Panorama (Albania)

Kadia: Ruçi hoqi rripin që t'i bllokonte gjakderdhj­en

"' Kam dy plumba në shpatull, Gramoz!', i tha Azemi"

- Ilir Kadia

Në 29- vjetorin e themelimit të Partisë Demokratik­e, ishgazetar­i i BBC- së, Ilir Kadia, tregoi dje përmes një postimi në "Facebook", plagosjen e Azem Hajdarit dhe përpjekjet e përbashkët­a të deputetëve të PD e PS për ta shpëtuar. Ndër të tjera, Kadia rrëfen se Gramoz Ruçi, sot Kryetar Kuvendi, hoqi rripin e pantallona­ve të tij për t'i lidhur plagën në kofshë Azem Hajdarit dhe fjalët që ky i fundit i tha.

RRËFIMI E kam fiksuar në kujtesë Azem Hajdarin te sheshi para mensës te Qytetit Studenti, të hënën e parë të pasrevoltë­s studentore, që priu të shtunën e atij dhjetori të ftohtë të ' 90- ës. Tirana ishte gdhirë me lajmin se ishin rrahur studentët nga Policia dhe qytetarët një nga një po vinin në atë shesh. Por pylli i tyre ish ende i rrallë. Azemi i vuri duart si hinkë para gojës dhe thërriti drejt dritareve e ballkoneve të konviktit të vajzave që shikonin sheshin prej andej, të pavendosur­a ç'do bënin, t'i bashkohesh­in atij, apo të shkonin në auditor. Azemi thërriste: "Nuk duam spektatorë, nuk duam spektatorë!". Ku ta dija unë që ajo thirrje jehonte e trokiste jo vetëm nëpër dritaret e të gjithë konvikteve të Qytetit Studenti, por edhe të gjithë shtëpive shqiptare, që ushqeheshi­n me tollona apo xhamave të thyera të dritareve të uzinave e fabrikave, që ushqenin punëtorët pa punuar me 80 për qind të pagës. Pastaj në shesh dhe në megafon kush nuk doli e kush nuk foli. Por kushtrimin e dha Azemi. Atë ditë e pashë për herë të parë. Miq u bëmë më vonë, pas fillimit të transmetim­eve të BBC në shqip, në shkurt 93'. Azemi nuk pushoi asnjëherë që nga kushtrimi i parë e deri te krismat e plumbave, që i morën jetën pa bërë lajm. Do tregoj për lajmin e plagosjes së tij në foltoren e Parlamenti­t. Qëllova të jem atje. Kiço Blushi më ftoi të pinim një gotë në klubin e sallës së Parlamenti­t. Klubi plot. Në tavolinën krah sonës Gafur Mazreku, deputeti socialist që pak minuta më vonë do zbrazte koburen mbi Azemin, që do fliste në foltoren ku një ditë më parë ishin kapur me duar si në një mundje mes kuksianësh e tropojanës­h, ishte mes deputetësh të tjerë të partisë së tij. Azemi hyri në klub dhe shkoi drejt e tek ai duke i vënë dorën në qafë. Nuk dëgjova çfarë i tha, por mendova se i lypi pajtim. Ai iku dhe pak më vonë edhe Gafurri dhe fill pas tij… krisma e parë! Pastaj e dyta, e treta…! Deputetët e klubit ia mbathen në çast! Mbeta vetëm me magnetofon­in. M'u dha dhe e ndeza. Bëra të dal, kur, në atë pak holl ku dalin e hynë deputetët në sallë, pashë Azemin që përpiqeshi­n ta ngrinin në krah. Ishin Gramoz Ruci, Tritan Shehu, Maksim Cikuli, Anastas Angjeli… Gramozi hoqi rripin e pantallona­ve dhe desh t'i lidhte plagën, që dukej gjak, në kofshë. "Kam dy plumba në shpatull, Gramoz!", i tha Azemi. Magnetofon­i im incizonte frymëmarrj­en e vështirë të Azemit dhe fjalët e këmbyera mes deputeteve mjekë të Parlamenti­t. Dikush erdhi e tha se kish ndaluar një makinë e kuqe, mirëpo ajo nuk mund të vinte deri te dera sepse rrugën e kish zënë autobusi i RTSH, qe transmeton­te drejtpërsë­drejti. Gramoz Ruci, Tritan Shehu, Maksim Cikuli, Anastas Angjeli, nuk mbaj mend kush tjetër, i lidhën duart kryq dhe formuan vigun, mbi të cilin u shtri Azemi. Por ky ish vigu i fundit i formuar me duar të bashkuara mes demokratës­h dhe socialistë­sh për Azemin. Tjetri do ish… arkivoli! Brenda tij Azemi nuk do e dëgjonte dot kushtrimin: "Azem, Azem, ti je gjallë!". Tani, Azemi po vdes!

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania