Panorama (Albania)

Frikë nga arrestimi, pronarët e bizneseve nisin riparimet

Marrin përsipër rikonstruk­sionin e kateve të para të pallateve

- LEONIDHA MUSAJ

Pronarët e bizneseve që ndodhen në katet e para të pallateve të vjetra dhe ndërtuesit e pallateve të reja të dëmtuara janë angazhuar për të riparuar dëmet që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Ndërtuesit në Durrës dhe individë që kanë përshtatur shtëpitë e banimit në biznese duke dëmtuar kolonat dhe muret mbajtëse, i tremben burgut dhe kanë pranuar të kryejnë riparimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në objektet e ndërtuara prej tyre. Këtë e pranuan edhe në një takim me autoritete­t lokale. Kryetari në detyrë i Bashkisë së Durrësit, Zhulien Varfaj, zhvilloi dje një takim me një përfaqësi të ndërtuesve që kanë ndërtuar ndër vite në qytetin bregdetar. Mësohet se gjatë diskutimev­e, të pranishmit në këtë mbledhje me Zhulien Varfajn, kanë marrë përsipër riparimin e dëmeve në pallatet e ndërtuara prej tyre. Në këtë takim ishin të pranishëm një numër relativish­t i ulët, në raport me ndërtuesit që janë në Durrës. Por, një pjesë e ndërtuesve ose kanë ndërruar jetë, ose kanë shpallur falimentim­in, ndërkohë që disa prej tyre janë larguar nga Shqipëria për të jetuar në vende të ndryshme të Europës. RIPARIMI I DEMEVE Gjatë takimeve me Kryeminist­rin Edi Rama, ministri fuqiplotë, Bledi Çuçi, ka folur për rreth 60 ndërtues, që kanë bërë pallate brenda vijës së verdhë të Bashkisë së Durrësit. "Panorama" mëson se për të kryer riparimet e dëmeve që la pas tërmeti i 26 nëntorit janë angazhuar edhe pronarët e bizneseve që ndodhen në katet e para të pallateve të dëmtuara. Nëpër katet e para të pallateve, të ndërtuar para vitit ' 93, është ndërhyrë për të krijuar një lartësi të nevojshme për t'i përshtatur shtëpitë e banimit në biznese. Në këto kushte, është ndërhyrë duke shembur kolona dhe duke shembur mure mbajtëse të objekteve. Për të mos u denoncuar nga banorët, pronarët e këtyre objekteve kanë marrë përsipër të kryejnë riparimin e dëmeve me financat e tyre.

BANORET "Jetojmë në një pallat të ndërtuar para viteve ' 90. Pallati ka pësuar dëmtime si pasojë e lëkundjeve të tërmetit dhe është shpallur i pabanueshë­m. Objekti ndodhet pranë Drejtorisë së Policisë. Pronarët e bizneseve në katin e parë na thanë që do merren ata me riparimin e dëmeve. Këtë e bëjnë për t'i shpëtuar burgut, pasi kanë ndërhyrë në kolona dhe mure mbajtëse, me qëllim që këto shtëpi banimi t'i përshtatni­n në biznes", u shpreh Ivi Dobi, banor i lagjes nr. 18 në Durrës. Ndërkohë, ndërtuesit tentojnë të koordinohe­n me banorët që u kanë shitur apartament­et, që shpenzimet e dëmeve t'i ndajnë. "Ndërtuesi i pallatit tonë na kontaktoi dhe na kërkoi që gjysmën e faturës së punimeve ta paguajnë ata, ndërsa pjesën tjetër ne. Pranuam, çfarë të bëjmë", shpreh Denis. S.

 ??  ?? Pallati i dëmtuar në Durrës
Pallati i dëmtuar në Durrës
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania