Banorët e Thumanës: Nuk kthehemi më në ato banesa

Trëndafile Greku: S’e dua jetën aty, më çoni sa më larg të jetë

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - LEZHE/ ELVIS HILA

Banorët e Thumanës së varfër të gjithë janë të trembur nga tërmeti. Edhe ata banorë, të cilëve nuk u rrezikohen banesat nga shembja, nuk duan që të rikthehen atje.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi në këtë zonë 26 viktima. Pallati ku u shua familja Greku dhe shumë të tjerë, ishte shpallur i pabanueshë­m nga tërmeti i 4 korrikut të vitit 2018. Mes lotësh në sy, Trëndafile Greku, kunata e Pëllumb Grekut, që humbi jetën nën rrënoja, me bashkëshor­ten Çeliken dhe djalin, Saimirin, thotë se njëri nga djemtë e kunatit emigroi në Francë nga frikë për të qëndruar në atë pallat dhe nga pamundësia për të marrë një banesë me qira diku tjetër.

“Burri im ka humbur vëllain, nusen e vëllait dhe djalin e vëllait. Ato pallate para dy vjetësh thanë që janë të banueshme. Sa mori arratinë djali i kunatit tim dhe iku në Francë se nuk ishte i zoti të paguante qiranë dhe i thanë që është i banueshëm. Kur erdhi puna, pallati u shemb. Si mund të hymë ne në atë pallat? Unë nuk e shoh dot Thumanën, jo më të hyj në atë pallat që është i pabanueshë­m, në ato rrënoja. Kur kam parë unë vëllain e burrit, se e quaj si vëlla, unë nuk e dua jetën aty, më çoni në një ferr, të jetë sa më larg, vetëm në atë pallat jo, nuk jetohet. U shemb. Kur na merrnin në telefon nga Franca, nuk ishim të zotët të jepnim përgjigje. Djali i vëllait iku se i thanë dil me qira, Doriani me Danielën, vetë i katërt, dhe ikën atje, dhe nuk gjeti dot as të atin, as të ëmën, as vëllain, që e kishte si dritën e syve, krah të djathtë. Edhe tani na thonë pallat i banueshëm dykatësh, por si mund të futem unë në atë pallat?”, shprehet Trëndafile Greku.

Disa prej pallateve dhe banesave tashmë mbajnë shiritin e verdhë, të vendosura nga grupet inspektues­e të ekspertëve shqiptarë e të huaj, që do të thotë se ato janë të riparueshm­e dhe nuk duhen shembur. Por banorët, të strehuar në Shëngjin, nuk gjejnë dot guximin të futen brenda tyre, duke iu referuar asaj çfarë kanë përjetuar.

“Pallati im dhe një tjetër në qendër mendohet që do të restaurohe­n. Shtëpia është një katastrofë totale. Kemi shpëtuar vetëm ca rroba, që nuk konsideroh­en fare. Ne nuk na e mban të shkojnë në shtëpi, shqip ta them”, thotë një banore.

Në qendër të Thumanës janë edhe dy pallate, të cilat banorët i quajnë “kullat binjake”. Edhe pse janë shpallur të banueshme nga raportet paraprake, banorët thonë se ndihen të rrezikuar.

“Si të futemi ne brenda, kur edhe pallatet e tjera kur ra tërmeti vjet kështu u thanë se do i rregulloni­n, i mbyllën ato vrima. Janë shuar shumë familje aty, ashtu të ndodhë edhe me ne?! Absolutish­t, unë nuk shkoj të jetoj aty, me e dit se shkoj rri jashtë, aty në breg të detit. Nuk i çoj fëmijët aty me i mbyt me dorën time. Çdo gjë ka lëvizur, edhe një tërmet tjetër duam ne, u shfarosëm fare si 26 viktimat në Thumanë”, thotë e frikësuar një tjetër banore e Thumanës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.