisedë për t’i miqësuar, ndërsa po punohet për t’i pajisur edhe me tekste mësimore. “Jam nga Thumana dhe jemi strehuar këtu në Shëngjin së bashku me familjen. Shtëpia na është shembur nga tërmeti dhe kemi shpëtuar për mrekulli. Jemi shumë të traumatizu­ar nga ajo çfarë kemi kaluar, por të them të drejtën po na qëndrojnë shumë afër këtu në Shëngjin. Që në ditën e parë kur jemi strehuar, jemi trajtuar nga psikologë dhe mësues dhe janë munduar sa më shumë të na largojnë atë çfarë kemi përjetuar”, shprehet një nxënës i klasës së pestë. Një tjetër nxënës thotë se librat i janë dëmtuar nga shembja e banesës, por që në shkollën e Shëngjinit po ndihet mirë. “Më është shembur banesa në Fushë- Mamurras nga tërmeti. Më janë dëmtuar librat dhe të gjitha materialet mësimore. Jam regjistrua­r këtu te shkolla e Shëngjinit dhe kjo është dita e para e mësimit. Ndihem shumë mirë. Po trajtohemi shumë mirë, më kanë sjellë pajisjet shkollore dhe tani pres që të pajisem edhe me libra për të vijuar normalisht procesin mësimor. Mendoj se duhet ta harrojmë atë çfarë na ka ndodhur dhe tani duhet aktiviteti­n e përditshëm dhe shpresojmë që të na ndërtohet shtëpia e shkatërrua­r”, thotë një nxënës i klasës së tetë. Sipas udhëzimit, ata janë bashkuar me nxënësit e shkollës duke e dyfishuar numrin në këtë shkollë. Drejtori Qamil Sokolaj deklaron se po punohet prej ditësh për t’u plotësuar të gjitha kushtet nxënësve të prekur nga tërmeti. “Masa janë marrë për t’u garantuar udhëtimin. Mësuesit do t’i marrin në mëngjes dhe do t’i shoqërojnë drejt hoteleve pas mësimit. Janë regjistrua­r 180 nxënës këtu në shkollën tonë, por në ditën e parë jo të gjithë kanë ardhur. Shpresoj se do të shtohen dita- ditës. Kemi pasur raste ku kemi lënë edhe prindërit që të qëndrojnë me nxënësit. Mësuesit po i mbajnë shumë afër që të integrohen sa më shpejt. Gjithashtu, i kemi pajisur me materiale mësimore dhe tani presim që t’i pajisim edhe me tekste shkollore që ata të vijojnë normalisht procesin mësimor këtu në shkollën tonë. Nxënësit janë kryesisht nga Thumana dhe Kurbini”, shprehet Sokolaj, drejtor i shkollës “At Zef Pllumi”. Në Bashkinë e Lezhës këtë të enjte nuk nisi procesi mësimor vetëm në shkollën e mesme “Llesh Nik Daka” të Shënkollit, një prej 5 objekteve mësimore të dëmtuara nga tërmeti në qarkun e Lezhës. Ndërsa në Kurbin, zonë e cila është më e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, procesi mësimor do të nisë më 9 dhjetor.

 ??  ?? Drejtori i shkollës, Qamil Sokolaj
Drejtori i shkollës, Qamil Sokolaj
 ??  ?? Nxënës të shkollës 9- vjeçare në Shëngjin
Nxënës të shkollës 9- vjeçare në Shëngjin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania