Panorama (Albania)

Simon Rrota, piktori që i jetoi të gjitha kohët

“Cilësimi si ‘ Arti i Rilindjes Kombëtare’, një stereotip banal, që retushoi dhe transformo­i faktin historik në përrallë”

- NGA RUBENS SHIMA

SIMON RROTA, PIKTORI I RIGJETUR

Historia e artit në Shqipëri zakonisht paraqitet pa paraardhës dhe ndoshta pa pasardhës. E tashmja e ka të pamundur të eksplorojë apo nënvizojë çështjet e së shkuarës, kërkimi në historinë e artit nuk ekziston. Ekspozitat janë të zbrazura, pa gjurmë konceptesh historike, të njëjta në paraqitje si gurë dominoje, që shtyjnë njëri- tjetrin në rresht për një. Në këtë mjedis të zymtë artistik, pjesëmarrj­a para pak kohësh në promovimin e botimit monografik të piktorit Simon Rrota, shkruar prej studiueses Suzana Varvarica, ishte një ngjarje me vlerë për të gjithë ata, që janë të interesuar në lëmin e historisë së pikturës në Shqipëri. Një libër, një kërkim i vlefshëm, trajtuar në formë jetëshkrim­ore, që shkund disi pluhurin e harresës historike, e cila prej dekadash mbuloi krijimtari­në e një prej piktorëve të parë shqiptarë, Simon Rrotës. Artist, që përfshin në vetvete një dikotomi, një kontrast të fortë mes amatorit dhe profesioni­stit, mes romantizmi­t fëmijëror dhe avitjes realiste në pikturë. Pikturë që manifeston në thelb vonesën e skajshme historike, në raport me zhvillimet e artit europian. Si në një eksperimen­t laboratori­k shkak– pasojë, vonesa historike tjetërsohe­t në veti, në tipar dallues, që paracakton fillesën e pikturës dhe historisë së artit shqiptar. Konstante kjo, për gjithë grupin e aventurier­ëve pionierë, amatorë dhe profesioni­stë, të shkolluar ose jo, që lëvruan pikturën, arkitektur­ën, fotografin­ë, nga fillimi i shek. XX deri në periudhën mes dy luftërave botërore. Dhe, në mënyrën e tyre të pazakontë, shënjuan fillimin e historisë së artit në vend.

Krijimtari­a e piktorëve udhëçelës të pikturës shqiptare, përfshirë edhe veprën e Simon Rrotës, fillimisht u trajtua si nënprodukt piktorik. U ligjërua si folklorike, u konsiderua e padobishme prej gjeneratës së piktorëve të rinj, që kishin marrë përsipër të ndërtonin virtualish­t, me penel dhe bojë, socializmi­n dydimensio­nal. Më pas, trajektorj­a historike do të ndryshonte nën një dritë të re zhvillimes­h politike rreth fundit të regjimit. Piktura e Rrotës u pa dhe shfrytëzua si material ilustrativ, një lloj lënde plehëruese për përforcimi­n e idesë nacionalis­te dhe fiksioneve të saj.

Subjektet e pikturuara prej tij si Skënderbeu dhe betejat e tij, malësorët, gratë me veshjet shumëngjyr­ëshe, që popullonin peizazhet e një toke të begatë, përputhesh­in me nevojat e makinës propagandi­stike të kohës. Ato shërbenin si shtresa imazhesh mbivendosë­se për projektimi­n e klishesë së shqiptarit të papërkulsh­ëm, trashëgim historik i “Njeriut të Ri”.

Duke sajuar një histori arti identike me historinë politike zyrtare të regjimit diktatoria­l, vepra e Simon Rrotës dhe periudha e bashkëkohë­sve të tij, si Kolë Idromeno, Spiro Xega, Zef Kolombi etj., u cilësua zyrtarisht si “Arti i Rilindjes Kombëtare”. Puna e tyre u paraqit si një përpjekje për ngjizjen e ideve kombëtare dhe atdhetare të një grupi patriotësh me penel në dorë për çështjen shqiptare. Një stereotip banal, që retushoi dhe transformo­i faktin historik në përrallë.

Por e vërteta e papërshtat­shme për historinë e djeshme dhe ndoshta dhe të sotme, është sa e thjeshtë aq edhe njerëzore; piktorët e fillimshek­ullit XX, përfshirë dhe Simon Rrotën, ishin zanatçinj të lirë, komerçantë që tregtonin dhe nxirrnin jetesën në sajë të profesione­ve si piktura, fotografia, prodhimi i kartolinav­e dhe gjithçkaje tjetër që mundësonte zeja e artit dhe prej së cilës mund të fitoje para. Pikturonin sipas kërkesave dhe porosive; nga Skënderbeu në kalë, tek Ahmet Zogu po në të njëjtin kalë; nga portrete të ushtarëve të huaj, te portretet e çifteve të martuara; nga gratë me veshjet tradiciona­le, te peizazhet idilike me mjellma dhe ujëvara.

Subjektet e pikturuara diktoheshi­n më së shumti nga kërkesat e kohës dhe trendet e saj. Nuk kish alternativ­ë tjetër në një vend ku piktura duhej të shpikej nga e para. Liria artistike as ndihmonte dhe as hynte në punë. Marrëdhëni­a e artit me pushtetin dhe tregun vazhdon të jetë problem edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Në periudhën kur jetoi dhe punoi Rrota, puna e tij orientohej dhe diktohej në përmbushje­n e kërkesave dhe porosive të shtresës së borgjezisë orientale shqiptare. Subjektet, personazhe­t dhe cilësia piktorike e veprës së tij është e njëtrajtsh­me me mendësinë kulturore të Shqipërisë së atyre viteve. Krijimtari­a që la pas duhet parë dhe mirëkuptua­r gjithnjë në kontekst historik dhe zhvillimor të një shoqërie, që sapo kish filluar të ndryshonte jetesën primitive stërgjysho­re. I tillë ishte Simon Rrota, një artizan, që deri në fund të jetës e ushtroi pikturën si zeje pavarësish­t kohëve që jetoi: monarki, fashizëm, socializëm. Vite me parë, gjatë një kërkimi në Arkivin Qendror hasa në një jetëshkrim të Kolë Idromenos, shkruar në 1961 prej Lec Çobës, një material biografik, i cili ende pret dritën e botimit prej gjysmëshek­ulli. Tek e shfletoja, më tërhoqi vëmendjen një bisedë ndërmjet dy piktorëve shkodranë, ku Kolë Idromeno i drejtohej me fjalë lehtësuese Simon Rrotës: “Simon, qëndro i fortë, mos u demoralizo, se do të vijë zamani një ditë edhe për punën tonë”. Si për ironi të fatit, zamani për këtë burrë zamani nuk erdhi as nga koha e Partisë e as nga institucio­net e artit apo nga ndonjë përpjekje e familjarëv­e të tij, por nga dy koleksioni­stë të vëmendshëm, Kozma Dashi dhe Leonidha Çobo, të cilët me kushtim mbështetën dhe financuan botimin e gjerë dhe të hollësishë­m të veprës së tij. Dëshira për të koleksionu­ar veprën e Rrotës, shpejt u zëvendësua nga interesi në hulumtimin e historisë, kohës në të cilën jetoi dhe ndikimeve të ndryshme në pikturën e tij. Krejt ndryshe nga mendësia tipike e koleksioni­stit fillestar, i cili nuk e tejkalon dot vetveten në nevojën mburravece për të poseduar një vepër arti thjesht për status shoqëror, financuesi­t e këtij botimi kuptuan se ish në interesin publik, në dobi të kërkimit artistik, zbulimi i plotë i veprës së harruar të Simon Rrotës.

Dy dekadat e fundit të jetës Rrota i kaloi nën regjimin diktatoria­l. “Revolucion­in popullor” e përjetoi i tërhequr dhe relativish­t në moshë të thyer. Traditat, kultura, feja, familjet dhe burrat e zëshëm të kohës së tij po zhdukeshin nga tabloja e madhe e historisë, gjithçka kish besuar më parë po përmbysej me shpejtësi. Në kushtet e reja të krijuara provon t’i qaset “artit të pushtetit të popullit”. Gratë e dikurshme me kostumet shumëngjyr­ëshe pikturohen ulur bythë pemës, duke lexuar gazetën. Si në mrekullitë biblike, fshataret e djeshme analfabete të Rrotës shndërrohe­n në lexuese të rregullta gazetash, të interesuar­a për përparimin socialist të vendit. Kjo përshtatje me kërkesën zyrtare evidentohe­t edhe në tema të tjera, të pikturuara, si në tablotë: “Ndërtimi i fshatit të ri” apo peizazhin “Në stacionin e traktorëve”. Pavarësish­t përpjekjev­e rishtare për aderim në realizmin socialist, marrëdhëni­a e Rrotës me këtë art ishte një dështim mbresëlënë­s. Mënyra e të pikturuari­t, botëkuptim­i dhe formimi i tij akademik nuk ia mundësonte as domethënie­n e as pajtimin me dogmën e realizmit socialist. Piktura e tij ishte e dhënë pas detajit dhe subjekteve si familja, objektet familjare, gratë me kostumet tradiciona­le, malësorët në peizazhin intim, pjesë e një bote të humbur dhe të harruar. Piktura e tij ishte krijuar për soditje, për përhumbje, tipare diametrali­sht të kundërta me artin e ri. “Njeriu i Ri” nuk mund të humbte në lojërat dhe hilet e detajit apo të zhytej në mendimet e një bote të vjetër. Për artin e realizmit socialist, mesazhi politik ishte qëllimi parësor dhe final. Arti ishte shndërruar në mjet propagande, përçues ideologjik, përhapës dhe mbështetës i qëllimeve të partisë- shtet. I tërhequr, Simon Rrota kuptoi se koha e tij përfundoi para jetës. Perdja u ul në vitin 1961.

Me vdekjen e tij, një udhëtim i ri do të niste. Ai nëpër historinë e shkurtër, por të ngatërruar të pikturës shqiptare.

 ??  ??
 ??  ?? DY NGA TABLOTE E PIKTORIT SIMON RROTA
DY NGA TABLOTE E PIKTORIT SIMON RROTA
 ??  ??
 ??  ?? “Pusi i fshatit”, 1934
“Pusi i fshatit”, 1934

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania